Qeveria shqiptare ka miratuar një marrëveshje kuadër historike me Izraelin, që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit përmes transferimit të teknologjisë, montimit dhe integrimit të sistemeve moderne në territorin shqiptar. Ekofin.al ka konsultuar vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 496, datë 10 shtator 2025, i cili parashikon një bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë (AMOD) dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit (IMOD), duke e ngritur partneritetin dypalësh në një nivel të ri strategjik.
Çfarë parashikon marrëveshja?
Në bazë të saj, në Shqipëri do të realizohet për herë të parë montimi dhe integrimi i disa prej sistemeve më moderne të mbrojtjes që ofron industria izraelite:
• ATMOS – Obuz lëvizës 155 mm, kalibër 52, një nga sistemet më të avancuara të artilerisë vetëkomanduese.
• SPEAR – Sistem mortaje i montuar 120 mm.
• Kuadkopterë taktikë (Thor ISR dhe Magni-x Systems), që shërbejnë për zbulim, mbikëqyrje dhe operacione taktike.
Këto pajisje nuk do të importohen të gatshme, por do të montohen në Shqipëri nga Shoqëria shtetërore e mbrojtjes “Kayo sh.a.”, në bashkëpunim me gjigantin izraelit Elbit Systems. Përjashtim bëjnë vetëm dhjetë kuadkopterët e parë, dronët, të cilët do të dorëzohen të gatshëm për qëllime trajnimi.
Përfitimet për Shqipërinë
Ky është një hap i madh për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare. Për herë të parë, vendi ynë bëhet pjesë e një projekti që nuk kufizohet vetëm në blerjen e pajisjeve ushtarake, por edhe në montimin, integrimin dhe trajnimin e personelit brenda vendit. Marrëveshja parashikon gjithashtu krijimin e një Komiteti të Monitorimit shqiptaro-izraelit, që do të mbikëqyrë zbatimin e saj dhe do të propozojë nisma të reja bashkëpunimi industrial në të ardhmen.
Dimensioni strategjik
Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes i thanë ekofin.al se kjo marrëveshje është një partneritet strategjik afatgjatë, që jo vetëm përforcon kapacitetet e ushtrisë shqiptare, por edhe hap rrugën për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend. Nga ana tjetër, Izraeli përfiton duke zgjeruar praninë e tij në rajonin e Ballkanit, një zonë me rëndësi të madhe gjeopolitike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto