Profili financiar i Gen Z dhe trendi i pagesave me kartat financiare - Business Magazine Albania

Profili financiar i Gen Z dhe trendi i pagesave me kartat financiare

Shkruar nga Gentiana Duka, Kontributore, Eksperte e Produkteve të Shërbimit Bankar

Gen Z, si një gjeneratë e lindur gjatë  zhvillimeve dixhitale, gjithnjë e më shumë po shfaq një profil financiar dhe sjellje të veçantë ndaj pagesave krahasuar me gjeneratat e mëparshme. Për këtë arsye, është interesant studimi i profilit financiar të Gen Z si një segment i ri klienti në sistemin financiar, si edhe studimi i trendit të pagesave me kartë, apo produktet financiare që kjo kategori klientësh preferon.

Në profilin Financiar të Gen Z, të cilët duan të lëvizin shpejt në çdo drejtim dhe në të njëjtën kohë të përmbushin detyrimet e tyre nëpërmjet pagesave dhe blerjeve në mënyra sa më të lehta dhe dixhitale, ndikojnë disa faktorë kryesorë:

Edukimi Financiar – Gen Z kanë një informacion më të qartë për aspektet financiare. Ata, jo vetëm janë të vetëdijshëm në lidhje me rëndësinë e edukimit financiar, por janë edhe më të prirur drejt orientimeve të reja mbi menaxhimin e financave. Kategoria e klientëve Gen Z përshtaten më shpejt me zhvillimet dixhitale, por ata kërkojnë shpesh informacion të detajuar dhe më të kuptueshëm për burimin e menaxhimit të të ardhurave, investimeve apo transaksioneve financiare.

Teknologjia dhe Pagesat Dixhitale – Gen Z janë rritur dhe zhvilluar hap pas hapi, së bashku me teknologjinë dhe rrjedhimisht janë të apasionuar pas përdorimit të aplikacioneve financiare. Në këtë mënyrë, blerjet me kartë, përdorimi i kartave pa Pin (Contactless Payment) dhe blerjet online janë bërë mënyra kryesore dhe më e preferuar e kryerjes së pagesave.

Komoditeti dhe koha e kryerjes së pagesave – Pagesat në kohë reale mbeten një nga preferencat kryesore të kësaj gjenerate. Ata preferojnë zgjidhje që lejojnë pagesa të shpejta dhe të thjeshta, pa pasur nevojën e domosdoshme të përdorimit të Cash-it. Gen Z nuk i preferojnë ATM-të dhe i vizitojnë ato shumë rrallë, vetëm kur kanë emergjenca, si rrjedhim Online Banking mbetet një nga opsionet më të përdorshme, duke qenë se menaxhimi i llogarive personale dhe kryerja e transaksioneve financiare kryhet në kohë reale. Pagesat me kartë dhe Online mbeten mënyra më e preferuar për ta.

Preferenca për Kartat e Debitit – Bazuar në preferencat dhe aplikimet për kartë nga Gen Z, vihet re që Kartat e Debitit, janë ato që preferohen me shumë nga ky profil i ri klientësh. Kjo për faktin se kjo gjeneratë është më e prirur drejt ruajtjes së parave dhe investimeve në krahasim me gjeneratat e mëparshme kur drejtimi kryesor ishte drejt kredisë dhe borxhit.

Prioritetet e Shpenzimeve – Prioritetet kryesore të Gen Z bazuar edhe në profilin e tyre, janë shpenzime të lidhura me teknologjinë, udhëtimet, apo shpenzime të tjera afatshkurtra. Ata nuk preferojnë angazhimet për shpenzime për prona, shtëpi, makina, apo shpenzime të tjera afatgjata. Duke konsideruar këtë fakt, kjo gjeneratë është më e orientuar drejt  instrumenteve financiarë si kartat e debitit/ kartat e kredit apo kreditë e shpejta, të cilat ofrojnë mundësinë e aksesimit të produkteve në kohë reale dhe me procedura të thjeshta dhe proces më të shpejtë.

Preferenca për përfitime Ekstra – Institucionet financiare prezantojnë në periudha të caktuara fushata promocionale, duke ofruar çmime preferenciale apo shpërblime Cash, bazuar në aktivitetin e blerjeve të kryera me kartë. Gen-Z tërhiqen nga përfitimet e prekshme në vlerë monetare dhe janë të vëmendshëm ndaj tyre, duke i përdorur kartat për blerje në mënyrën më të zgjuar.

Siguria dhe Monitorimi i Transaksioneve – Gen Z janë të informuar dhe shumë të orientuar drejt sigurisë financiare. Procesi i përdorimi të kartave ofron masa sigurie në transaksionet e kryera. Kartat përmbajnë elementë  sigurie dhe procesi i blerjeve u nënshtrohet verifikimeve automatike me klientët, si autentifikimi i thelluar, ofrimi i verifikimit të transaksioneve të parregullta apo edhe ndjekja e transaksioneve të pasuksesshme. Në të njëjtën kohë, në sistemin financiar, nëpërmjet platformave Online Banking ofrohet monitorimi në kohë reale i transaksioneve të kryera me kartë dhe verifikimi i detajeve të transaksioneve sipas kartës, vlerës, vendit dhe kohës ku është përdorur karta.

Por, cila është mënyra që institucionet financiare duhet t’i drejtohen Gjeneratës Z, klientit më të ri në sistemin financiar? Si mund të krijojnë bankat produkte dhe shërbime sa më tërheqëse, bazuar në profilin e këtyre klientëve dhe aktivitetin e tyre financiar?

Institucionet Financiare, në strategjitë e komunikimit me klientët Gen Z, duhet të marrin në konsideratë që ky profil klientësh, edhe pse në fillimet e veta profesionale, kanë shqetësime serioze për të ardhmen e tyre financiare. Në studimin e Deloitte të këtij viti, pothuajse gjysma e të anketuarve që i përkisnin profilit të gjeneratës Z, cituan të ardhmen e tyre afatgjatë si shkakun kryesor të stresit dhe rreth 26% e tyre u mungon besimi se do të jenë në gjendje të dalin në pension të qetë.

Sipas po të njëjtit studim, 3 në 10 individë që i përkasin Gjeneratës Z shprehen se nuk ndihen financiarisht të sigurt dhe 6 në 10 individë arrijnë të përmbushin nevojat e tyre rrogë pas rroge. Kosto e jetesës mbetet shqetësimi parësor i tyre në listën e shqetësimeve të tyre siç janë; rreziku nga ndryshimet klimatike, papunësia, shëndeti mendor dhe krimi/siguria personale.

Bazuar në këtë fakt, nëse institucionet financiare mendojnë se klientët e sotëm janë po ata klientë të gjeneratave të mëparshme dhe mund t’u ofrohen të njëjtat produkte dhe shërbime si disa vite më parë, është e nevojshme që të ndryshojnë strategjitë e tyre duke përfshirë dhe marrë në konsideratë:

Krijimi i një Prezence të Fortë Dixhitale në shërbimet bankare – Profili i klientëve Gen Z e kanë përdorimin e kanaleve dixhitale zgjedhjen e tyre parësore për shërbimet financiare. Ata duan dhe kërkojnë shërbime dixhitale, por shmangin shërbimet tradicionale dhe faktin që duhet të shkojnë në një vendndodhje fizike për t’i aksesuar ato. Përpara se të përzgjedhin një shërbim, Gen Z kërkon informacion dhe kontrollon mediat sociale për komentet apo përshtypjet e klientëve në lidhje me atë produkt apo shërbim. Kjo do të thotë që institucionet financiare duhet të ndërtojnë një strategji komunikimi e cila përfshin një prani të fortë dixhitale në platformat e komunikimit dhe aksesimit të informacionit.

Përmes aplikacioneve bankat duhet ti ofrojnë mundësi klientëve të përzgjedhin dhe të marrin shërbim për produktet e dëshiruara, por në të njëjtën kohë, duhet të ndjekin një strategji të qartë me një prani të fortë në mediat sociale. Institucionet financiare duhet të angazhohen në menaxhimin e reputacionit, në menaxhimin e eksperiencave të klientëve me produktet dhe shërbimet e ofruara. Gen Z edhe pse eviton përballjen në sportelet e bankave, besojnë tek ndërveprimi me kanalet e komunikimit për marrjen e informacionit nëpërmjet shërbimit 24/7 dhe komunikimit me Qendrat e Kontaktit.

