Punë, disiplinë e këmbëngulje. Këshillat e sipërmarrësit Vasil Naçi për sukses   - Business Magazine Albania

Punë, disiplinë e këmbëngulje. Këshillat e sipërmarrësit Vasil Naçi për sukses  


Ky është viti i tretë i eventit të Vasil Naçit “Rruga Drejt Suksesit’’. Trajnimi Motivues zhvillohet këtë fundjavë 2-3 Nëntor në ExpoCity. Pas dhjetëra vitesh përvojë në biznes dhe ndjekjes së eventeve ndërkombëtare dhe emrave të njohur në zhvillim personal, z.Naçi e ka mbjellë tashmë farën e Motivimit edhe në Shqipëri. Businessmag ka zhvilluar një intervistë me të ku flasim jo vetëm për eventin, por gjithë rrugëtimin e tij drejt suksesit.

Kushtet ekonomike dhe të bërit biznes kanë ndryshuar shumë krahasuar me fillimin e aktivitetit ekonomik në Shqipëri. Si mund ta përshkruani gjithë këtë rrugëtim? Çfarë do të bënit ndryshe nëse kthehemi mbrapa në kohë dhe keni njohuritë e përvojën e sotme?

Padyshim që çdo gjë ka ndryshuar. Edhe ne, si shumë sipërmarrje të viteve ‘90, nisëm biznesin thjeshtë, pa ndonjë objektiv të madh, me pak njohuri dhe mjete, por me shumë dëshirë për të siguruar një jetë të mirë për familjen. Tashmë bizneset në Shqipëri janë më të konsoliduara, në njerëz, mendësi, projekte e kapitale. Kur kthej kokën pas, ajo që mendoj se me ka munguar më shumë dhe që do të bënte diferencën nëse do ta kisha më herët në rrugëtimin e biznesit, është njohuria mbi biznesin, mbi zhvillimin e një organizate. Ajo njohuri do të më bënte më të lehtë rrugëtimin, si mua, ashtu edhe Agna Group. Por asnjëherë nuk është vonë për të mësuar, për t’u rritur, për t’u përmirësuar. Mund të presësh më të mirën nga njerëzit, kur iu ofron më të mirën dhe e kam fjalën për mënyrën si i trajton, si i rrit, si kujdesesh për ta, si i afron pranë vizionit e kështu me radhë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 15të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 18 të saj.

U bënë vite tashmë në drejtimin e grupit “Agna”. Ecuria e kompanisë është një rritje e qëndrueshme. Cilat kanë qenë apo janë ende sfidat më të mëdha në biznes?

Agna Group u themelua në vitin 1991 dhe është rritur gradualisht ndër vite. Kemi ndeshur plot sfida. Biznesi ka sfida të vazhdueshme. Ato nuk mbarojnë kurrë. Sfidat do t’i shikoja në dy nivele: të brendshme dhe të jashtme.

Së brendshmi, është sfida jonë e vazhdueshme për të forcuar kulturën tonë të korporatës, sistemet, të cilat na ndihmojnë të punojmë më mirë dhe më zgjuar, si dhe të gjejmë staf të përgatitur që t’u paraprijë nevojave të kohës, jo thjesht t’u përgjigjet atyre. Kjo e fundit lidhet edhe me çfarë ofron tregu i punës.

Së jashtmi, sfidë mbetet fakti se Shqipëria është një vend i vogël në përmasa, por edhe me një ekonomi të brishtë, ndonëse ka patur rritje gjatë viteve të fundit. Në fakt, të dyja këto aspekte lidhen dhe ndikojnë sfidën tonë të madhe: arritjen e objektivit tonë vizionar, (të kemi një brand shqiptar të njohur në të gjithë botën) i cili është busulla që udhëheq të gjitha përpjekjet, veprimet, projektet që ne bëjmë.

Sfidat tona janë sfidat e një biznesi në rritje, që e di ku do të shkojë, por që çdo ditë duhet të punojë fort, në drejtimin e duhur, duke forcuar kulturën e korporatës, çka është e vetmja mënyrë organike për të patur një organizatë të fuqizuar, të motivuar dhe vizionare.

Cilat janë tri aftësitë kryesore që mendoni se kanë kontribuar më shumë në suksesin tuaj personal dhe në biznes?

