Liderët perëndimor janë të bindur se rrjedhjet e konstatuara një ditë më parë në tubacionet e gazit Nord Stream 1 dhe 2 në zonat ekonomike të Suedisë dhe Danimarkës janë pasojë e sulmeve të qëllimshme.
“Ky nuk është thjesht një difekt, këtu kemi të bëjmë me sulme ndaj infrastrukturës. Nuk ka pasur asnjë të dhënë për ndonjë tërmet në zonë.” – Robert Habeck, ministër gjerman i ekonomisë.
Lexo edhe: Nord Stream, rrjedhje misterioze në tubacionet e gazit të Rusisë, dyshohet për sabotim
Edhe Qendra Sizmologjike Suedeze në Universitetin Uppsala, pohoi se nuk ka dyshim “që atje ka pasur shpërthime”. BE-ja kërcënoi me përgjigjen më të fortë të mundshme ndaj Putinit për sabotazh të qëllimshëm të infrastrukturës energjetike evropiane, që dërgoi në rritjen e beftë të çmimit të gazit. Fotot e marra nga ushtria daneze treguan zona me flluska të mëdha në sipërfaqen e ujit, që burojnë nga tre rrjedhjet në zonat ekonomike detare të Suedisë e Danimarkës dhe në veri të Polonisë. Zonat kanë një diametër prej 200 deri në 1000 metra.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohin rrjedhjet si akte sabotimi ose sulmi, pohoi Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Tubacionet Nord Stream 1 dhe 2 kanë qenë në qendër të tensioneve gjeopolitike muajt e fundit pasi Rusia ndërpreu furnizimin me gaz në Europë, sipas gjasave, në shenjë hakmarrjeje kundër sanksioneve perëndimore pas pushtimit të saj në Ukrainë. Pritet që rrjedhjet në tubacionet e mbushura me gaz të zgjasin “të paktën një javë” – derisa të mbarojë metani që del nga tubat nënujorë. Rusia vetë u shpreh se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për rrjedhjet, dhe nuk e mohon që ky mund të jetë një akt sabotimi, por e heq përgjegjësinë nga vetja./ Deutsche Welle
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto