Kryministri Rama është tërhequr përkohësisht nga aplikimi i tarifës në rrugën e Kombit. “Nuk do të fillojmë sistemin e pagesës pa u gjetur zgjidhja më e mirë për qytetarët në Rrugën e Kombit”, është shprehur Rama gjatë fjalës së tij në seancën plenare.
Vendimi erdhi pas protestave të nisura në rrugën Durrës-Kukës, e që vijuan më tej me praninë e dhjetëra protestuesve pranë Gjykatës së Tiranës (ku zhvillohej seanca gjyqësore për të arrestuarit në protestë). Kryeministri tha se nuk janë bërë konsultat e nevojshme me qytetarët ndaj vendosja e tarifës do të sqarohet fillimisht.
“Ajo që duhet përsëritur nga ana ime dhe e qeverisë është vetëdija për përgjegjësinë time dhe tonë për pamjaftueshmërinë e shpjegimeve dhe të sqarimeve lidhur me këtë çështje. Nuk kemi pasur intuitën e duhur për të kuptuar domosdoshmërinë e sqarimit të gjithë kësaj çështje, përpara se të vendosej sistemi i pagesës”, theksoi ai.
Rama theksoi gjithashtu se pagesa për mirëmbajtjen e rrugës, ka rëndësi, për të shmangur hendekun që mund të krijohet në të ardhmen. Ai kujtoi se shtetit i duhet të paguajë shifra të larta për rrugët, pasi vetëm pagesa e detyrimit principal (pa interesat e huasë) për rrugët në një vit arrin deri në 110 milionë dollarë, ku 37% të kësaj pagese e zë Rruga e Kombit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto