Më shumë së 17.000 firma janë mbledhur në pak ditë për shpalljen e luginës së Vjosës “Park Kombëtar”. Një mbështetje e madhe për fushatën “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” ka bërë bashkë publikun në kërkesën drejtuar qeverisë shqiptare për të shpallur sa më parë lumin Vjosa dhe degët e saj “Park Kombëtar”.
Ndërkohë që nuk ka ende një reagim zyrtar ndaj peticionit, kryeministri Rama ka postuar së fundi në rrjetet sociale një foto me Leonardo Di Caprio-n, ku shprehet se ajo çfarë e bashkon me aktivistin më të famshëm të mjedisit është pikërisht mbrojtja e Vjosës. Mes rreshtash, ky mesazh mund të jetë një sinjal pozitiv për kauzën e Vjosës, e cila po tregon edhe një herë se gëzon mbështetje të madhe në publik.
Gjithmonë e më shumë shqiptarë po ndërgjegjësohen mbi kuptimin e statusit “Park Kombëtar” dhe po qartësohet perceptimi i gabuar se lugina e Vjosës është e mbrojtur. Në vitin 2020, Vjosa u propozua për t’u shpallur “Park Natyror”. Por, kjo nuk mjafton për ta mbrojtur atë përfundimisht. Ky status krijon mundësi që kompani të ndryshme të fillojnë kërkimet për naftë pranë Vjosës ose të ndërtojnë hidrocentrale në degët e saj, prandaj aktivistët po kërkojnë shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar”. Ky status është një standard ndërkombëtar për mbrojtjen e natyrës dhe i vetmi status që mund t’i ndalojë bizneset dhe qeveritë e ardhshme të dëmtojnë lumin dhe degët e tij, të cilat fatmirësisht ende rrjedhin të lira.
Lexo: Leonardo DiCaprio apel që Vjosa të shpallet Park Kombëtar
Peticioni online mbetet vendimtar për t’i përcjellë qeverisë mesazhin e përbashkët se e ardhmja e Vjosës është një çështje që na takon të gjithëve, se jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e saj, prandaj kërkojmë nivelin më të lartë të mbrojtjes për të.
Businessmag.al i është bashkuar kësaj nisme. Ne do të ndjekim dhe t’ju informojmë rreth të gjitha zhvillimeve që kanë të bëjnë me këtë nismë dhe ju ftojmë të nënshkruani peticionin online dhe ta shpërndani atë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.