Pavarësisht përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie pozitive, mënyra e komunikimit mund të tingëllojë si gjykim, edhe kur kjo nuk është aspak qëllimi. Sipas autores së librit “Managing Up”, trajnere ekzekutive dhe profesore e sjelljes njerëzore, është vërejtur nga afër se disa shprehje të përditshme , që në mendjen e folësit duken të zakonshme dhe të pafajshme mund të minojnë besimin dhe të krijojnë distancë me të tjerët. Kur përdoret një ton që perceptohet si gjykues, njerëzit priren të ngurrojnë në ndarjen e ideve apo informacionit. Mund të ndodhë që personi të mos ftohet më në takime apo evente sociale dhe, pa qenë i vetëdijshëm, të fitojë reputacionin e dikujt që është i vështirë për bashkëpunim. Më poshtë paraqiten pesë shprehje të zakonshme që mund të krijojnë përshtypjen e një qëndrimi gjykues, si dhe disa alternativa më të përshtatshme që ndihmojnë në ndërtimin e një komunikimi më të hapur, mirëkuptues dhe mbështetës.
1. “Pse nuk bën thjesht…?”
Kjo frazë përdoret shpesh kur dikush ndan një problem që na duket me zgjidhje të thjeshtë. Për shembull:
– “Pse nuk bën thjesht disa filtra për email-et?”
– “Pse nuk i takon një e nga një për vendimin?”
Edhe pse mendoni se po ndihmoni, kjo mund të tingëllojë si: “Zgjidhja është e qartë, pse nuk e ke kuptuar vetë?”. Tjetri ka më shumë nevojë për mirëkuptim sesa për zgjidhje të menjëhershme.
Çfarë të thuash në vend të kësaj:
– “Kjo duket situatë e vështirë. Çfarë ke provuar deri tani?”
– “Një gjë që ka funksionuar për mua është…”
– “Një ide që më erdhi në mendje është…”
2. “Në fakt…”
Kjo shprehje përdoret shpesh për të korrigjuar të tjerët, p.sh.:
– “Në fakt, ishte Michigan, jo Ohio.”
– “Në fakt, afati është të premten.”
Por përdorimi i kësaj fjale mund të tingëllojë si: “Gabove, dhe unë po të korrigjoj.” Mund të perceptohet si superioritet apo përçmim, sidomos kur përdoret në biseda të përditshme.
Çfarë të thuash në vend të kësaj:
– “Ke të drejtë për [X]. Një tjetër gjë që mund të marrim parasysh është…”
– “Mund të jem gabim, por m’u duk se afati ishte të premten. E verifikojmë bashkë?”
Lexo edhe;Si e gjeti Danimarka formulën e lumturisë dhe çfarë mund të mësojmë prej saj
3. “Për të qenë e sinqertë…”
Në dukje duket si mënyrë e ndershme për të shprehur një opinion:
– “Për të qenë e sinqertë, më pëlqeu më shumë sesa prisja.”
– “Sinqerisht, duhet të shqyrtojmë edhe opsione të tjera.”
Por shpesh, kjo shprehje ngjall ndjesinë se gjithçka e thënë më parë nuk ishte e sinqertë – apo se tani po vjen një kritikë. Kjo mund t’i bëjë të tjerët të mbrohen para kohe.
Çfarë të thuash në vend të kësaj:
– “Do e bëja me qejf sërish!”
– “S’më pritej kështu, por më pëlqeu shumë.”
– “Më duket se ka disa sfida me këtë qasje.”
– “Si do të ishte sikur të eksploronim edhe këtë mundësi…?”
4. “Kjo s’ka kuptim.”
Kur dikush paraqet një ide që nuk përputhet me përvojën tuaj, ju mund të thoni: “Kjo s’ka kuptim.” Por kjo frazë mund të perceptohet si: “Ideja jote është absurde” apo “nuk po mendon siç duhet”.
Çfarë të thuash në vend të kësaj:
– “Po përpiqem të kuptoj më mirë logjikën. Mund të më shpjegosh pak më shumë?”
– “Nëse kam kuptuar drejt, po fokusohemi te klienti i vogël për shkak të mundësisë për referime, apo jo?”
5. “Jam e habitur që nuk e dije këtë.”
Edhe pse mund të ndiheni të befasuar që dikush nuk di diçka që juve ju duket bazike, të shprehësh habi mund të tingëllojë si: “Duhej ta dije – si nuk e di?”
Çfarë të thuash në vend të kësaj:
– “Kjo është një nga ato terma që përdoren shumë – do të ta shpjegoj me qejf.”
– “Është krejt normale. Do të doje një shpjegim të shpejtë?”
Në fund të ditës, mënyra si flasim ka peshë.
Të ndërtojmë një komunikim më të ndjeshëm dhe mbështetës nuk do të thotë të mos themi të vërtetën , por të zgjedhim fjalët që ndërtojnë ura, jo mure.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.