Pikëpyetjet e mëdha për inteligjencën artificiale - Business Magazine Albania

Pikëpyetjet e mëdha për inteligjencën artificiale

inteligjencë artificiale

Përshtypje rreth librit “Inteligjenca artificiale” i autorit Matt Burgess, përkthyer nga Blendi Lami dhe hedhur në qarkullim nga shtëpia botuese Lekë

Gjergj Loka, leximtari.al

Gjatë dekadave të fundit, shkencëtarë dhe studiues u kanë kushtuar një interes të veçantë pajisjeve kompjuterike dhe, më veçanërisht, mënyrave se si ata mund t’i bëjnë të veprojnë ngjashëm me njerëzit. Me asistentë kompjuterikë si Siri dhe Alexa, nuk do isha gabim po të thoja se jemi më afër se kemi qenë ndonjëherë nga arritja e krijimit të një inteligjence artificiale (IA) të pavarur nga njerëzit.

Sot flitet gjithnjë e më shumë për Inteligjencën Artificiale dhe për përdorimin e saj në çdo fushë të jetës tonë. Kompani të ndryshme online përdorin mekanizma të inteligjencës artificiale për të informuar klientin dhe promovuar produktet. Ajo tashmë është duke u përdorur në çdo fushë; qoftë për të mbrojtur të dhënat personale të pacientëve kundër hakerëve në internet, qoftë në navigimin dhe udhëtimin e qytetarëve. Inteligjenca Artificiale po përdoret gjithandej dhe një gjë e tillë ka ngritur edhe shqetësime të mëdha për abuzimin më të dhënat personale, përdorimin e saj nga organizata dhe institucione që nxitin format e autokracisë, etj.

Pikërisht për këtë flet dhe libri i gazetarit të revistës Wired, Matt Burgess, i cili përpiqet fillimisht që të na shtrojë ne, lexuesve, një imazh më të qartë të historisë së inteligjencës artificiale si koncept dhe si projekt në zhvillim. Këtë e bën në kapitujt e parë të librit, të cilët na udhëtojnë në disa takime dhe ideologji të ndryshme që datojnë që nga shekulli i kaluar. Autori dëshiron të na informojë rreth detajeve të procesit të konceptualizmit të inteligjencës artificiale.

Në kapitujt e tjerë, ai ka arritur të na bëjë të ngremë pyetje rreth të ardhmes së Inteligjecës Articifiale, duke vënë në pah problematikat që vijnë si pasojë e kësaj teknologjie. Sipas Burgess, “të dhënat përbëjnë thelbin e inteligjencës artificiale”, dhe këto të dhëna munden të keqpërdoren mjaft lehtë, gjë që do të çonte në marrjen e vendimeve të padrejta nga këto mjete teknologjike. Ai gjithashtu shprehet se algoritmet përgjatë rrjetit nxisin paragjykime kundrejt kompanive dhe individëve.

Një shembull që Burgess e vë në pah është ai kur sistemi “mëson” se mjekët janë përgjithësisht meshkuj, gjë që përgjithësisht e bën punën e mjekeve femra më të vështirë. Një problematikë tjetër që përmendet në këtë studim është ajo e pamundësisë së mbrojtjes së sigurisë nga sulmet “cyber”. Imazhe njerëzish dhe video munden tashmë që të përpunohen në punë sekondash, gjë që mund të çojë në mashtrime dhe probleme serioze.

Libri flet për fenomenin e “imazheve të rreme” (“deep fakes”), që daton nga fundi i vitit 2017, i cili vendos fytyrat e personave publikë në persona të tjerë në mënyrë plotësisht realistike.

Sipas Burgess, siguria e çdo konsumatori të rrjetit dhe çdo kontributori në shoqëri është në rrezik pasi inteligjenca artificiale është pak e mbikqyrur. Shtetet po e përdorin Inteligjencën Artificiale për të përhapur ndikimin e tyre, por ekziston rreziku nga hakerat

Kapitujt e fundit të librit formojnë një kornizë pragmatike mbi të ardhmen e inteligjencës artificiale si të rrënjosur në mënyrën sesi ne përdorim teknologjinë në të tashmen. Këtu autori vendos të tregohet disi subjektiv. Me “disi subjektiv” nënkuptoj se pavarësisht se në një lexim të tërthortë mund të duket se ai vetëm tregon informacion edhe në këto kapituj, ai në fakt është duke treguar edhe se çfarë mendon ai vetë rreth infrastrukturave teknologjike që përdorin Inteligjencën Artificiale. Ai dallon se produktet e IA po zhvillohen vetëm nga njerëz të racës së bardhë dhe rrjedhimisht ato janë të prirur të jenë efektive ndaj njerëzve me kontekst kulturor dhe botëkuptim të ngjashëm me krijuesit e tyre. Kjo përbën përjashtim të racave të tjera, me kultura të ndryshme, pavarësisht se jetojmë në një kohë kur duket se me anë të teknologjisë jemi më afër me njëri-tjetrin se kemi qenë më parë.

Në kapitullin e fundit Burgass përmend një citim të profesorit Ragnar Fjelland të Universitetit të Bergenit ku ai thotë se qëllimi kryesor i Inteligjencës Artificiale është që të përmirësojë gjendjen njerëzore në vend që ta zëvendësojë atë.

Përgjithësisht ky libër i vogël (ka vetëm 184 faqe) është një hyrje shumë informative rreth Inteligjencës Artificiale për këdo që kërkon të mësojë më shumë rreth këtyre teknologjive në përgjithësi. Shkrimtari shkruan për historinë e saj, si përdoret IA aktualisht dhe çfarë do të thotë për të ardhmen tonë. Si lexues që më parë nuk ishte shumë i informuar rreth inteligjencës artificiale, mua më pëlqeu shumë formati i shkurtër i librit. Informacioni i dhënë më ngjalli kureshtjen. Për të gjithë ata të cilët kishin më parë njohuri rreth inteligjencës artificiale dhe rolit të saj në shoqëri, nuk duhet të prisni një zhytje të thellë të autorit në këtë fushë sepse ky libër nuk e ka atë qëllim.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0