Përtej lojës! - Business Magazine Albania

Përtej lojës!

Shkruar nga Xhafer Rakipllari është Oficer i Karrierës dhe Aftësive në “College of Europe”, Tiranë

Mbi 10 mijë atletë përfunduan sfidat e tyre në Lojërat Olimpike Paris 2024 pas tri vitesh stërvitjeje, këmbënguljeje dhe sakrificash. Nuk është thjesht një lojë!

Shqipëria mori medaljet e saj të para olimpike me dy mundës të natyralizuar, pas plot 32 medaljesh që atletët shqiptarë iu kanë dhuruar shteteve të tjera; Kosova vazhdoi shkëlqimin në Judo me dy medalje, një argjendi dhe një bronzi; SHBA triumfoi me 126 medalje (40 të arta).

Rekordet iu përkasin të rinjve! Quincy Wilson, vetëm 16-vjeçar, triumfoi në stafetën e 400 metrave; talenti i notares kanadeze Summer McIntosh, vetëm 17, u shpërblye me dy medalje të arta. Nuk munguan as rioshet tona. Për Kosovën, garoi notarja 15-vjeçare Hana Beiqi, ndërsa për Shqipërinë, 16-vjeçarja Kaltra Meçaj.

Por cilat janë disa mësime nga Lojërat Olimpike Paris 2024:

Leksione integriteti nga ekipi i Kanadasë
Ekipi i futbollit të femrave të Kanadasë shokoi Olimpiadën për mënyrën “aspak kanadeze” të spiunimit të kundërshtarit me dron. Ekipi u penalizua me 6 pikë, ndërsa trajneri sakaq përgatiti valixhet. Në fakt, futbolli kanadez i femrave është i zhvilluar, dhe pavarësisht penalizimit, ia doli të kualifikohej në çerekfinale të kompeticionit. Kjo situatë ngriti çështjen sesi ekipet/organizatat dhe udhëheqësit e tyre iu përgjigjen krizave të tilla.

Kanadaja mori përgjegjësinë mbi supe, kërkoi ndjesë publike dhe veproi shpejt dhe në mënyrë transparente duke iu kthyer lojës fair-play. Vonesa, apo më keq mohimi, do të gërryente më tej besimin e çdo ekipi/organizate.

Kanadezët për mua e morën medaljen: atë të profesionalizmit. Të fitosh nuk është thjesht çështje rezultati, por të nxëni nga gabimet dhe të ndryshuari fytyrë e paraqitje.

Lexo edhe: Lojërat Olimpike mund të kenë një ndikim të madh në produktivitetin e punonjësve

Standardet e dyfishta minojnë zhvillimin
Shumë zhurmë për fitoren e boksieres Imane Khelif në Lojërat Olimpike. Algjeriania ishte përjashtuar nga Kampionati Botëror i Boksit në Nju Delhi (2023), si rezultat i mospërmbushjes së kritereve të përcaktuara në rregulloren e International Boxing Association (IBA).

Megjithatë, ky vendim nuk vlente për Lojërat Olimpike. Aplikimi i dy standardeve ngriti pikëpyetje mbi integritetin e boksieres algjeriane dhe çoi në reagime të forta publike dhe humbje të besimit (te Komiteti Olimpik, vetë Lojërat).

Standardet e dyfishta dëmtojnë reputacionin e organizatës, humbasin besimin në institucion/organizatë, si dhe zbehin arritjet profesionale. Pa standarde, nuk mund të presim barazi, gjithëpërfshirje, ndershmëri dhe as zhvillim.

Nuk është kurrë vonë për të ndjekur ëndrrën!
Në moshën 58-vjeçare, Zhiying Zeng u bë një nga atletet më në moshë të Olimpiadës. Udhëtimi i saj olimpik nisi në Kinën e viteve ‘70 dhe kulmoi me kualifikimin me ekipin kombëtar të Pingpongut të Kilit në fillim të këtij viti. Plot 5 dekada pritje!

Në moshën 18 vjeçare, Zeng ishte një nga pingpongistet më të mira në Guangzhou, por teksa po përgatitej për Olimpiadën, një ndryshim rregulli e la jashtë dhe bëri që t’i përkushtohej mësimdhënies.

Në moshën 34-vjeçare, ajo u zhvendos në Kili ku punoi për 20 vjet me radhë. COVID-i e bëri të blejë një tabelë pingpongu, ku ra sërish në dashuri me lojën dhe vendosi të nisë përpjekjet për të arritur normën olimpike.

Në 27 korrik, në moshën 58 vjeçare, Zhiying Zeng bëri debutimin e saj në Paris 2024. Nuk është kurrë vonë për të ndjekur ëndrrën!

Lexo edhe: Mbyllen Lojërat Olimpike në Paris – mirupafshim në Los Anxhelos

Dhe medaljen e fiton… thjeshtësia!
Media sociale vendosi në mënyrë unanime t’i jepte qitësit Yusuf Dikeç medaljen e artë, pavarësisht se turku fitoi vetëm të argjendën në Lojërat Olimpike. Ai u paraqit në poligon me njërën dorë në xhep e pa asnjë pajisje teknologjike. Dikeç iu tregoi të gjithëve se qëllimet mund të arrihen edhe pa pajisje të sofistikuara dhe të shtrenjta, pa tangerllëk, fodullëk e një sërë llëqesh të tjera. Ç’mësim i jashtëzakonshëm për zhvillimin personal.

Arshad Nadeemi i dha Pakistanit medaljen e vetme në këtë Olimpiadë (e artë në Hedhje Shtize). Pa trajnerë të huaj, pa kontrata milionëshe sponsorësh, pa një ekip që e ndiqte… Mbi të gjitha pa ego, pa justifikime, por me vendosmërinë e një kampioni, ai e hodhi shtizën 92.97 m duke thyer jo vetëm Rekordin Olimpik, por edhe marrëzitë e shumë e shumë “wannabe stars”-ve. Fitoi thjeshtësia!

“One piece at a time, son!”
Ngulem para ekranit me tim bir 10-vjeçar për të ndjekur të mrekullueshmin Mondo!

Armand “Mondo” Duplantis nisi të kërcente për pasion në oborrin e shtëpisë, por që nga 2022 në “Olympiastadion” të Stockholmit, e deri në “Stade de France”Paris 2024, ka thyer dhjetë herë rekordin botëror në kërcim me shkop. Çdo herë nga një centimetër.

“Imagjino bir, ti dhe Chloe po ndërtoni një kështjellë të madhe LEGO.

E nisni me vetëm disa pjesëza. Duken pak, gati e pamundur. Pastaj ti vë rojet në kullë, Chloe flamujt!

Sa herë që gjeni e vendosni një pjesëz, kështjella juaj bëhet më e madhe dhe më e plotë. Me kalimin e kohës, pjesëzat bashkohen për të krijuar kështjellën madhështore.

Janë përpjekjet e vogla, të vazhdueshme, me durim e këmbëngulje, që ju bëjnë ta përfundoni LEGO-n! Dhe pasthirrmat e gëzimit pas çdo arritjeje të vogël!

Çdo pjesëz të afron me suksesin, çdo hap i vogël, vlen!”

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0