Shkruar nga Erion Nexha
EBITDA është një nga KPI (key performance indicators) që na mundëson të masim performancën operative (core business) të shoqërisë dhe të arrijmë të bëjmë një krahasim dhe të vlerësojmë në ç’pozicion ndodhemi përballë konkurrencës.
Na lejon të kuptojmë nëse jemi në pozicion force apo vështirësie përballe konkurrentëve që operojnë në të njëjtin sektor me ne.
Për ta llogaritur duhet të bëhet riklasifikim i pasqyrave, të ardhurave dhe shpenzimeve (performancës), një procedurë e cila synon të:
- Bashkojë llogaritë në disa klasa për të thjeshtuar leximin e të dhënave;
- Vendosjen e të ardhurave dhe shpenzimet në një kolone të vetme për të lehtësuar krahasimet;
- Llogarit rezultatet e ndërmjetme për të analizuar më mirë performancën e kompanisë.
Rezultati është si më poshtë:
Te ardhurat | ALL 2,000,000.00 |
– Kostot e jashtme | ALL 800,000.00 |
= Vlera e shtuar (Added Value) | ALL 1,200,000.00 |
– Kosto e personelit | ALL 300,000.00 |
= EBITDA (earnings before interest taxes deprecation and amortization) | ALL 900,000.00 |
– Amortizim/zhvlerësim | ALL 200,000.00 |
= EBIT (earnings before interest and taxes) | ALL 700,000.00 |
-/+ Menaxhimi financiar (interesat) | ALL (50,000.00) |
= EBT (earnings before taxes) | ALL 650,000.00 |
– Taksat | ALL 32,500.00 |
= Fitimi i Vitit | ALL 617,500.00 |
Ne baze të klasifikimit që bëmë më lart vëmë re se EBITDA nuk konsideron kostot për amortizimin/zhvlerësimin, interesat dhe taksat.
Mos vallë kosto e amortizimin/zhvlerësimin, interesat dhe taksat nuk ndikojnë tek fitimi i shoqërisë? Patjetër që po. Në vijim do të shohim se përse nuk merren në konsideratë kur matet EBITDA.
Para llogaritjes së EBITDA duhet të llogarisim një tjetër indikator “Vlerën e shtuare” (Added Value).
Vlera e shtuar (Added Value)
Vlera e shtuar janë tiparet shtesë ose vlera ekonomike që një shoqëri u shton produkteve dhe shërbime të saj para se t’ua ofrojë konsumatorëve/klientëve.
Përshkruan vlerën ekonomike (përmirësimin) që një shoqëri i shtone produkteve ose shërbimeve që ofron.
Lexo: Rëndësia e “Break Even Point” në kohën e COVID – 19. Si t’i mbijetojmë krizës
Vlera e shtuar shpjegon pse shoqëritë janë në gjendje të shesin një produkt apo shërbim me çmim më të lartë se sa kosto e prodhimit të tyre.
Llogaritja e Vlerës të shtuar është diferenca midis të ardhurave të shoqërisë dhe kostot e jashtme.
Kostot e jashtme: janë kosto që rrjedhin nga blerja e lëndës së parë, materiale të tjera, konsulence nga specialistë të ndryshëm. Pra të gjithë kosto që rrjedhin nga faktorë jashtë strukturës së shoqërisë.
EBITDA
EBITDA= të ardhura – kosto të jashtëm – kosto personelit.
Është një indikator që përjashton shpenzimet jo-operative (interesat dhe taksat) dhe kostot jo – monetare (amortizimin/zhvlerësimin). Ka për qëllim të nxjerrë në pah marzhin që mbetet në kompani pas mbulimit të kostove të jashtme dhe kostot të personelit, kostot operative që shkaktojnë dalje monetare.
Arsyet se përse EBITDA nuk konsideron kostot e përmendura më sipër janë për shkak se ato nuk varen nga aktiviteti baze i shoqërisë por nga politika që nuk kontrollohen nga vete shoqëria dhe nëse do të analizoheshin për të parë core business do të krijonin një analizë të gabuar, për shkak se kostot:
- Amortizim/zhvlerësim (shpenzime jo-monetar), varen nga politika të kontabilitetit, pra janë institucione jashtë kontrollit të shoqërisë që vendosin normën e amortizimit të aktiveve afatgjatë të ndryshme;
- Interesat janë politika financiare, janë bankat dhe institucione të tjera financiare që vendosin normën e interesit;
- Taksat, janë politika qeveritare.
Pra, siç mund të shohim të tre kostot që nuk konsiderohen nga EBITDA nuk janë pjesë e core business, por politika të institucioneve të ndryshme. Duke eliminuar kostot e përmendura më lart, EBITDA e bën më të lehtë krahasimin e shëndetit financiar të shoqërive të ndryshme. Është gjithashtu i dobishëm për vlerësimin e shoqërive me struktura të ndryshme kapitali, me taksim të ndryshëm dhe me politika të amortizimit/zhvlerësimit të ndryshme midis tyre, duke lënë jashtë këto kosto bënë që të jetë një indikator që nuk ndikohet nga politika të jashtme dhe e bën të denjë për të matur performancën e shoqërisë.
Duke e parë nga një këndvështrim tjetër, mund të themi se mat sa fitim mbetet për:
- Kryerjen e investimeve (amortizim);
- Të paguaj interesat për borxhin financiar (bankat);
- Të kënaqë “ortakun/aksionerin e fshehtë” (taksat);
- Të shpërblejë ortaket/aksionerët (fitimi).
Për të kuptuar më mire dobishmërinë e EBITDA le të shohim një shembull:
Le të supozojmë dy shoqëri Alfa dhe Beta, të dyja operojnë në të njëjtin sektor dhe me të njëjtin xhiro vjetore prej 1,000,000.00 ALL.
Shoqëria Alfa Sh.p.k | Shoqëria Beta Sh.p.k | |||
Të ardhura | ALL 1,000,000.00 | ALL 1,000,000.00 | ||
Fitimi | ALL 30,000.00 | ALL 50,000.00 | ||
Shoqëria Alfa ka një fitim prej 30,000 ALL dhe Beta prej 50,000 ALL.
Duke u ndalur në këto të dhëna, ne do të arrinim të përfundimi se shoqëria Beta është më efikase dhe fitimprurëse.
Tani le të shtojmë një informacion më shumë dhe rezultati është si më poshtë:
Tab 2
Shoqëria Alfa Sh.p.k | Shoqëria Beta Sh.p.k | |||
Të ardhura | ALL 1,000,000.00 | ALL 1,000,000.00 | ||
EBITDA | ALL 150,000.00 | ALL 70,000.00 | ||
Fitimi | ALL 30,000.00 | ALL 50,000.00 | ||
Cila shoqëri është më efikase nga të dyja?
Situata e paraqitur në tab 2 më lart na tregon se shoqëria Alfa Sh.p.k ka më shumë kosto jo operative, le të sjellim një situatë më të plotë:
Shoqëria Alfa Sh.p.k | Shoqëria Beta Sh.p.k | ||
Të ardhura | ALL 1,000,000.00 | ALL 1,000,000.00 | |
EBITDA | ALL 150,000.00 | ALL 70,000.00 | |
amortizim | ALL 90,000.00 | ALL 10,000.00 | |
interesa | ALL 20,000.00 | ALL – | |
taksa | ALL 10,000.00 | ALL 10,000.00 | |
Fitimi | ALL 30,000.00 | ALL 50,000.00 |
Nga të dhënat e tabelës 3 mund të kuptojmë se shoqëria Alfa është duke investuar shumë në aktivet afatgjatë (kosto amortizimit), investimet është duke i bërë me financim bankar (interesa), këto dy faktor bëjnë që Alfa të ketë një fitim vjetor më të ulet se Beta edhe pse ka një performancë më të mirë.
Është e qartë që Alfa Sh.p.k po bën investime për t’u rritur dhe modernizuar. Amortizimi është kosto që, aktualisht zvogëlon fitimin e Alfa Sh.p.k, por krijon bazën për rritjen, kjo është arsyeja themelore që të bëhet dallimi i amortizimit nga kostot operative.
Në shembullin më lart krahasimi ishte mjaft i thjeshtë, sepse supozuam që shoqëritë të kishin të ardhura të njëjta dhe llojshmëria e kostove të ngjashme, për të bërë një krahasim më të plotë midis shoqërive të ndryshme dhe për t’i krahasuar duhet të masim EBITDA në përqindje ose i quajtur ndryshe EBITDA margin.
EBITDA margin
Siç e përmendëm më lart në shembujt që pamë ishte shumë e thjesht të kuptohej me vlerat absolute se cila shoqëri ishte më efecientë për faktin se supozuam të ardhura të njëjta, por në jetën reale nuk ndodh kështu, pasqyrat financiare janë më të komplikuara sesa shembujt që pamë më lart.
Për të arritur të bëjmë krahasimin midis dy business-ve që operojnë në të njëjtin sektor duhet të përdorim EBITDA margin, matja bëhet nga raporti midis EBITDA / TE ARDHURA*100, në ketë mënyrë do kemi si rezultat një përqindje dhe jo një numër absolut.
Për të kuptuar dobishmërinë e EBITDA margin le të sjellim një shembull disi më të komplikuar:
Shoqëria Alfa Sh.p.k | Shoqëria Beta Sh.p.k | |||
Të ardhura | ALL 14,000,000.00 | ALL 16,000,000.00 | ||
kosto e jashtme |
Kosto lëndë e parë | ALL 3,500,000.00 | ALL 4,500,000.00 | |
Shpenzime për konsulence | ALL 2,500,000.00 | ALL 2,000,000.00 | ||
Energji elektrike | ALL 150,000.00 | ALL 200,000.00 | ||
Shpenzime për ujin | ALL 35,000.00 | ALL 40,000.00 | ||
Shpenzime për publicitet | ALL 50,000.00 | ALL 40,000.00 | ||
Kosto të tjera të jashtme | ALL 1,000,000.00 | ALL 2,500,000.00 | ||
VLERA E SHTUAR (ADDED VALUE) | ALL 6,765,000.00 | ALL 6,720,000.00 | ||
Kosto e personelit | ALL 2,545,000.00 | ALL 2,500,000.00 | ||
EBITDA(earnings before interest taxes depreciation amortisation) | ALL 4,220,000.00 | ALL 4,220,000.00 | ||
Amortizim | ALL 1,000,000.00 | ALL 100,000.00 | ||
EBIT(earnings before interest taxes) | ALL 3,220,000.00 | ALL 4,120,000.00 | ||
Interesa | ALL 59,000.00 | ALL – | ||
EBT (earnings before taxes) | ALL 3,161,000.00 | ALL 4,120,000.00 | ||
Taksa | ALL 158,050.00 | ALL 618,000.00 | ||
Fitimi | ALL 3,002,950.00 | ALL 3,502,000.00 |
Nëse do të bënim një analizë të shpejtë tab 4, të gjithë ata që kanë njohuri bazë të pasqyrave financiare do shihnin të parën Fitimin vjetor dhe shoqëria Beta sh.p.k ka fitim më të lartë, e dyta do ishte xhiro e vitit / të ardhurat edhe në ketë rast shoqëria Beta sh.p.k ka një xhiro më të lartë, pra mund të themi ia vlen (it worth) të investosh tek shoqëria Beta sh.p.k!
Për të qene më të sigurt të shohim edhe indikatorë të tjerë:
- Vlera e shtuar, shumë e përafërt edhe pse për shoqërinë Alfa pak më e lartë nuk na jep një ndihmë të madhe;
- EBITDA në vlerë absolute janë identik për të dyja shoqëritë.
Atëherë, cila është shoqëria me efeciente? Këtë na e tregon EBITDA margni siç thamë më lart është raporti midis EBITDA dhe TE ARDHURAT:
Shoqëria Alfa Sh.p.k | Shoqëria Beta Sh.p.k |
EBITDA margin | 30% | 26% |
EBITDA margin tregon se sa shpenzimet operative ndikojnë negativisht tek fitimi i shoqërisë. Sa me i lart të jete EBITDA margin aq më pak e rrezikshme konsiderohet financiarisht një shoqëri.
Në shembullin tonë shoqëria Alfa Sh.p.k prezanton një EBITDA margin më të lartë se shoqëria Beta Sh.p.k, çfarë na tregon ky fakt?
- Që shoqëria Alfa Sh.p.k edhe pse më të ardhura më të ulëta se shoqëria Beta Sh.p.k ka një EBITDA të njëjtë, pra arrin të jetë më efeciente në menaxhimin e kostove operative;
- Të ardhurat/xhiro vjetore e lartë e një shoqërie nuk është indikator i efikasitetit;
- Fakti që shoqëria Alfa Sh.p.k ka amortizimin prei 1,000,000 ALL (shpenzime jo-monetare) tregon se ka 1,000,000 ALL në kasën e saj të pa taksuar;
- Dhe ndryshimi midis dy xhirove të ndryshme benë që:
- Shoqëria Alfa është në limitin e taksimit të thjeshtuar (limiti është 14,000,000 ALL) dhe taksohet me normën e 5%;
- Shoqëria Beta Sh.p.k kalon limitin dhe taksohen ne formën standard me normën 15%.
Me këtë kuptojmë se të shohësh vetëm xhiron/të ardhura dhe fitimin e një shoqërie nuk ke parë plotësisht.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.