Pse e japim pa menduar numrin e kartës së identitetit, por kompleksohemi të themi sa para kemi për të shlyer? - Business Magazine Albania

Pse e japim pa menduar numrin e kartës së identitetit, por kompleksohemi të themi sa para kemi për të shlyer?

Ka një kontrast të çuditshëm në përditshmërinë tonë: numrin e kartës së identitetit e japim pa u menduar gjatë në formularë online, në sportele shtetërore apo edhe në WhatsApp. Por kur na pyesin për situatën financiare sa kemi për të shlyer, çfarë kredie kemi, rrallë jemi të hapur. Hezitojmë, shmangemi, ndërrojmë temë.

Ky nuk është thjesht një detaj psikologjik. Është tregues i mungesës së ndërgjegjësimit mbi rrezikun real të shpërndarjes së të dhënave personale në një botë që po bëhet gjithnjë e më digjitale  dhe më e rrezikshme për t’u mbrojtur.

Kur të dhënat personale bëhen “monedhë” mashtrimi

Vjedhja e identitetit është kthyer në një nga format më të sofistikuara dhe më të përhapura të mashtrimit sot. Numri i kartës së identitetit është shumë më tepër se një kombinim shifrash është porta hyrëse drejt profilit tënd ligjor, financiar dhe digjital.

Gjatë vitit 2024, janë raportuar mbi 1,200 raste të krimit kibernetik në Shqipëri. Dëmi? Mbi 6 milionë euro nga mashtrime që shpesh nisin me një e-mail apo një SMS që kërkon të dhëna personale. Jo gjithmonë nga individë të izoluar: gjithnjë e më shpesh, këto vepra kryhen nga grupe të strukturuara kriminale.

Mbrojtja digjitale si e drejtë dhe domosdoshmëri

Në këtë kontekst, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri për identifikimin elektronik dhe portofolin digjital të identitetit. Ky nuk është thjesht një hap teknik është një përpjekje për të vendosur një bazë të re sigurie për qytetarët.

Projektligji synon të ofrojë:

Autentifikim të shumëfishtë për shërbime publike e private
Portofol digjital për menaxhimin e të dhënave personale
Nënshkrim elektronik të mbrojtur ligjërisht
Standardizim të mënyrës si institucionet kërkojnë dhe përdorin të dhënat tona

Qëllimi është i qartë: më shumë kontroll nga qytetari, më pak hapësirë për mashtruesit.

Europa, një hap përpara, por e arritshme

Vendet si Estonia, Gjermania apo Franca e kanë ndërtuar këtë infrastrukturë prej vitesh. Në Estoni, për shembull, identiteti digjital përdoret për gjithçka, por çdo akses kërkon pëlqimin e qytetarit. Në Gjermani, çdo shkelje e privatësisë trajtohet si krim shtetëror. Rregullat janë të forta dhe zbatohen.

Vetëdija është mburoja më e fortë

Propozimi i AKSK vjen në një moment vendimtar. Përdorimi i shërbimeve digjitale po rritet, por ndërgjegjësimi është ende në fillim. Më shumë se teknologji, ne kemi nevojë për kulturë sigurie  që nis nga mënyra si i trajtojmë të dhënat tona, dhe si kuptojmë vlerën e tyre.

Nëse dje e jepnim pa hezitim numrin e ID-së për një formular të dyshimtë, nesër mund të kemi kontroll të plotë mbi të. Por vetëm nëse ndërgjegjësohemi sot  dhe nëse ligjet e reja zbatohen me seriozitet.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0