Punët më të rrezikuara nga inteligjenca artificiale në Europë - Business Magazine Albania

Punët më të rrezikuara nga inteligjenca artificiale në Europë

Studimet e para nga SHBA tregojnë se punëtorët e rinj po goditen më fort nga inteligjenca artificiale (IA), veçanërisht në sektorët më të ekspozuar ndaj automatizimit si inxhinieria e softuerit, shërbimi ndaj klientit dhe marketingu. Një raport i Universitetit të Stanfordit paralajmëron se të rinjtë 22-25 vjeç po përjashtohen gjithnjë e më shumë nga këto profesione, duke u orientuar drejt punëve më pak të rrezikuara, si infermieria, puna industriale apo shitja me pakicë.

Raporti me titull “Canaries in the Coal Mine? Six Facts about the Recent Employment Effects of Artificial Intelligence” nënvizon se revolucioni i IA-së po ka një ndikim të madh dhe të pabarabartë tek punonjësit në nivelet fillestare të tregut amerikan të punës.

Europa, ende herët për të dhënë alarmin

Ekspertët e tregut europian të punës thonë se është ende shumë herët për të parë të njëjtin efekt në Europë. Sipas tyre, mungesa e punëtorëve në zanate profesionale  si ndërtimi apo prodhimi  ka nisur që një dekadë më parë dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me IA-në.

Megjithatë, tregu po pëson transformime. Adam Tsakalidis nga Qendra Europiane për Zhvillimin e Formimit Profesional (CEDEFOP) vëren se kërkesat për aftësi të lidhura me IA po shfaqen jo vetëm në role të parashikuara si inxhinieri apo zhvillues IA, por edhe në profesione të rrezikuara si shkrimtarët, autorët dhe përkthyesit.

Sipas tij, kompanitë nuk kërkojnë më thjesht punonjës me njohuri teknike, por ekspertë të ngushtë që ofrojnë diçka që makineritë nuk e arrijnë dot: shkathtësinë mendore dhe aftësinë për të kuptuar kontekstin shoqëror.

Aftësitë njerëzore në epokën e IA-së

“Shkathtësitë njohëse dhe aftësia për të kuptuar kontekstin shoqëror mbeten avantazhe njerëzore,” thotë Tsakalidis. Po ashtu, CEDEFOP parashikon se deri në vitin 2035 do të ketë një rritje të kërkesës për role digjitale, pavarësisht përparimit të IA-së.

Konstantinos Pouliakas, ekspert i tregut të punës, thekson se punëdhënësit kërkojnë një kombinim aftësish: përdorimin e mjeteve të IA, por edhe zgjidhje problemesh, punë në ekip dhe komunikim. Pyetja kryesore, sipas tij, është: si do të detyrohen punëtorët në nivele të ndryshme aftësie ta përdorin IA-në dhe të përshtaten me ndryshimet që ajo sjell?

Ulrich Zierahn-Weilage, profesor i ekonomisë në Universitetin e Utrecht-it, kujton se historikisht punonjësit me aftësi të larta janë përshtatur më shpejt me teknologjinë, duke rritur produktivitetin dhe të ardhurat e tyre. “Nuk ka kuptim të thuash ‘bëhu fermer’. Edhe aty nevojitet mendimi kritik i njeriut, ndërsa makineria bën punën e rëndë,” shton ai.

Sfida e aftësive dhe e trajnimit

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se disa profesione mund të zhduken plotësisht nga automatizimi, edhe pse është e vështirë të parashikohet cilat.

Një anketë e CEDEFOP-it në vitin 2024 zbuloi se 4 në 10 punonjës europianë ndjejnë nevojën për të zhvilluar aftësi të lidhura me IA, por vetëm 15% kanë ndjekur trajnim në këtë fushë.

Një studim ndërkombëtar i kompanisë gjermane Bosch zbuloi se përdorimi efektiv i mjeteve të IA është aftësia më e kërkuar nga punëtorët, e ndjekur nga mendimi kritik dhe analiza e sigurisë kibernetike.

Lexo edhe: Vjen në 2-3 tetor Future2Tech, panairi më i madh i inovacionit, teknologjisë dhe edukimit në vend!

Për të plotësuar boshllëkun, Anastasia Pouliou, eksperte në CEDEFOP, thotë se nevojiten kurse më fleksibël dhe të përshtatura për industri specifike. “Në shëndetësi, për shembull, mund të kesh kualifikime formale, por duhet të mësosh përdorimin e mjeteve të IA për automatizimin e punës,” shpjegon ajo.

BE-ja ka përfshirë në Aktin e ri për IA masa për të rritur njohuritë mbi IA në të gjithë fuqinë punëtore, por zbatimi do të kërkojë kohë dhe po ecën me ritme të ndryshme nga një shtet në tjetrin. Spanja dhe Polonia janë ndër shembujt që po ecin më shpejt, përmes agjencive kombëtare dhe partneriteteve me gjigantët e teknologjisë.

“Mos ndaloni së mësuari”

Për punëtorët e shqetësuar për të ardhmen, mesazhi është i qartë: të kuptosh IA-në është mbijetesa. “Mos ndaloni kurrë së mësuari,” thotë Pouliou. “Me IA duhet të jesh gjithnjë i informuar dhe i trajnuar.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0