Do të thoja puna e palodhur, disiplina për të bërë atë që duhet dhe këmbëngulja pa kufi. Por gjithashtu më ka ndihmuar mentaliti për të qenë i hapur dhe për të mësuar nga çdokush; dashuria dhe kujdesja e sinqertë për punonjësit dhe partnerët, të cilët i kam konsideruar gjithmonë si bashkëudhëtarë në rrugëtimin sfidues të biznesit; mirënjohja për këdo që më ka ndihmuar me shembullin e vet pozitiv apo negativ, me kritika apo këshilla.

Cilat janë këshillat që jepni më shpesh për njerëzit që duan të nisin një biznes?

Të besojnë tek vetja, të kenë ëndrra dhe të punojnë fort për t’i bërë realitet. Kur ke pasion, kur ke zjarr në zemër për ato që do të arrish, i gjen gjithmonë mjetet që të duhen për t’ia dalë mbanë; duket sikur gjërat ndodhin si me magji, por në fakt dëshira e fortë të ndihmon të kanalizosh energjinë dhe potencialin në drejtimin e duhur. Ju them të rinjve ta shikojnë veten jo thjesht si qytetarë të një vendi të vogël si Shqipëria, por si qytetarë të kësaj bote të madhe që ndryshon çdo ditë. Ju them ta duan jetën, të kujdesen për çdo aspekt të saj, të kultivojnë frymën e mirënjohjes dhe kontributit, pasi kur jep, gjithmonë të kthehet dhe kur je mirënjohës për çdo gjë që ke dhe për çdo njeri, arrin të krijosh lidhje të forta me ta, të cilat herët a vonë do të të kthehen në vlerë. Është bekim nëse realizon të kesh mençuri në mendje, dashuri në zemër dhe shëndet të mirë në trup. Kështu krijohen balance të forta që ndihmojnë të përballosh me sukses çdo sfidë.

Cili është libri i preferuar që keni lexuar së fundi? Pse ju ka pëlqyer ai?

Libri i fundit që kam lexuar është “Mendësia” nga Carol Dëeck, por unë do të doja të përmendja edhe 5 libra që kanë lënë gjurmë tek unë dhe mbeten ndër librat më të mirë në rritjen dhe zhvillimin personal. “7 zakonet e njerëzve të suksesshëm” të Steven Covey, “Si të sillemi me njerëzit” të Dale Carnegie, “Mendo dhe bëhu i pasur” të Napoleon Hill, “Zgjo gjigandin brenda vetes” të Tonny Robbins, dhe “Parimet e suksesit” nga Jack Canfield.

Tashmë, riktheheni me trajnimin masiv publik të radhës, “Rruga drejt Suksesit”. Çfarë përçoni kësaj radhe tek audienca? Cili është misioni juaj?

“Rruga Drejt Suksesit” është një event-trajnim që i dedikohet zhvillimit dhe rritjes në aspektin personal dhe profesional. Misioni im është të ndaj me njerëzit mesimet dhe eksperiencat e përfituara gjatë 27 viteve në biznes, njohuritë e përftuara përmes trajnimeve me ekspertë botërorë të biznesit dhe rritjes personale, pasi besoj se të gjithë duhet të kontribuojmë me çdo gjë të mirë që kemi, për të bërë më të mirë komunitetin ku jetojmë. “Rruga Drejt Suksesit” ndihmon në krijimin e një komuniteti, apo netëork-u me njerëz që besojnë tek rritja dhe zhvillimi, që e duan suksesin dhe punojnë fort për ta arritur atë. Kjo është një vlerë e bukur për shoqërinë, madje edhe për rajonin, pasi në këtë event marrin pjesë edhe njerëz nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia e Greqia.

“Rruga Drejt Suksesit” ka në fokus një formulë të thjeshtë dhe të provuar suksesi, e cila do të përcillet në një mënyrë argëtuese dhe angazhuese tek pjesëmarrësit në këtë event-trajnim. Përgjatë dy ditëve, pjesëmarrësit do të mund të reflektojnë mbi rritjen dhe zhvillimin e tyre, të marrin vendime për ato që duan të bëjnë menjëherë në jetën e tyre për të sjellë ndryshimin e dëshiruar, në një klimë inspiruese dhe plot energji pozitive.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 15 të numrit 18 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 18 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0