Google njoftoi të mërkurën se do të firmosë udhëzimet e Bashkimit Europian për inteligjencën artificiale, një vendim që vjen në kundërshtim të plotë me qëndrimin e kompanisë Meta, e cila më herët ka refuzuar nënshkrimin për shkak të shqetësimeve se rregullat mund të pengojnë inovacionin.
Në një postim në blog, Google deklaroi se synon ta mbështesë këtë kod me shpresën se do të ndihmojë qytetarët europianë të kenë akses në mjetet më të avancuara të AI-së, ndërsa ato bëhen të disponueshme. Vendimi i Google vjen pasi Meta ka refuzuar zyrtarisht të nënshkruajë kodin, duke paralajmëruar se ai mund të kufizojë zhvillimin e inteligjencës artificiale në Europë.
“Zhvillimi i shpejtë dhe i gjerë është thelbësor,” u shpreh Kent Walker, president i çështjeve globale në Google. Sipas tij, përqafimi i AI-së mund ta rrisë ekonominë europiane me rreth 1.4 trilionë euro (1.62 trilionë dollarë) deri në vitin 2034.
Komisioni Europian, institucioni ekzekutiv i BE-së, publikoi versionin final të kodit të praktikës për modelet e inteligjencës artificiale me qëllim të përgjithshëm, duke i lënë kompanitë të lira të vendosin nëse duan ta firmosin. Udhëzimet synojnë të ndihmojnë në zbatimin e kërkesave të Aktit të AI-së së BE-së – një ligj historik që synon të mbikëqyrë teknologjinë përmes transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes. Megjithatë, edhe Google shprehu rezerva mbi mundësinë që këto udhëzime të ngadalësojnë zhvillimin teknologjik të AI-së në Europë. “Ne mbetemi të shqetësuar se Akti për AI-në dhe Kodi përkatës mund të ngadalësojnë zhvillimin dhe zbatimin e teknologjisë në Europë,” shkroi Kent Walker në postim. “Në veçanti, shmangiet nga ligji ekzistues për të drejtat e autorit, vonesat në proceset e miratimit, apo kërkesat që mund të ekspozojnë sekretet tregtare, mund të frenojnë zhvillimin e modeleve europiane dhe të dëmtojnë konkurrueshmërinë e rajonit.”
Në fillim të këtij muaji, Meta refuzoi nënshkrimin e kodit të praktikës për AI-në, duke e cilësuar si një ndërhyrje të tepruar që mund “të dëmtojë industrinë”. “Europa po ecën në drejtimin e gabuar sa i takon inteligjencës artificiale,” shkroi Joel Kaplan, shefi i çështjeve globale në Meta, në një postim në LinkedIn. “Ky kod paraqet pasiguri ligjore për zhvilluesit e modeleve, si dhe masa që shkojnë përtej fushës së parashikuar nga Akti për AI-në.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.