Rehabilitimi i hekurudhës Durrës – Rrogozhinë. Studim: duhen 52 milionë euro investim - Business Magazine Albania

Rehabilitimi i hekurudhës Durrës – Rrogozhinë. Studim: duhen 52 milionë euro investim


 

Për rehabilitimin e linjës hekurudhore Durrës – Rrogozhinë – Elbasan – Pogradec, është bërë një studim i mbështetur nga Komisioni Europian.

Studimi i nisur para një viti e gjysëm është ndarë në dy faza, sipas prezantimit të bërë nga Ministria e Transportit.

Faza 1. U krye vlerësimi para realizimit për të gjithë linjën hekurudhore 151km, 72km e parë të të cilës ndërmjet Durrësit – Rrogozhinës – Elbasanit janë në punë sot. Pjesa e mbetur prej 79 km nga Elbasani në Pogradec nuk janë në funksion për shkak të gjendjes të keqe të linjës dhe të strukturave (urave dhe tuneleve) përgjatë saj.

Faza 2. U përgatit projekti paraprak dhe analiza kosto-përfitim për segmentin prioritar Durrës – Rrogozhinë. Ai është i gjatë 33.5 km dhe kostoja e rehabilitimit vlerësohet 52 milionë euro.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës parashikon se rehabilitimi i këtij segmenti me prioritet të lartë do të përmbushë standartet e projektimit të Rrjetit Ndër Europian me shpejtësi 100km/h dhe ngarkesë aksi 22.5 ton. Koha e udhëtimit do të reduktohet nga 60 minuta në 32 minuta. Lëvizja pritet të arrijë 330,000 pasagjerë dhe 1,100,000 tonë mallra deri në vitin 2047. Vlera e përllogaritur në kursimin e kohës për përdoruesit e sistemit të transportit shqiptar do të jetë EUR 0.65 milionë për udhëtarët dhe EUR 15.3 milionë për transportin e mallrave. Kursime shtesë nga zvogëlimi i kostos të operimit të automjeteve në transportin rrugor përllogariten në EUR 0.5 milionë për udhëtarët dhe EUR 8.7 milionë për transportin e mallrave.

Rehabilitimi i të gjithë linjës hekurudhore do të ndikojë në zhvillimin e transportit strategjik multimodal për Ballkanin Perëndimor. Linja hekurudhore Durrës – Elbasan – Pogradec me linjën e re nga Lini në kufi me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë është pjesë e Korridorit VIII Pan-Evropian dhe është pjesë e Rrjetit Gjithëpërfshirës Hekurudhor SEETO. Ajo lidh kryeqytetet Tiranë, Shkup dhe Sofje si dhe portin e Durrësit në detin Adriatik me portet e Burgasit dhe Varnës në Detin e Zi. Vazhdimi dhe lidhja e linjës hekurudhore nga Pogradeci në rrjetin Hekurudhor të Greqisë parashikohet gjithashtu të zhvillohet.

Përgatitja e këtij studimi është mundësuar nga Komisioni Evropian me një grant prej 720,000 euro dhënë Shqipërisë nga fondet rajonale të Instrumentit të Paraaderimit (IPA) financuar nëpërmjet Instrumentit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF). Qeveria Shqiptare ka vendosur të vijojë me zhvillimin e projektit të rehabilitimit të të gjithë linjës hekurudhore dhe për këtë arsye ka bërë kërkesë së fundmi pranë WBIF për dy grante të tjera asistence teknike.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0