Google duket se po përgatit një hap të madh në sigurinë biometrike. Sipas raportimeve të fundit, kompania po zhvillon një teknologji të avancuar zhbllokimi me fytyrë për serinë e ardhshme Google Pixel 11, si edhe për Chromebook-ët e rinj. Projekti mban emrin e brendshëm “Project Toscana”.
Burime që pretendojnë se e kanë testuar sistemin thonë se ai funksionon pa pasur nevojë për sensorë shtesë të dukshëm në pjesën e përparme të pajisjes. Ende nuk është konfirmuar nëse Google po përdor teknologji me rreze infra të kuqe, si ajo e Face ID në iPhone, por nëse po, komponentët IR mund të jenë të integruar nën ekran, një qasje që thuhet se po shqyrtohet edhe nga Apple për modelet e ardhshme.
Lexo gjithashtu: Robotët humanoidë luajnë futboll dhe hedhin valle në festimet për Vitin e Ri kinez
Nga jashtë, pajisja pritet të duket e ngjashme me Google Pixel 10, por ndryshimi i madh qëndron te performanca: sistemi i ri i njohjes së fytyrës raportohet të funksionojë me të njëjtën efikasitet si në dritë të fortë ashtu edhe në ambiente me ndriçim të ulët.
Interesant është fakti se Google po teston të njëjtën teknologji edhe për disa modele Chromebook, duke zgjeruar përdorimin e autentifikimit biometrik përtej smartfonëve. Sipas raportimeve, shpejtësia e zhbllokimit është në të njëjtin nivel me Face ID në iPhone, një pretendim që, nëse konfirmohet, do ta vendoste Google në konkurrencë të drejtpërdrejtë me standardin aktual të industrisë.
Nëse Project Toscana realizon pritshmëritë, seria Pixel 11 mund të sjellë një nga përmirësimet më të rëndësishme në sigurinë dhe përvojën e përdoruesit deri më tani.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto