Pse gratë në politikë janë më të prekura nga urrejtja online - Business Magazine Albania

Pse gratë në politikë janë më të prekura nga urrejtja online

Në Europë, politikanet nuk kanë pse të jenë figura shumë të njohura për t’u bërë objekt i urrejtjes në internet. Por çfarë fshihet pas kësaj armiqësie?

Giulia Fossati hyri në politikën italiane rreth vitit 2021, duke përdorur rregullisht rrjetet sociale për të ndarë qëndrimet e saj mbi çështje si migrimi, racizmi dhe feminizmi. Por prania e saj online pati një kosto. “Ka shumë dhunë në rrjetet sociale,” thotë Fossati, anëtare e qendrës së majtë Partito Democratico, e cila përfaqëson gratë anëtare të partisë në Pavia, pranë Milanos.
“Marr shumë komente, sidomos kur flas për tema feministe,” i tha ajo Euronews Next, duke përmendur komente si: “shko në kuzhinë” ose “idiote, hesht.”

Edhe pse Fossati ende nuk është një emër i njohur në politikën italiane, ajo tashmë po përballet me ngacmime online, me fyerje që shpesh përziejnë kritika ndaj gjinisë dhe moshës së saj.

“Më quajnë ‘vajzë e re’ në një mënyrë që më bën të dukem më pak e besueshme, më pak e mbrojtur se një e rritur,” tha ajo.

Eksperienca e Fossatit nuk është përjashtim. Gratë në politikë janë më të prira se burrat të përballen me sulme të bazuara në identitetin e tyre në rrjetet sociale, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore Politics and Gender.

Studiuesit analizuan më shumë se 23 milionë postime në platformën sociale X (dikur e njohur si Twitter), drejtuar politikanëve në Gjermani, Spanjë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, platforma ende kishte mekanizma aktivë për moderimin e përmbajtjes.

Ndërsa si burrat, ashtu edhe gratë, përballen me një numër të ngjashëm sulmesh online, politikanët meshkuj zakonisht sulmohen me fyerje të përgjithshme, ndërsa politikanet femra janë më shpesh objekt sulmesh që lidhen me pamjen, gjininë, etninë apo moralin personal, zbuloi studimi.

Fama s’ka rëndësi kur je grua në politikë
Në Europë, sa i njohur je nuk ka shumë rëndësi: politikanet femra marrin komente fyese pavarësisht famës së tyre, dhe janë më të ekspozuara ndaj sulmeve sesa kolegët e tyre meshkuj.

Studimi e përkufizonte një postim si “jo qytetar” nëse përmbante: gjuhë urrejtjeje, stereotipe gjinore, gjuhë përjashtuese (si “gratë duhet të rrinë në shtëpi, jo të merren me politikë”), kërcënime ndaj të drejtave individuale, fyerje personale, epitete si “gënjeshtare” apo “tradhtare”, si dhe përmbajtje vulgare, sarkastike, me shkronja kapitale apo përçmuese.

Sipas studiuesve, këto sulme mund të bëjnë që gratë të zvogëlojnë praninë e tyre online ose të heqin dorë nga kandidimi për poste politike.

Lexo edhe: Rreth 26 kompani teknologjike nënshkruajnë Kodin e BE-së për Inteligjencën Artificiale

Rrënjët e urrejtjes ndaj grave online
Studimi ka disa kufizime. Andrea Pető, profesore në Departamentin e Studimeve Gjinore në Central European University në Vjenë, kritikoi përdorimin e inteligjencës artificiale për analizën e përmbajtjes, duke theksuar se modelet e AI janë të paafta për të kapur nuancat më të holla të agresionit verbal.

“Inteligjenca artificiale nuk i kupton nuancat,” i tha ajo Euronews Next.

Po ashtu, ajo vuri në dukje se kategorizimi i disa komenteve si “jo qytetare” mund të humbasë kontekstin, për shembull, që shumë votues demokratikë mund të mbajnë pikërisht ato qëndrime që cilësohen si të papranueshme.

Megjithatë, për ekspertët e politikës dhe gjinisë, përfundimet nuk janë befasuese. Ngacmimi online ndaj grave ka qenë prej kohësh në fokusin e kërkimeve, debateve dhe reformave ligjore.

Historikisht, pushteti, politika dhe debati publik nuk janë lidhur me rolet apo traditat femërore. Kujtojmë se në disa vende europiane, si Greqia, e drejta për të votuar për gratë u vendos vetëm në vitin 1952.

Kjo trashëgimi e pabarazisë gjinore është ende e pranishme sot. Kur gratë hyjnë në hapësira publike, përfshirë rrjetet sociale, ato shpesh përballen me armiqësi vetëm për faktin se janë gra, thotë Pető.

“Gratë priten të qëndrojnë në sferën private dhe ato që e sfidojnë këtë ndarje, qofshin magjistare, Marie Curie, politikane lokale apo deputete përballen me një lloj ndëshkimi nga sfera publike, e dominuar nga burrat,” shpjegon ajo.

Teknologjia si pasqyrë e shoqërisë
Por a është kjo armiqësi pasojë e qëndrimeve shoqërore, teknologjisë që i përforcon ato, apo e të dyjave?

“Teknologjia shpesh funksionon si një pasqyrë,” thotë Sandra Wachter, profesore në fushën e teknologjisë dhe rregullimit në Universitetin e Oksfordit dhe Institutin Hasso Plattner në Potsdam, Gjermani.

“Ata që përjetojnë shtypje dhe diskriminim në shoqëri, do ta përballen edhe më shumë në një sistem teknologjik të pakufizuar. Prandaj ligji është thelbësor.”

Sipas saj, sulmet ndaj grave online nuk kanë vetëm shkaqe sociale apo historike, ato janë të ndikuara edhe nga interesat ekonomike të kompanive të mëdha teknologjike.

“Modeli i tyre i biznesit është i ndërtuar për t’i mbajtur përdoruesit sa më gjatë online, për të shitur reklama. Dhe çfarë e mban njerëzit të përfshirë? Gjërat që zemërojnë, që skandalizojnë,” shpjegon ajo.

Kjo është arsyeja pse lajmet e rreme me tone senzacionale përhapen më shpejt se informacionet e sakta.

Sërish, shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për këtë problem. Viktimat shpesh fajësohen, ndërsa autorët dhe madje edhe autoritetet nuk arrijnë të kuptojnë sa të rënda mund të jenë pasojat, për shkak se gjithçka ndodh në një ambient virtual.

A ka zgjidhje?
Disa platforma, si TikTok, përdorin AI për moderimin e përmbajtjes, ndërsa të tjera, si Facebook dhe Instagram, kanë reduktuar ndjeshëm kontrollet.

Por AI nuk i kap dot të gjitha, paralajmëron Sara de Vuyst, profesore e kulturës vizuale bashkëkohore në Universitetin e Maastrichtit në Holandë.

“Kur komentet janë më sarkastike ose të nënkuptuara, inteligjenca artificiale nuk i dallon dot,” i tha ajo Euronews Next.

Sidoqoftë, si de Vuyst ashtu edhe Wachter pajtohen se rregulloret si Akti për Shërbimet Digjitale i BE-së (DSA) janë një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur.

I hyrë në fuqi në shkurt 2024, DSA synon të mbrojë të drejtat e përdoruesve online, duke lehtësuar raportimin e përmbajtjeve problematike dhe duke detyruar platformat e mëdha të zbatojnë protokolle për reduktimin e rreziqeve.

Por të dyja theksojnë se llogaritshmëria e kompanive teknologjike mbetet ende e ulët.

“Janë hapa shumë të mirë,” thotë Wachter. “Por askush ende nuk ka ngritur pyetjen: po modeli i tyre i biznesit?”

Një reagim personal ndaj urrejtjes
Në Itali, Fossati ka zgjedhur të veprojë vetë. Në fillim, përpiqej të dialogonte me komentuesit e saj, duke kërkuar të kuptonte perspektivën e tyre. Por më vonë e kuptoi se shumë prej tyre nuk ishin të interesuar për debat të sinqertë. “Nëse dikush më fyen, përgjigjja ime është gjithmonë ironike,” thotë ajo. Kur një koment është veçanërisht fyese, ajo i kujton përdoruesit se mund të ndërmarrë veprime ligjore, edhe pse nuk e ka bërë kurrë, sepse procesi do të ishte i kushtueshëm dhe i lodhshëm. Pavarësisht sulmeve, Fossati ruan motivimin e saj dhe përpiqet të fokusohet tek aspektet pozitive. “Ka shpesh komente negative sepse nuk shkruajmë për njerëzit e mirë,” thotë ajo. Urrejtësit online “nuk përfaqësojnë të gjithë realitetin.”

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0