Përse janë krijuar kartat bankare? Çfarë luksi na ofrojnë ato? - Business Magazine Albania

Përse janë krijuar kartat bankare? Çfarë luksi na ofrojnë ato?


Kartat bankare janë krijuar për të na e bërë më të lehtë përdorimin e fondeve që mund të kemi në një llogari bankare. Nëpërmjet tyre ne mund të tërheqim para të gatshme (cash), të kryejmë pagesa apo transferta, duke shmangur rreziqet e shumta që sjell lëvizja me shuma të mëdha parash cash.

Kartat bankare janë mjete elektronike pagese, të cilat në vendin tonë emetohen nga bankat komerciale. Ato, së bashku me shërbime të tjera elektronike, formojnë grupin e instrumenteve të pagesave me qasje në distancë, të cilat bëjnë të mundur përdorimin e fondeve të xhirollogarisë sonë bankare, zakonisht nëpërmjet Numrit Personal të Identifikimit (PIN) dhe/ose mjeteve të tjetra të identifikimit. Kështu, funksionet që këto karta kryejnë janë krejt të ndryshme nga ato jobankare, të cilat kanë një karakter më promovues dhe shërbejnë për të nxitur blerjet në qendra tregtare apo dyqanet e emetuesit (rrjete dyqanesh, etj.). Ato përgjithësisht shfrytëzojnë sistemin e grumbullimit të pikëve, përmes të cilave klienti mund të përfitojë ulje çmimesh apo produkte dhuratë.

Kartat bankare janë krijuar për të na e bërë më të lehtë përdorimin e fondeve që mund të kemi në një llogari bankare. Nëpërmjet tyre ne mund të tërheqim cash, të kryejmë pagesa apo transferta, duke shmangur rreziqet e shumta që sjell lëvizja me shuma të mëdha parash cash. Ato janë gjithashtu mjeti më i përshtatshëm e i pranueshëm për të kryer pagesa kur jemi në udhëtim apo për të bërë blerje përmes internetit. Këto mjete janë thuajse të domosdoshme sa herë që duam të marrim me qira një makinë, të blejmë një biletë avioni, të rezervojmë një dhomë hoteli, etj..

Megjithëse tregu ofron lloje të ndryshme kartash bankare, në vendin tonë ashtu si dhe në shumë vende të botës, më të përdorurat janë kartat e debitit dhe kartat e kreditit.

Llojet e kartave

Kartat e debitit dhe kreditit janë dy llojet kryesore të kartave bankare. Llojet e tjera më pak të përhapura janë derivate të tyre.

Kartat e debitit na mundësojnë të përdorim fondet e depozituara në llogarinë tonë rrjedhëse apo atë të kursimit. Transaksioni regjistrohet në llogarinë e klientit në mënyrë të menjëhershme. Për këtë arsye, është e rëndësishme që llogaria të përmbajë fonde të mjaftueshme për të përballuar blerjen apo tërheqjen e cash-it. Teorikisht, nëpërmjet kartës mund të tërheqim të gjithë fondin që përmban llogaria personale. Megjithatë, për arsye sigurie, përgjithësisht, shuma që mund të tërheqim nga ATM-të apo që mund të paguajmë nëpërmjet POS-ve, ka një kufi ditor (limit) të paracaktuar nga banka.

Kartat e kreditit, në ndryshim nga ato të debitit, na mundësojnë të bëjmë blerje nga POS dhe interneti apo të tërheqim cash nga ATM/POS, brenda një kufiri të paracaktuar, pa pasur fonde në llogarinë tonë, por duke përdorur fondet që banka na ka vënë në dispozicion. Pikërisht për këtë arsye, duhet të kemi gjithnjë parasysh që përdorimi i tyre mbart të gjitha detyrimet e formave të kredisë: ne do të jemi të detyruar ta kthejmë të gjithë shumën e përdorur së bashku me interesat e paracaktuar në kontratë.

Pra, në krahasim me kartat e debitit, kartat e kreditit konsiderohen si një produkt kredie dhe si të tilla ato mbartin kosto më të larta. Në këto kushte, klienti duhet të jetë më i kujdesshëm në përzgjedhjen e këtij produkti bankar, si në lidhje me aftësitë e tij paguese, ashtu edhe me kushtet e ofruara nga ana e emetuesit të kartës.

Për kartat e kreditit, ashtu si dhe për ato të debitit, përdorimi i fondeve të disponueshme mund të bëhet i pjesshëm në harkun kohor të një dite. Kjo ndodh sepse, për arsye sigurie, banka emetuese vendos një kufi ditor ose mujor të parapërcaktuar.

Terminalet POS

Kartat bankare pranohen për përdorim në makineritë e posaçme, si: ATM-të apo terminalet POS.

