Përfshirja financiare duhet të arrijë edhe tek miliardi i fundit! - Business Magazine Albania

Përfshirja financiare duhet të arrijë edhe tek miliardi i fundit!

Përfshirja financiare duhet të arrijë edhe tek miliardi i fundit!

Në thelb, qëllimi i zhvillimit ekonomik është çrrënjosja e varfërisë. Nga ky këndvështrim, është arritur përparim i ndjeshëm: numri i njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme ka rënë nga 1.9 miliardë në vitin 1990 në rreth 615 milionë sot, kryesisht falë rritjes ekonomike të përshpejtuar në vendet më të populluara të Azisë.

Por ashtu siç thuhet se kilometrat e fundit të një maratone janë më të vështirat, edhe përpjekjet për zhdukjen e varfërisë nuk mjaftojnë vetëm me arritjet aktuale. Tashmë, rritja më e shpejtë e popullsisë po ndodh në vendet ku varfëria mbetet e përhapur, ndërkohë që globalizimi nuk ka më fuqinë që kishte dikur. Prandaj, vetëm rritja ekonomike nuk do të mjaftojë. Dalja nga varfëria është vetëm një hap drejt mirëqenies së vërtetë. Për të krijuar mundësi reale për të gjithë dhe për të përfshirë të varfrit në aktivitetet dinamike ekonomike, na nevojiten qasje alternative dhe plotësuese.

Në këtë drejtim, përfshirja financiare ka një rol të rëndësishëm, sepse varfëria nuk lidhet vetëm me atë sa fiton një person, por me atë çfarë mund të blejë me të ardhurat e tij. Ulja e kostove të mallrave dhe shërbimeve  dhe për rrjedhojë rritja e aksesit ndaj tyre për njerëzit me të ardhura të ulëta – ndihmon në reduktimin e varfërisë. Ndërsa në vendet e zhvilluara shteti ofron shumë shërbime bazë, kjo nuk ndodh në shumicën e vendeve të Jugut Global, ku përfitimet janë të kufizuara. Madje, në shumë raste, të varfrit paguajnë më shumë për mallrat bazë dhe është më e kushtueshme t’i shërbesh, pasi ata blejnë sasi të vogla produktesh.

Firmat financiare kanë treguar se mund të tejkalojnë këto barriera. Duke ulur kostot e shërbimeve dhe duke zgjeruar aksesin ndaj tyre, ato kanë treguar se përfshirja mund të nxisë zhvillimin e gjerë. Për të analizuar nivelet e përfshirjes financiare, World Data Lab, me mbështetjen e Qendrës Mastercard për Rritje Përfshirëse, kombinoi modelet e veta të konsumit me bazën e të dhënave Findex të Bankës Botërore.

Studimi tregon se rritja e përfshirjes financiare – që varion nga portofolët bazë të parasë elektronike deri tek shërbimet e plota bankare – sjell përfitime të mëdha për shtresat e varfra. U analizuan gjashtë miliardë të rritur në botë (persona mbi 15 vjeç), të ndarë në gjashtë grupe me nga një miliard secili, sipas niveleve të konsumit.

Lexo edhe:SAP rrëzon nga froni gjigandin daneze të farmaceutikës, bëhet kompania më e shtrenjë në Evropë

Miliardi më i varfër, që shpenzon më pak se 5 dollarë në ditë, dikur ishte tërësisht jashtë sistemit financiar – jeta e tyre ekonomike bazohej vetëm në para në dorë. Por gjatë dekadës së fundit, ka ndodhur një revolucion i heshtur i pagesave dixhitale dhe parasë në celular, sidomos në Indi dhe në vende afrikane. Si rezultat, më shumë se një e treta e miliardit më të varfër të të rriturve në botë tani ka akses në shërbime financiare.

Këto arritje janë rezultat i një kombinimi të dy faktorëve: efekti i rritjes së të ardhurave – më shumë njerëz kalojnë pragun që i bën të “bankueshëm” – dhe efekti i uljes së çmimeve – kostoja e ofrimit të shërbimeve financiare është ulur ndjeshëm.

Në vitin 2015, rreth 3.4 miliardë njerëz kishin akses në shërbime financiare. Në atë kohë, pragu i të ardhurave për të hyrë në sistemin financiar ishte rreth 8 dollarë në ditë (sipas fuqisë blerëse të vitit 2017). Kjo do të thotë se 2 miliardë njerëz – afro 40% e të rriturve në botë – mbeteshin të përjashtuar. Por dekada e fundit solli rritje të klasës së mesme në botë dhe teknologjitë si paraja dixhitale dhe bankingu elektronik ulën ndjeshëm kostot e aksesit.

Këto dy forca kanë mundësuar që edhe 1.4 miliardë persona të tjerë të përfshihen financiarisht që prej vitit 2015 – rreth 800 milionë nga efekti i të ardhurave dhe 600 milionë nga ulja e kostove. Pragu mesatar global për të hyrë në sistemin financiar ka zbritur në 5 dollarë në ditë. Ky barrierë më e ulët, falë sistemeve të parasë dixhitale, ka ndihmuar ndjeshëm përfshirjen e të varfërve. Në vendet më të suksesshme, sidomos në Afrikë, shërbimet financiare ofrohen me një prag prej vetëm 2 dollarësh në ditë – nën kufirin e varfërisë ekstreme prej 2.15 dollarësh.

Përparimi i bërë gjatë dekadës së fundit dëshmon se përfshirja financiare është e arritshme kur ekziston përzierja e duhur e inovacionit, investimit dhe bashkëpunimit. Tani që ndodhemi në kilometrin e fundit të betejës kundër varfërisë, duhet të fokusohemi në përfshirjen e komuniteteve më të margjinalizuara në sistemin financiar.

Wolfgang Fengler është CEO i World Data Lab dhe ish-kryeekonomist në Bankën Botërore.

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0