Një startup i ri në industrinë e çipave, i mbështetur nga Sam Altman, po shqyrton mundësinë e një shitjeje, pasi përpjekjet për të mbledhur 150 milionë dollarë nga investitorë privatë kanë dështuar dhe OpenAI është një ndër blerësit e mundshëm, kanë treguar burime për The Post.
Rain AI, një startup me bazë në San Francisko që pretendon se po zhvillon çipa më të fuqishëm dhe më efikasë në energji se ata të gjigantëve si Nvidia prej javësh ka nisur bisedime për një blerje të mundshme.
Nuk është ende e qartë nëse OpenAI ka bërë një ofertë zyrtare për Rain AI, por një burim tregoi se Altman i cili ishte një nga investitorët kryesorë në raundin fillestar të investimeve prej 25 milionë dollarësh në vitin 2022 është duke kërkuar të shpëtojë investimin e tij përmes një blerjeje nga OpenAI me një çmim të ulët.
“Sam Altman po përpiqet të shpëtojë investimin e tij duke bërë që OpenAI ta blejë Rain me pak para,” tha një burim pranë situatës. Ndërkohë, bashkëthemeluesi Will Passo është tërhequr në heshtje nga posti i CEO-së së Rain AI dhe është zëvendësuar nga bashkëthemeluesi tjetër, Jack Kendall, i cili tani figuron si CEO në faqen zyrtare të kompanisë.
Në një email të siguruar nga The Post, Kendall konfirmon se ka qenë e vështirë për kompaninë të mbyllë një raund investimi të Serisë B që do t’i jepte mundësinë të konkurronte me gjigantët e industrisë si Nvidia, dhe se për këtë arsye, Rain ka kaluar në një fazë kërkimi për blerës të mundshëm. Ai shtoi se kompania po harxhon fondet me ritëm të shpejtë dhe ka nevojë për një financim të ndërmjetëm prej 3 milionë dollarësh për të vijuar operacionet deri sa të përfundojë një marrëveshje. Një burim tjetër tha se kjo shumë është siguruar dhe bisedimet për shitjen po ecin me ritme pozitive. “Janë në bisedime aktive me disa kompani të mëdha teknologjike që kërkojnë të konkurrojnë në tregun e çipave,” tha burimi.
Lexo edhe: Gerion Treska prezanton Medapp: aplikacionin që organizon jetën shëndetësore me një klik!
Raundi i investimit të Serisë B, i cili pritej të hapej në dhjetor të vitit të kaluar, është shtyrë disa herë.Kendall tha se largimi i Passo-s kishte ndikuar negativisht në përpjekjet për të mbledhur investime. OpenAI ka filluar të intervistojë punonjës të Rain AI për të vlerësuar se cilët prej tyre do të përzgjidheshin nëse blerja do të realizohej. “Duket se themeluesit janë inxhinierë të mirë, por shitës të dobët,” tha një tjetër burim. “Ishin të rinj dhe jashtë rrethit të zakonshëm të Silicon Valley, pa diploma të forta akademike apo eksperiencë në industri — gjë që i ka lënë gjithmonë në disavantazh.”
Teknologjia e Rain AI është testuar me sukses, por kompania ka pasur vështirësi në komercializimin e saj. “Ish-CEO bëri disa punësime të shkëlqyera, por kompania nuk ishte një biznes i suksesshëm,” tha burimi. “Nuk mundën të siguronin klientë të vërtetë. Nuk kanë kontrata apo letra interesi.” Rain AI kishte punësuar vitin e kaluar Jean-Didier Allegrucci, një ish-veteran i Apple, që ndihmoi në zhvillimin e çipave të brendshëm të kompanisë për të zëvendësuar teknologjinë e Intel në iPhone dhe Mac. “Teknologjia jonë e re ‘compute-in-memory’ do të ndihmojë në shfrytëzimin e plotë të potencialit të modeleve të inteligjencës artificiale dhe do të na afrojë më shumë drejt realizimit të modeleve më të shpejta, më të lira dhe më të avancuara të AI-së kudo,” deklaroi Passo në atë kohë.
Kjo situatë në Rain AI ndodh në një moment të konkurrencës së ashpër në sektorin e inteligjencës artificiale, ku OpenAI përballet me rivalë si xAI e Elon Musk dhe Google. OpenAI së fundmi hoqi dorë nga planet për t’u kthyer në një subjekt fitimprurës, pas presionit të madh publik dhe ligjor nga prokurorët e Kalifornisë dhe Delaware. Kompania do të vazhdojë të qeveriset nga një entitet jofitimprurës. Altman është gjithashtu në një betejë ligjore me Musk, i cili e ka paditur për të bllokuar këtë kalim drejt një entiteti me qëllime fitimi, duke pretenduar se OpenAI ka braktisur misionin e saj fillestar për të zhvilluar AI të sigurt në dobi të njerëzimit. OpenAI, nga ana tjetër, argumenton se Musk po përpiqet vetëm të ngadalësojë përparimin e saj.
Në mars, Nvidia dhe xAI iu bashkuan një grupi që përfshin Microsoft, fondin MGX dhe BlackRock, për të investuar mbi 30 miliardë dollarë në infrastrukturën e AI-së në SHBA. Në dhjetor të vitit të kaluar, Nvidia u bashkua gjithashtu si investitor strategjik në raundin prej 6 miliardë dollarësh të financimit për xAI.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto