Shumica e këshillave të biznesit të thonë të shmangësh armiqtë. Por e vërteta është ndryshe: nëse marka jote nuk ka një kundërshtar të qartë, diçka po bën gabim. Kjo nuk do të thotë të krijosh konflikt për hir të konfliktit. Por të kesh një armik sjell qartësi. Në një treg tepër të ngarkuar, kjo qartësi nuk është vetëm ndihmuese, por thelbësore për mbijetesë.
Kur markat përpiqen t’i pëlqejnë të gjithëve, përfundojnë duke mos i bërë përshtypje askujt. Publiku mendon: “është ok”. Dhe “ok” mban faturat, por nuk krijon liderë tregu. Shifrat e tregojnë: markat dalluese gjenerojnë 62% më shumë ROI sesa fushatat pa diferencim. Markat që guxojnë të marrin një pozicion të qartë thonë: “Ne jemi për këta njerëz”, në vizualë, ton komunikimi apo mesazhe. Në të kundërt, markat që ndjekin universalitetin përfundojnë të zbehta dhe të harrueshme. Kompanitë që fitojnë sot nuk janë ato që shmangin konfliktin, por ato që kanë guxim të zgjedhin një anë dhe ta mbrojnë deri në fund. Konkurrenca është taktike: pjesë tregu, çmime, karakteristika. Armiku i markës është filozofik: një mënyrë të menduari, një set vlerash apo një botëkuptim që ju e sfidoni.
Një “armik” i markës duhet të jetë:
-
Më i madh se një konkurrent: tejkalon kompani të veçanta.
-
Ideologjik: përfaqëson një qasje që ju e kundërshtoni.
-
Mobilizues: jep diçka që publiku juaj të bashkohet kundër.
-
Sqarues: detyron të përcaktosh se çfarë përfaqëson me të vërtetë.
Njerëzit natyrshëm zgjedhin “të tyret”. Zgjedhjet e markave bëhen pjesë e identitetit: nga kafeja që pimë, te telefoni që mbajmë. Markat që krijojnë qartë një psikologji ne kundrejt atyre fitojnë. Klientët ndihen “kjo markë më kupton” dhe krijojnë një besnikëri tribale që i bën ata të mbrojnë markën me çdo kusht.
Lexo edhe: Shkencëtarët rishikojnë si mund të qaset mjekësia ndaj plakjes
Shembuj:
-
Apple kundër zakonshmes
Apple e vendosi veten si kompania e krijuesve, duke quajtur konkurrentët “Orwellian” në reklamën e famshme të vitit 1984 dhe “të mërzitshëm” në spotet Mac vs. PC. Qëndrimi i saj ndaj “ordinary” mbetet konstant edhe sot. -
Southwest Airlines kundër kompleksitetit
Southwest e shpalli kompleksitetin e linjave ajrore si armikun e saj. Një biletë, një vend, një bagazh, pa tarifa shtesë e pa hierarki. Megjithatë, linja ka njoftuar se po braktis këtë filozofi në vitet 2025–26, duke rrezikuar besnikërinë e klientëve të saj.
Si të krijosh armikun e markës tënde
Hapi 1: Identifiko kundërshtimin natyral
Cilën qasje të industrisë sfidon kompania jote? Çfarë e irriton themeluesin dhe ekipin?
Hapi 2: Artikulo çfarë është në lojë
Pse ka rëndësi ky kundërshtim? Çfarë humbet publiku nëse fiton “armiku”?
Hapi 3: Mblidh rreth vetes bërthamën e klientëve
Komuniko në një mënyrë që i bën ata të ndihen të parë. Shembulli i markës Tillamook: cilësia mbi shkallën, duke pranuar që do humbte klientët e ndjeshëm ndaj çmimit.
Hapi 4: Prano kompromiset
Nuk do t’u pëlqesh të gjithëve, dhe kjo është pikërisht ideja. Oatly e sulmoi hapur industrinë e qumështit, duke fituar një ndjekje të fortë tek klientët veganë e fleksitarianë.
Diferencimi është mbijetesë. Publiku përballet me një mori zgjedhjesh dhe kërkon marka autentike, me qëllim dhe identitet të qartë. Të kesh një “armik” e bën këtë të mundur. Armiku yt nuk kërkon të të shkatërrojë. Ai të shpëton nga të qenit i parëndësishëm. Sepse pa diçka kundër së cilës të pozicionohesh, askush nuk ka arsye të qëndrojë me ty.
Mos harro: Ti nuk mund të fitosh pa armikun tënd. Ndërsa armiku gjithmonë fiton… pa ty.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.