Lexo: “Çdo gjë është përkohshme”: Dëmtimi nga uji në Taj Mahal ngre shqetësime për shkatërrimin e saj

Fokusi tek Eksperienca dhe Vlerat –  Ndërsa ka shumë mënyra që klientët të krijojnë besim tek banka në të cilën marrin shërbimet financiare, fokusimi tek eksperienca e klientit dhe zgjidhja e kërkesave të tyre, është një nga mënyrat që krijon besimin e klientit ndaj bankës. Gen Z e kanë të vështirë të besojnë tek bankat, dhe kjo i bën ata të krijojnë eksperiencat e veta në komunikimet me institucionet financiare. Bazuar në eksperiencën e tyre personale me produktet dhe shërbimet bankare Gen Z fillojnë të ndërtojnë një marrëdhënie financiare, dhe bashkë me të edhe besimin tek sistemi financiar, duke i konsideruar produktet dhe shërbimet si të përshtatshme për të plotësuar nevojat e tyre.

Transparenca dhe Ndërtimi i Besimit – Kjo gjeneratë është rritur gjatë periudhave të trazuara financiarisht dhe ku zhvillimet ekonomike nuk kanë qenë të qëndrueshme. Kjo gjeneratë ka parë kompani të bëjnë premtime që nuk i mbajnë, dhe prindërit e tyre kanë qenë pjesë e situatave të vështira financiare duke grumbulluar shuma të mëdha borxhi.  Një pjesë e gjeneratës Z janë të vetëdijshëm për produktet kreditore, dhe nuk janë të gatshëm tu besojnë korporatave, pa krijuar eksperiencat e tyre personale.

Paketa dhe produkte të dedikuara  – Duke marrë parasysh faktorët që ndikojnë në perceptimet e Gen Z mbi  pasigurinë financiare, bankat duhet të kenë në fokus, motivimin e Gen Z për të kursyer para dhe edukimin e tyre nëpërmjet paketave të dedikuara. Këto produkte duhet të jenë të orientuara drejt kushteve dhe tarifave preferenciale, të cilat bashkë me një proces të thjeshtë dhe të shpejtë, bëhen lehtësisht të përdorshme për të përmbushur nevojat e Gen Z. Institucionet Financiare kontribuojnë në këtë mënyrë në rritjen e interesit nga kjo gjeneratë për produktet financiare, dhe edukimin e tyre për përdorimin e produkteve dhe instrumentave të pagesave si zgjedhje parësore.

Krijimi i programeve të edukimit financiar, duke i ofruar kësaj kategorie klientësh një informacion të thjeshtë dhe të detajuar mbi funksionimin e produkteve apo instrumentave të pagesave, ndikon në mënyrë direkte në sjelljen financiare të tyre. Ndërgjegjësimi i tyre në mënyrë të thjeshtë dhe më të sofistikuar për menaxhimin financiar, është një pikë e fortë për të cilën ata kërkojnë vazhdimisht informacion Online. Nëse Gen Z nuk arrijnë të gjejnë online dhe në kohë reale informacionin e kërkuar, e kanë të vështirë paraqitjen në sportel dhe komunikimin me përfaqësuesit e bankave në lidhje me informacionet për financat e tyre.

Bankat duhet te konsiderojnë që produktet, të cilat ofrojnë komoditet dhe shpejtësi, si pagesat pa kontakt, mobile wallet, smartwatch dhe Online Banking, janë produkte inovatore të cilat kanë edhe përdorimin më të lartë nga Gen Z. Sipas një studimi në vitin 2023 nga Mastercard, rreth 80% e Gen Z, preferojnë pagesat Contactless kundrejt pagesave standarde me kartë. Këto metoda tap-to-pay janë të shpejta, të sigurta dhe shpesh të integruara nga bankat edhe në Google Wallet.

Në vitet e ardhshme bankat, kompanitë që zhvillojnë platforma dixhitale dhe tregtarët, duhet të jenë të përgatitur për të mbajtur ritmin e evolucionit të shpejtë të mënyrave dixhitale të pagesave, të udhëhequra nga preferencat dhe trendet e pagesave nga Gen Z. Investimi në infrastruktura dixhitale, ofrimi i opsioneve fleksibël për pagesat, rritja e sigurisë dhe zhvillimi i mënyrave të reja të pagesave dixhitale dhe në kohë reale, do të jenë çelësi për të qenë konkurrues. Aftësia e bankave për të ofruar produkte inovatore dhe trende pagesash sa më të thjeshta dhe të sigurta do të jetë sfida për të plotësuar nevojat e klientëve dhe në mënyrë specifike të Gjeneratës Z.

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0