Në Shkodër u prezantua ditën e djeshme studimi i fizibilitetit të hekurdhës Durrës-Prishtinë, e cila parashikohet të nisë nga Durrësi, të kalojë në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë. Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se është përmbyllur me sukses studimi i fizibilitetit dhe dizajni paraprak për linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë. Aliu ka shkruar se nga Durrësi në Prishtinë: një hekurudhë e re, një epokë e re për Kosovën dhe Shqipërinë.
“Hekurudha Kuq e Zi. Përmbyllet me sukses studimi i fizibilitetit dhe dizajni preliminar për linjën hekurudhore Durrës – Prishtinë, një projekt strategjik që na afron më shumë me Shqipërinë dhe i hap rrugë një transformimi të madh ekonomik, social e mjedisor”.
Më tej, ai ka pohuar se “kjo linjë do të shërbejë si urë për njerëzit dhe bizneset, do të ulë kostot e transportit, dhe me portin e thatë në Prishtinë si zgjatje e portit Romano në Durrës, po krijojmë një nyje të re zhvillimi për të gjithë rajonin”. “Bashkë me zv. kryeministren e Shqipërisë Belinda Balluku, ministrin e Financave Petrit Malaj, kryetarin e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci dhe kryetarin e Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, pamë prezantimin e studimit të fizibilitetit dhe dizajnit preliminar për këtë linjë hekurudhore”. Mes tjerash, ai ka shtuar se 1.8 miliard euro investim, rreth 105 km hekurudhë, 14 tunele, 7 stacione, dhe një vizion i përbashkët i Shqiptarisë që po bëhet realitet.
Kurse, kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci në fjalën e tij theksoi se “ky është një nga projektet më strategjike për Shkodrën dhe për lidhjen e saj të drejtpërdrejtë për Gjakovën dhe gjithë Kosovën. Një ëndërr shuëmdekadëshe që po bëhet realitet. Dua të falënderoj të dy qeveritë për vullnetin dhe vendosmërinë e treguar për ndërtimin e kësaj hekurudhe dhe vendimin që traseja të kalojë përmes Shkodrës në luginën e Kirit dhe më pas përgjatë Drinit për t’u lidhur me Tropojën, Gjakovën dhe gjithë Kosovën”.
Beci shtoi se ky është një nga vendimet më strategjike për Shkodrën që e vendos në kryqëzimin e dy linjave hekurudhore ndërkombëtare, drejt Malit të Zi dhe Kosovës, duke e lidhur me rrjetin evropian hekurudhor.
Gjatë ditës, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar një video të projektit të hekurudhës Durrës-Prishtinë, ose hekurudha Kuq e Zi.Video tregon të gjithë rrugën që ndjek hekurudha dhe stacionet e parashikuara duke filluar nga Durrësi, Shkodra, kufiri Shqipëri Kosovë, stacioni i Gjakovës dhe më pas Prishtina.
Projekti paraqet gjithashtu detaje veprat e artit që parashikohen përgjatë hekurudhës, duke përfshirë këtu ura dhe tunele. Hekurudha midis Shqipërisë dhe Kosovës do të ketë shtatë stacione dhe një gjatësi prej 105.8 kilometrash. Kostoja e këtij segmenti përllogaritet në 1.8 miliardë euro.
Burimi: Monitor
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto