Perspektivat e ekonomive më të mëdha të botës për vitin 2026 - Business Magazine Albania

Perspektivat e ekonomive më të mëdha të botës për vitin 2026

Perspektivat e ekonomive më të mëdha të botës në vitin 2026
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Në fillim të vitit, tre ekonomitë më të mëdha të botës po ecin në drejtime shumë të ndryshme. Shtetet e Bashkuara po rriten me ritme të forta, Bashkimi Europian duket i ngecur në një ekuilibër me rritje të ulët, ndërsa Kina po përjeton një rritje të pabalancuar. Edhe pse sfidat me të cilat përballen këto ekonomi janë të ndryshme, ato kanë një element të përbashkët: politikat ekonomike kanë ndikim të kufizuar mbi perspektivat e tyre reale.

Në Kinë, rritja ekonomike po nxitet kryesisht nga një suficit tregtar masiv, i cili në vitin 2025 tejkaloi 1 trilion dollarë. Gjatë dekadës së fundit, udhëheqësit kinezë kanë theksuar vazhdimisht nevojën për të stimuluar konsumin e brendshëm, një zhvillim që do ta zvogëlonte këtë suficit. Megjithatë, pesha e konsumit në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kinës mbetet kokëfortësisht e ulët dhe, nëse përvoja e Japonisë shërben si shembull, kjo gjendje nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt.

Pas përfundimit të bumit të pasurive të paluajtshme në fund të viteve 1980, politikat japoneze u përpoqën për më shumë se një çerek shekulli të nxisnin kërkesën e brendshme, pa sukses. Edhe kur qytetarëve iu shpërndanë kupona shpenzimi me afat skadence, ata thjesht i përdorën për shpenzime të zakonshme, pa rritur konsumin total. Rezultati ishin dekada deficitesh buxhetore dhe një borxh publik që sot tejkalon 225% të PBB-së.

Modeli i nën-konsumit në Kinë do të jetë po aq i vështirë për t’u thyer, pasi kërkon një transformim rrënjësor të strukturës së ekonomisë. Kina ka pak nxitje për të reduktuar suficitin tregtar, pavarësisht presionit nga vendet e tjera, veçanërisht SHBA. Udhëheqësit kinezë argumentojnë se suficiti i madh në tregtinë e mallrave pasqyron konkurrueshmërinë e vendit në sektorë kyç. Ata theksojnë gjithashtu se Kina ka deficit në tregtinë e shërbimeve, çka e ul suficitin e llogarisë korrente në rreth 650 miliardë dollarë. Sipas tyre, kritikat ndaj suficitit tregtar janë më shumë shprehje e një qëndrimi armiqësor ndaj Kinës sesa shqetësime të ligjshme ekonomike. Kjo perspektivë është ajo që do të udhëheqë politikat kineze edhe në vijim.

Lexo edhe:Nga zjarret te përmbytjet, si u përball Shqipëria me pasojat e ndryshimeve klimatike në 2025-ën

Ekonomia amerikane e nis vitin me një vrull të fortë rritjeje, pasi në tremujorin e tretë të vitit 2025 u rrit me 4.3%, më shumë se sa pritej. Por edhe kjo rritje është e pabalancuar. Investimet në teknologji, veçanërisht në inteligjencën artificiale, po rriten me ritme dyshifrore, ndërkohë që sektori i prodhimit po has vështirësi për t’u përshtatur me tarifat e larta dhe të paparashikueshme. Kur kësaj i shtohet edhe hendeku në rritje mes amerikanëve me të ardhura të larta dhe atyre me të ardhura të ulëta, rezultati është ajo që ekonomistët e quajnë një ekonomi “në formë K”.

Megjithatë, trajektorja e ekonomisë amerikane është kryesisht jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të presidentit. Është e vërtetë që tarifat dhe reformat fiskale e thellojnë pabarazinë, por deficiti buxhetor ishte tashmë rreth 6% e PBB-së edhe para ndryshimeve të fundit. Politikat aktuale thjesht garantojnë vazhdimin e deficiteve të larta në vitet që vijnë. Aftësia e SHBA-së për të ruajtur rritjen e fortë pa mbështetje të re fiskale do të varet nga vazhdimësia e bumit të inteligjencës artificiale. Por kjo nuk është e sigurt: gjithnjë e më shumë zëra po vënë në dyshim bazat e këtij bumi, duke paralajmëruar se mund të kemi të bëjmë me një flluskë spekulative. Nëse skeptikët kanë apo jo të drejtë, kjo do të shihet së shpejti, por gjithsesi, rezultati do të varet nga një grusht kompanish teknologjike, jo nga politikat ekonomike.

Ndryshe nga SHBA, bumi i inteligjencës artificiale nuk ka mbërritur në Europë, e cila nuk ka kompani të mëdha në këtë fushë. Shpesh, kjo i faturohet rregullave të rrepta të Bashkimit Europian, të cilat, sipas kritikëve, frenojnë inovacionin. Edhe pse institucionet europiane po përpiqen të lehtësojnë këto rregulla nën parullën e “thjeshtimit”, ndikimi i drejtpërdrejtë i masave të propozuara pritet të jetë shumë i vogël. Vetë Komisioni Europian vlerëson se paketa e re do të ulë kostot administrative me rreth 11.9 miliardë euro, më pak se 0.1% e PBB-së së BE-së.

Siç kanë vënë në dukje shumë analistë, Europa duket e bllokuar në një “kurth të teknologjisë së mesme”: industria mbetet e fortë, por kryesisht në sektorë si automjetet dhe makineritë, ndërsa investimet në kërkim dhe zhvillim të teknologjive të avancuara janë të kufizuara. Lehtësimi i rregullave mund të sjellë pak më shumë aktivitet në sektorët e teknologjisë së lartë, por nuk do të prodhojë një rritje të shpejtë ekonomike. Edhe në skenarin më optimist, do të duhet shumë kohë që kompanitë europiane të afrohen me gjigantët teknologjikë amerikanë.

E panjohura më e madhe në afat të mesëm, në Europë dhe globalisht, mbetet ndikimi i inteligjencës artificiale mbi produktivitetin dhe tregun e punës. Por edhe kjo, sërish, do të ketë pak lidhje me politikat afatshkurtra.

Udhëheqësit politikë priren të marrin merita kur ekonomia ecën mirë dhe të nisin reforma të shpejta kur ajo ngadalësohet. Por realiteti është se masat afatshkurtra kanë ndikim të vogël mbi forcat strukturore që po përcaktojnë sot perspektivat e ekonomive më të mëdha të botës.

project syndicate

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0