ATM (Automated Teller Machine) është një pajisje elektromekanike, e cila bën të mundur tërheqjen ose depozitimin e parasë cash, pagesa të shërbimeve, transferim fondesh ndërmjet llogarive, nxjerrje llogarie, etj..

Terminali POS (Point of Sale) është pajisja që bën të mundur përdorimin e kartave bankare në një pikë shitjeje, për shembull në një dyqan apo restorant. Në të dyja rastet, pajisja printon një faturë, e cila përmban informacion mbi tërheqjen apo pagesën. Kartat bankare mund të përdoren lehtësisht edhe për të bërë blerje të ndryshme nëpërmjet internetit, duke hedhur në portalin e shitësit informacionin e kartës.

Avantazhet

Përdorimi i kartave bankare e ka lehtësuar shumë shërbimin tregtar. Klientët janë të prirur masivisht drejt tyre, sepse ato ofrojnë avantazhe në krahasim me mënyrat tradicionale të tregtimit, ku mbizotëron paraja cash. Kështu kartat krijojnë komoditet në kryerjen e pagesave (në supermarkete, dyqane, etj.) dhe tërheqjen e cash-it nga llogaria personale, në nxjerrjen e balancës, në shqyrtimin e lëvizjeve, në realizimin e transfertave dhe të çdo operacioni tjetër që mund të të sigurojë ATM-ja dhe POS-i. Ato sjellin mënjanimin e rreziqeve që rrjedhin nga mbajtja e sasive të cash-it me vete, kontroll më të mirë të shpenzimeve – nëse nuk kemi sasi cash-i me vete është vështirë që të tundohemi nga blerje të nxituara.

Kartat krijojnë mundësinë e përdorimit të fondeve të llogarisë sonë bankare edhe jashtë kufijve të vendit tonë. Në veçanti karta e kreditit na mundëson të përdorim fondet e bankës duke blerë tani dhe paguar më vonë. Në rast humbjeje ose vjedhjeje të kartës, klienti ka mundësi që të bllokojë përdorimin e saj duke njoftuar bankën përmes shërbimit telefonik 24 orësh.

Disavantazhet

Përdorimi i kartave ashtu si çdo aktivitet tjetër ka edhe kufizimet e veta. Kështu ndër dobësitë e këtij sistemi mund të përmendim faktin se në rast se nuk tregojmë kujdesin e duhur për ruajtjen e të dhënave të kartës, ekziston mundësia që dikush të përvetësojë fondet në llogarinë tonë.

Në veçanti për kartën e kreditit, në rast mosshlyerje në kohë të fondeve të shpenzuara, do të duhet të paguajmë interesa.

Karta e kreditit na krijon mundësinë të përdorim lehtësisht fonde të marra hua dhe nëse nuk tregohemi të kujdesshëm me shpenzimet, gjendja jonë financiare mund të përkeqësohet. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që të informoheni mirë.

Interesat dhe shpenzimet

Bankat kërkojnë interes kur shlyerja e pagesës së shumës së përdorur nga fondi i një karte krediti shtyhet në kohë. Përgjithësisht, për kartat e kreditit bankat përdorin interes fiks, pra norma shprehet si përqindje fikse ndaj shumës së përdorur (për shembull, 1.7 për qind e një shume x).

Po ashtu, duhet të keni parasysh se në përgjithësi norma e interesit e kartës së kreditit shprehet në terma vjetorë. Klienti paguan interesa që llogariten vetëm mbi shumën e përdorur prej tij dhe jo mbi të gjithë fondin që banka i ka vënë në dispozicion përmes kartës së kreditit. Norma e interesit duhet të shënohet, jo vetëm mbi mënyrën e shlyerjes dhe të zgjidhni atë që paraqet më shumë interes për ju.

Dy mënyrat më të përdorura për të shlyer shumën që kemi shfrytëzuar nga fondi i një karte krediti janë: shlyerja me një pagesë të vetme dhe ajo me disa pagesa të shtyra në kohë. Ekzistojnë disa lloje komisionesh të lidhura me kartat e kreditit dhe të debitit. Komisionet që klienti do të paguajë për një kartë të caktuar bankare apo për veprimet që do të kryejë me të, duhet të pasqyrohen në kontratë dhe për çdo komision shtesë, përdoruesi i kartës duhet të njoftohet paraprakisht.

Në përgjithësi, bankat aplikojnë shpenzime sa herë që përdorim kartën për tërheqje cash-i nga terminalet ATM, të cilat nuk i përkasin bankës që ka emetuar kartën, si brenda dhe jashtë vendit. Shpenzimet mbahen dhe në rastin e blerjeve në POS-e jashtë vendit dhe kur blejmë në internet. Klienti nuk paguan shpenzime për blerjet nga POS-et brenda vendit edhe atëherë kur POS-i nuk i përket bankës emetuese të kartës.

Burimi: gazetaekonomia.com 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0