Pse kjo kompani u kërkon punonjësve të fillojnë punën në orën 9:06? - Business Magazine Albania

Pse kjo kompani u kërkon punonjësve të fillojnë punën në orën 9:06?


Kompania Pivotal Software, e cila ndodhet në SHBA, ka marrë një qasje të pazakontë për promovimin e mirëqënies së punonjësve. Para së gjithash, punonjësit përfitojnë mëngjesin falas. Pas kësaj, ata përgatiten për të filluar punën në një orar të caktuar. Kompania këmbëngul që të gjithë punonjësit në 20 zyrat e saj të fillojnë punën saktësisht në 9:06 paradite. Ora e punës fillon me rënien e një gongu.

Rënia e gongut nuk do të thotë që të gjithë të shkojnë në tavolinat e tyre të punës; kjo do të thotë që ata të mblidhen në një takim me ekipin e tyre, i cili zgjat 10 minuta apo më shumë. Kjo është mbledhja e vetme për shumicën e punonjësve, pasi shumë mbledhje konsiderohen si shpërqëndrime të kota. Në vend të kësaj pritet që stafi të punojë në kompjuterat e tyre.

Sipas shefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Rob Mee, kjo praktikë është provuar të jetë çelësi për ta bërë ditën e punës dhe shfrytëzimin e kohës së punonjësit sa më efektive të jetë e mundur.

“Kam kuptuar që programuesit, nëse i lë në pajisjet e tyre, fillojnë të punojnë rreth orës 10:00. Dhe nëse ata nuk kanë ngrënë mëngjesin siç duhet, do të jenë të uritur rreth orës 11:00, kështu që do u duhet të pushojnë për të ngrënë dhe kjo e zgjat pasditen. Por nuk është efiçente. Kështu që menduam që të gjithë të hanë mëngjes fillimisht. Dhe kjo është arsyeja e këtij orari”, shpjegon Mee.

Të gjithë punonjësit hanë të lirë mëngjesin dhe e nisin punën në 09:06. Por pse pikërisht në këtë kohë? “Menduam që po ta linim në orën 09:00 fiks, programuesit do të ishin të frustruar për ditën, do mendonin do bëhem vonë”, thotë Mee.

Një tjetër kërkesë është që të gjithë punonjësit të largohen në kohë dhe askush nuk lejohet të punojë në mbrëmje. Kjo bëhet që punonjësit mos të lodhen dhe të sigurojnë produktivitet maksimal të nesërmen. Praktikat e punës duken të efektshme, duke gjykuar nga suksesi i biznesit.

 

burimi: digitaljournal.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0