Brezi Z përballet me frikën e recesionit, Millennials tregojnë si të mbijetosh - Business Magazine Albania

Brezi Z përballet me frikën e recesionit, Millennials tregojnë si të mbijetosh

Millennials kanë kaluar shumë sfida. Shumë prej tyre ishin të rinj kur nisi Recesioni i Madh, dhe edhe sot e kësaj dite luftojnë për të blerë një shtëpi apo për të shlyer borxhet studentore. Tani, këta Millennials me përvoja nga ‘më të nxhetat’, po ndajnë mençurinë e tyre me brezin Z në TikTok, duke postuar lista këshillash dhe ndalimesh për blerjet, me qëllim që të lehtësojnë ankthin e të rinjve që mund të përjetojnë recesionin e tyre të parë si të rritur.Politikat e paparashikueshme të Presidentit Donald Trump kanë shtuar shqetësimet për pasojat e rënda ndaj ekonomisë amerikane, nga kreu i Fed-it Jerome Powell, deri te analistët e Goldman Sachs. Banka JPMorgan paralajmëroi këtë muaj se përshkallëzimi i luftës tregtare nga administrata Trump mund të çojë në një recesion për SHBA-në dhe mbarë botën brenda këtij viti. Kjo ndodh në një kohë sfiduese për të rinjtë, të cilët, përveçse fitojnë më pak dhe mbajnë më shumë borxhe, janë ende të goditur nga pandemia e Covid-19 dhe inflacioni në rritje.

Edhe pse zyrtarisht SHBA-të nuk janë ende në recesion, të rinjtë që sapo kanë hyrë në fuqinë punëtore ndihen të shqetësuar  dhe po kërkojnë këshilla nga më të mëdhenjtë.

Kur shfletonte TikTok-un, Sasha Whitney, 37 vjeç, vuri re se përdoruesit e brezit Z shprehnin të njëjtat ndjenja mbi recesionin që mund të kategorizohen si: “të dëshpëruar, të frustruar dhe shumë pesimistë për të ardhmen.”

Whitney kujton se kur u diplomua në 2009, në kulmin e Recesionit të Madh, mungesa e rrjeteve sociale të fuqishme dhe fushata optimiste e Barack Obamës krijonin një atmosferë më ndryshe.
“Ne ishim të varfër, po përpiqeshim,” tha ajo. “Nuk ndjenim nevojën të mburreshim me një stil jete në rrjete sociale.”

Disa Millennials madje bëjnë shaka sot mbi ndjenjën e bashkësisë që kishin në atë kohë, duke përmendur nostalgjikisht pijet e lira, veshjet ‘business casual’ dhe hitet pop që jepnin shpresë.
“Si mbijetuan? E thjeshtë: deheshim,” shkruante me humor një përdorues i TikTok-ut.

Lexo edhe: 2025:Çfarë po vjen në teknologji? Mateo Gosnishti i AlphaTechs zbulon të ardhmen që na pret!

Por përtej shakave, realiteti ishte i ashpër. Whitney tregon se pasi u diplomua, jetoi përkohësisht me prindërit, më pas u zhvendos në një apartament, duke paguar qiranë, këstet e kredisë studentore, dhe duke lënë vetëm 20 dollarë në javë për ushqime. Ajo punoi në shitje me pakicë dhe mësimet mbi financat i mori me përvojë të drejtpërdrejtë.
“Bli konsevra, perime të ngrira dhe bukë – ky ishte realiteti im,” tha ajo.

Në TikTok, ajo ndan këshilla për recesionin: pranoni çdo punë që mund të gjeni, jetoni nën mundësitë tuaja, dhe hiqni aplikacionet që nxisin blerjet impulsive si Klarna apo AfterPay.
Të tjerë Millennials japin këshilla si: krijimi i një fondi emergjence dhe mbajtja gati e një CV-je të përditësuar.

“Nëse mund të ndihmoj dikë, sidomos më të rinjtë, do ta bëj,” tha Whitney.

Jetoni nën mundësitë tuaja

Shumë përdorues të TikTok-ut po betohen se do të kufizojnë shpenzimet. Për Imani Smith, 29 vjeç, që jeton në Dallas, kjo nënkupton ndarjen e fjalëkalimeve për abonime me miqtë dhe reduktimin e darkave jashtë. Ajo shmang shpenzimet e panevojshme për mirëmbajtje bukurie duke blerë thonj artificial nga Amazon në vend që të shkojë në sallon. Sallonet e flokëve raportojnë një rritje të kërkesave për ngjyra si “recession blonde” , stile më të thjeshta dhe më ekonomike.

Edhe pse ekziston “indeksi i buzëkuqit” ,  teoria që blerjet e vogla si buzëkuqet rriten gjatë krizave , shumë përdorues të rrjeteve sociale kanë vendosur të heqin dorë edhe nga kënaqësitë e vogla si balsamet e shtrenjta apo qirinjtë aromatikë.

“Unë dua të kursej tani, para se të më duhet ta bëj nga nevoja,” tha Smith për CNN, duke shtuar se TikTok-un e përdor si motor kërkimi për këshilla praktike.
Në një video ajo pyeti ndjekësit që ishin të rritur në vitin 2008 nëse plani i saj i recesionit ishte i mjaftueshëm.

Lexo edhe: Nga Boomers te Gen Z, si ndryshojnë prioritetet financiare sipas brezave

Më shumë ankth dhe pasiguri për brezin Z

Megjithatë, edhe pse këshillat e Millennials inkurajojnë për të qenë të lirë dhe optimistë,siç predikonte muzika e viteve 2000, ankthi vazhdon.
Smith thekson se, ndryshe nga 2008, kostoja e jetesës sot është shumë më e lartë, dhe punët me pagesë të ulët nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet.

Për shumë të rinj, trauma financiare nisi me pandeminë e Covid-19. Smith sapo kishte filluar punën e parë në korporatë kur shpërtheu pandemia, duke shkaktuar recesionin më të shkurtër në historinë e SHBA-ve në prill 2020.

“Na mësoi që gjithçka mund të ndryshojë papritur,” tha ajo. “Asnjë nga ne nuk e parashikoi Covid-19 dhe efektet e tij afatgjata.”

Burimi: CNN/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0