Agjensia e lajmeve Reuters ka publikuar raportin e lajmeve digjitale për vitin 2025. Raporti i këtij viti publikohet në një kohë pasigurie të thellë politike dhe ekonomike, ndryshimesh në aleancat gjeopolitike, pa lënë mënjanë krizën klimatike dhe konfliktet e vazhdueshme shkatërruese në mbarë botën. Në këtë kontekst, gazetaria analitike dhe e bazuar në fakte do të duhej të lulëzonte, me gazeta që shiten masivisht, media transmetuese dhe trafik në ueb që rritet. Por, si tregon raporti, realiteti është ndryshe. Në shumicën e vendeve, mediat tradicionale po hasin vështirësi në lidhjen me publikun, me angazhim në rënie, besim të ulët dhe abonime digjitale të cunguara.
Një lëvizje në rritje drejt konsumimit përmes mediave sociale dhe platformave video po zvogëlon më tej ndikimin e ‘gazetarisë institucionale’ dhe po fuqizon një mjedis alternativ të fragmentuar mediatik, ku përfshihen podcast-erë, YouTube-rë dhe TikTok-erë. Politikanët populistë në mbarë botën po anashkalojnë gazetarinë tradicionale duke zgjedhur media partiake të favorshme, “personalitete” dhe influencues që shpesh marrin akses të veçantë, por rrallëherë bëjnë pyetje të vështira, me shumë prej tyre të përfshirë në përhapjen e narrativave të rreme.
Këto tendenca janë veçanërisht të theksuara në Shtetet e Bashkuara nën presidencën e Donald Trump, si dhe në pjesë të Azisë, Amerikës Latine dhe Europës Lindore, por po ecin më ngadalë në vende ku markat e lajmeve ruajnë lidhje të forta me audiencën. Në vendet ku liria e shtypit është nën kërcënim, ekosistemet alternative ofrojnë mundësi për të sjellë perspektiva të reja dhe për të sfiduar qeveritë represive. Por njëkohësisht, këto ndryshime mund të kontribuojnë në polarizim politik në rritje dhe një debat më të ashpër online. Në këtë kontekst, raporti nxjerr në pah një hendek të thellë mes SHBA dhe Europës, si dhe mes konservatorëve dhe progresistëve në të gjithë botën, mbi kufijtë e fjalës së lirë dhe rolin e moderimit të përmbajtjes dhe verifikimit të fakteve në rrjetet sociale.
Lexo edhe: 7 inovacione premtuese në teknologji që mund të ndryshojnë botën
Ky vit shënon gjithashtu shqetësime të reja për platformat dhe chatbot-et e AI-së, të cilat janë përfshirë për herë të parë në këtë studim. Specialistët e medias shqetësohen se përditësimet e AI-së, përfshirë përmbledhjet automatike dhe veçori të tjera për lajmet, mund të reduktojnë trafikun drejt faqeve dhe aplikacioneve. Megjithatë, raporti tregon se, në një botë gjithnjë e më të mbushur me përmbajtje sintetike dhe dezinformim, të gjitha gjeneratat vlerësojnë ende brand-et mediatike e besueshme për saktësinë, edhe nëse nuk i përdorin aq shpesh sa më parë.
Me një numër gjithnjë e më madh njerëzish që shmangin lajmet, raporti i Reuters shqyrton përfitimet e mundshme të përdorimit të teknologjive të reja AI për të personalizuar përmbajtjen dhe për ta bërë atë më tërheqëse për të rinjtë. Raporti, i mbështetur nga hulumtime cilësore në tre tregje (MB, SHBA dhe Norvegji), përfshin gjithashtu një kapitull mbi gjendjen e podcast-imit, ndërthurjen me talk show-t video dhe perspektivat për pagesën e përmbajtjes audio. Po ashtu eksploron vlerën e lajmeve lokale dhe gatishmërinë për mënyra më fleksibël pagesash online, përfshirë “paketa lajmesh”.
Ky, botimi i katërmbëdhjetë i Digital News Report nga Reuters, i bazuar në të dhëna nga gjashtë kontinente dhe 48 tregje, na kujton se këto ndryshime nuk ndodhin njësoj në të gjithë botën. Ndërsa ka sfida të përbashkëta mbi ritmin e ndryshimit dhe rolin shkatërrues të platformave, detajet e tjera ndryshojnë në varësi të madhësisë së tregut, zakoneve dhe kulturës, si dhe marrëdhënies mes medias dhe politikës.
Gjetjet kryesore:
-Angazhimi me mediat tradicionale si TV, print dhe uebsajte lajmesh vazhdon të bjerë, ndërsa varësia nga mediat sociale, platformat video dhe agregatorët online rritet. Në SHBA, përdorimi i lajmeve nga mediat sociale u rrit ndjeshëm (+6 pikë përqindjeje), por nuk pati “Trump bump” për mediat tradicionale.
-Personalitetet dhe influencuesit luajnë një rol të rëndësishëm në formësimin e debateve publike; në SHBA, 22% e të anketuarve u përballën me komente nga podcasteri Joe Rogan. Në Francë, krijuesi i ri i lajmeve Hugo Travers arrin 22% të të rinjve nën 35 vjeç.
-Konsumi i lajmeve në platforma online vazhdon të fragmentohet; tani gjashtë rrjete online arrijnë mbi 10% të përdoruesve javë pas jave. Facebook (36%) dhe YouTube (30%) mbeten kryesoret, ndjekur nga Instagram (19%), WhatsApp (19%) TikTok (16%) dhe X (12%).
-Rritja e videove si burim lajmesh është e qartë; konsumimi i videove sociale ka shkuar nga 52% në 2020 në 65% në 2025. Në Filipine, Tailandë, Kenia dhe Indi, më shumë njerëz preferojnë të shohin lajmet sesa të lexojnë.
-Podcaste dhe krijuesit e rinj të lajmeve janë thelbësorë për audiencat më të reja dhe të arsimuara; në SHBA 15% e të anketuarve aksesojnë të paktën një podcast në javë, shpesh me version video.
-TikTok është rrjeti më i shpejtë në rritje për lajme, duke arritur 49% të përdoruesve online në Tailandë dhe 40% në Malajzi, por gjithashtu shihet si kërcënim për dezinformim.
-Shumë përdorues (58%) janë ende të shqetësuar për aftësinë e tyre për të dalluar të vërtetën nga lajmi i rremë . Influencuesit dhe politikanët janë burimet më të mëdha të dezinformimit sipas perceptimit global.
-AI po shfaqet si burim i lajmeve, sidomos tek të rinjtë nën 25 vjeç (15%). Megjithatë, audiencat janë të ndara për përdorimin e AI në gazetari, duke preferuar akoma ndërhyrjen njerëzore për saktësi dhe besueshmëri.
-Besimi në lajme ka ngelur i qëndrueshëm për tre vite radhazi (40%), edhe pse akoma poshtë nivelit të pandemisë.
-Pagesat për lajmet online mbeten të ulëta (18% mes vendeve të pasura), me Norvegjinë dhe Suedinë në krye (42% dhe 31%).
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.