Pulja – Shqipëri: ndërveprimi kalon nga ekonomia e kultura - Business Magazine Albania

Pulja – Shqipëri: ndërveprimi kalon nga ekonomia e kultura

Gjergji Kajana

Duke synuar të projektojë rajonin jugor italian të Puljas si një rrugë lidhjeje ekonomiko-kulturore me brigjet e tjera mesdhetare, në 7-8 gusht në San Dana (lokalitet pjesë e komunës Gagliano del Capo në provincën e Leçes) u zhvillua edicioni i gjashtë radhaz i manifestimit vjetor “Salento –Shqipëri: një urë mes dy brigjeve”. Organizuar prej shoqatës kulturore “Ura Jo Mure” drejtuar nga Antonio Biasco, moderuar nga Geri Ballo (aktiviste italo-shqiptare aktualisht përgjegjëse komunikimi e Shoqatës Italiane të Kultivuesve) e gazetarja Ilaria Lia (autore e librit “Shqipëri – Itali vajtje ardhje”), eventi pati si qendër programatike temat e rivlerësimit të rrugëve romake Appia (ndëritaliane) e Egnatia (ndërballkanase), vëmendje të shtuar për të nxitur bashkëpunime akademike e binjakëzime mes institutesh shkollore puljeze e shqiptare dhe bashkëpunimit ekonomik puljezo-shqiptar me fokusim në sektorin e ujit.

Pas theksimit të ekzistencës së projektesh italo-shqiptare të bashkëpunimit akademik universitar dhe atyre përkrahur e financuar nga BE (si psh. Interreg IPA CBC Itali – Shqipëri –Mali i Zi), docentja e Universitetit të Salentos Valentina Ndou përmendi temën e ndjeshme hidrike, duke vënë në pah rëndësinë e ekonomisë rrethore (“circular economy”), e cila do të mundësonte ripërdorimin e këtij burimi të çmuar jetik. Territor bujqësor, Pulja vuan mungesa të theksuara uji. Qeveria italiane ka përgatitur 40 projekte për të përballuar krizën hidrike të rajonit, ndërsa enti Ujësjellësi Puljez ka nisur realizimin e një impianti teknologjik shkripëzimi që parashikohet të përmbushë nevojë për ujë të 385.000 rezidentëve. Qeveria rajonale po aktivizohet për të zbatuar një ide lindur 31 vjet më parë për të importuar ujë nga Shqipëria përmes një ujësjellësi që do të përshkojë Adriatikun. Ideja e ujësjellësit (dhe e një gazsjellësi, “de facto” pararendës i TAP) i përket në formë propozimi 30 qershorit 1992, kur u profilua nga 19 deputetë të Dhomës italiane të Deputetëve, mes të cilëve nënshkruesi kryesor ishte socialisti Damiano Potì. Një studim fizibliteti u krye nga grupimi i shqoqërive Uning. Projekt i financueshëm me fonde ndërkombëtare, të shtetit italian e të Rajonit Pulja, kjo infrastrukturë strategjike zotëron potencialin të realizohet brenda kësaj dekade dhe parashikohet të nisë nga Gjirokastra në Shqipërinë e Jugut për të mbërritur në një pikë grumbullimi në Galugnano (provinca e Leçes). Çuar para personalisht nga presidenti i Rajonit Pulja Michele Emiliano, kontaktet me Tiranën mbi zbatimin e idesë ndodhen në fazën e projektimit të studimeve të fizibilitetit, fakt konfirmuar në San Dana gjatë ndërhyrjes së Tina De Francesco, anëtare e këshillit që administron entin Ujësjëllësi Puljez. Siç pohuar në intervistën e 18 gushtit të kryeministrit shqiptar Edi Rama tek e përditshmja italiane “La Stampa”, ujësjellësi është diskutuar mes dy vendeve në nivelin e krerëve të qeverive. Sipas mediave italiane një projekt i tillë do të krijontë rreth 8.000 vende pune në Shqipëri.

Furnizimi me ujë ka një rëndësi jetike për Puljan dhe politikanët e sipërmarrësit lokalë duken më në fund të ndërgjegjshëm se koha për ta goditur problematikën është e kufizuar. Kriza në bujqësi ndikon në ekonomi; rëniet ekonomike shoqërohen lehtësisht me rëndesë të krizës demografike në një rajon që spikat ndër më të goditurit nga shpopullimi në Itali dhe nga numra të ulët të shkallës së punësimit: sipas të dhënash të Eurostat në 2021 ky tregues në Pulja ishte 46.7%, 20% më pak sesa mesatarja evropiane.

Lexo: Çfarë bën dhe duhet të bëjë një njeri gjatë 24-orëve

Njëri prej projekteve puljezo-shqiptare në zbatim është Aftësia Ripërtëritëse Anësore: modeli i ekonomisë rrethore për vlerësimin cilësor të vokacioneve territoriale (titulli origjinal në italisht: “Resilienza Marginale: il modello della circular economy per la valorizzazione delle vocazioni territoriali”), zbatuar nga Rajoni Pulja dhe financuar me një fond që tejkalon 1.1 milionë euro nga Agjencia Italiane për Bashkëpunimin në Zhvillim (AICS). Ky projekt shtrihet në 3 vjet dhe ka për qëllim promovimin e zhvillimit të qendrueshëm në territorin e Vlorës e Himarës, duke shfrytëzuar burime autoktone të tyre; synon mbi të gjitha të sjellë fuqizimin e një rrjeti ekonomik prodhues mes zonave rurale të brendshme e atyre bregdetare. Uebsajti zyrtar i Rajonit Pulja mbi këto nisma programatike njofton se po punohet për realizimin e qendrash të vogla për grumbullim e përpunim prodhimesh bujqësore dhe përpunim të atyre prej qumështit, vlerësim cilësor të markash tipike lokale që në një kohë të dytë do të jenë të tregtueshme përmes start up-esh rinore të aktivizuara përmes akordimit të mikrokredive.

Lidhjet mes Puljas e Shqipërisë kanë një histori dinamike, rivënë fuqishëm në lëvizje kur në 1991 rajoni priti dhjetëra mijëra shqiptarë në ikje nga vendi i tyre gjatë rënies së komunizmit. Sipas shifrash të mbledhura e botuara në 2022 nga qendrat studimore IDOS e Confronti dhe Instituti S. Pio V në lidhje me vitet 2020-2021, në këtë rajon jugor të Italisë ka 21.740 shqiptarë me banim të përhershëm, 5.467 studentë të regjistruar në vitin akademik 2020 – 2021 e 834 titullarë sipërmarrjesh individuale.

Ky artikull është botuar italisht në median italiane Lanterna Web.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0