Qendra e inovacionit të qelqit në Tiranë: Ku tradita takon teknologjinë në zemër të kryeqytetit - Business Magazine Albania

Qendra e inovacionit të qelqit në Tiranë: Ku tradita takon teknologjinë në zemër të kryeqytetit

Joana Dhiamandi

Në një kohë kur teknologjia mbizotëron çdo aspekt të jetës sonë, një nismë e re në Tiranë po tregon se si artet tradicionale mund të transformohen në një model biznesi modern dhe të qëndrueshëm. Qelq – Tirana Glass Hub, e vendosur në katin e tretë të Piramidës së rinovuar, po sfidon konceptet e zakonshme mbi artizanatin dhe po krijon një hapësirë ku ndërthuren arti, inovacioni dhe qëndrueshmëria.

“Ne nuk po krijojmë thjesht objekte qelqi,” thotë Joana Dhiamandi, themeluese e Qelq-it. “Po ndërtojmë një ekosistem ku tradita, inovacioni dhe ndërgjegjësimi mjedisor bashkëjetojnë.” Me një karrierë të gjerë si arkitekte, artiste dhe pedagoge, Dhiamandi sjell një perspektivë unike që e dallon këtë projekt nga të tjerët në tregun modern të artizanatit.

Qendra hapi dyert për publikun më 2 shtator, si pjesë e Javëve Kulturore Hungareze. Në këtë ngjarje u ekspozuan skulptura qelqi nga artistja hungareze Yvette Botz, duke përqendruar vëmendjen te qëllimi kryesor i Qelq-it: promovimi i artit të punimit të qelqit dhe eksperiencave unike që ky material mund të krijojë për vizitorët.

 

qelq

 

Koncepti i Qelq-it është shumëdimensional. Në një anë, grupe të ndryshme vizitorësh marrin pjesë në kurse dhe eksperienca krijimi, duke mësuar bazat e artit të qelqit. Në një anë tjetër, bizneset dhe organizatat mund të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta për ekipet e tyre, ndërsa korporatat mund të porosisin dhurata të personalizuara. Një shembull i suksesshëm është linja “Heritage on Glass”, një projekt për Ministrinë e Kulturës, ku elementë të trashëgimisë kulturore janë integruar në dizajnin e dhuratave prej qelqi.

 

Joana

 

Tre koleksionet kryesore të Qelq-it – AltaBlue, Colorstrology dhe Vjosa – reflektojnë kombinimin e dizajnit elegant dhe qëndrueshmërisë. AltaBlu, frymëzuar nga deti Jon, përmban aksesorë të krijuar nga qelqi i ricikluar, duke sjellë një mesazh të fortë për rëndësinë e riciklimit. “Nuk po shesim vetëm aksesorë,” thotë Dhiamandi. “Ne po shesim një pjesë të historisë dhe një vizion për të ardhmen e qëndrueshme.”

Ndër projektet më ambicioze të Qelq-it është linja Vjosa, e krijuar në bashkëpunim me Komisionerin për të Drejtën e Informimit. Stafi i zyrës të Komisionerit u bë pjesë të një fushate për pastrimin e lumit Vjosa dhe grumbulluan shishe qelqi, të cilat më pas u shndërruan në dhurata unike për pjesëmarrësit e një konference ndërkombëtare ‘’Vjosa’’ në Qershor të 2024. “Projekti Vjosa tregon se si biznesi mund të jetë një forcë për ndryshim pozitiv,” shpjegon Dhiamandi, duke theksuar se përveç krijimit të produkteve të bukura, Qelq promovon ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

 

Qelq – Tirana’s Glass Hub po shfaqet si një model inovativ që tregon se si arti, biznesi dhe qëndrueshmëria mund të bashkëpunojnë për të krijuar një të ardhme më të ndritur. Ky projekt është një shembull i qartë i potencialit që Shqipëria ka për të sjellë ide të reja në skenën ndërkombëtare, duke nxitur zhvillimin e mëtejshëm të kryeqytetit dhe të vendit në përgjithësi.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0