Një tjetër fëmijë shqiptar shkëlqen në arritjet akademike dhe jo për herë të parë. Dario Toska, për të dytën herë brenda një cikli shkollor është nderuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me medaljen më të lartë për arritje akademike.
Dario u nderua me medaljen e artë të ekselencës, të programit “President’s Outstanding Education Award”. Kjo medalje jepet dy herë gjatë arsimit të ciklit 8-vjeçar për nxënësit e shkëlqyer, në përfundim të klasës së pestë dhe asaj të tetë.

Ai sapo përfundoi me rezultate të shkëlqyera klasën e 8- të të shkollës amerikane Garmisch Elementary/Middle School në Gjermani, pjesë e sistemit të shkollave amerikane në Europë.
Dario Toska, bashkë me prindërit e tij, provuan këto ditë një tjetër gëzim të veçantë. Që nga klasa e parë e deri në përfundimin e klasës së tetë, ai ka pasur vetëm rezultate të shkëlqyera, duke u shpallur çdo vit si nxënësi më i mirë i shkollës. Edhe në vitin 2017, me mbarimin e klasës së pestë, Dario u vlerësua me këtë medalje.
Darios i akordohet për të dytën herë medalja e artë e ekselencës, një rast ky i rrallë. Dario është djali i Valbona Zenelit dhe Igli Toskës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto