Raiffeisen Invest prezanton në tregun shqiptar fondin e investimeve të qëndrueshme ESG, “Raiffeisen Solid”.
Ky fond, i pari i llojit i licencuar në Shqipëri shënon një moment të rëndësishëm, pasi sjell edhe misionin e Raiffeisen Invest për të qenë pioniere në risi dhe për të integruar konceptin e qëndrueshmërisë në politikat e investimit në treg.
Fondi i Qëndrueshëm Raiffeisen Solid është fond furnizues, që u jep mundësi investitorëve të krijojnë një portofol miks aksionesh dhe obligacionesh, të cilat janë përzgjedhur duke marrë parasysh kriteret mjedisore, shoqërore dhe qeverisëse (ESG). Investimet në këtë fond i nënshtrohen një vlerësimi të hollësishëm financiar dhe të qëndrueshmërisë.
Rreth 85% e portofolit investohet në fondin kryesor ESG, nën administrimin e Raiffeisen Capital Management në Vjenë. Fondi Kryesor investon ekskluzivisht në tituj financiarë dhe/ose instrumente të tregut të parasë, emetuesit e të cilëve klasifikohen si të qëndrueshëm në bazë të kritereve shoqërore, ekologjike dhe etike.
CEO i Raiffeisen Bank z. Christian Canacaris tha se, “ky është një moment historik i rëndësishëm, jo vetëm për Raiffeisen Invest Shqipëri, por për të gjithë peizazhin financiar në treg. Duke qenë lider i padyshimtë i tregut të fondeve të investimeve në Shqipëri me 5 fonde të prezantuara dhe mbi 90% të tregut është sigurisht një krenari dhe frymëzim t’i drejtojmë klientët tashmë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme”.

Sipas Edlira Konini-t, Administratore e Përgjithshme e Raiffeisen Invest, “Fondi Raiffeisen Solid është një fond në euro dhe do të ofrohet në treg nëpërmjet rrjetit të degëve të Raiffeisen Bank. Fondi i ri, fton të gjithë ata individë apo kompani që duan të kontribuojnë nëpërmjet investimit të tyre në zhvillimin e qëndrueshëm, kanë një tolerancë mesatare ndaj riskut dhe janë të gatshëm të kenë një horizont investimi së paku 5 vjeçar, për të përfituar maksimalisht nga fondi”.
Në Evropë, investimet e qëndrueshme janë të njohura mes investitorëve. 98 për qind e investuesve të deritanishëm janë individë.
Fondet e investimeve në Shqipëri, edhe pse të pranishme, nuk janë gjerësisht të përhapura.
Raiffeisen Invest administron katër fonde Investimi, Raiffeisen Prestigj dhe Vizion, fonde investimi në Lekë: Raiffeisen Miks dhe Raiffeisen Euro, fonde investimi në Euro si dhe një fond pensioni privat.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto