Pavarësisht Venezuelës, parashikimet thonë se 2026 do të jetë viti më i lirë për karburantin që nga Covid-19 - Business Magazine Albania

Pavarësisht Venezuelës, parashikimet thonë se 2026 do të jetë viti më i lirë për karburantin që nga Covid-19

Pompa e karburantit është shndërruar në një burim të rrallë lehtësimi për amerikanët e goditur nga rritja e çmimeve, dhe kjo prirje pozitive pritet të vazhdojë edhe në vitin 2026, pavarësisht pasigurive që lidhen me Venezuelën.

Çmimet e benzinës pritet të jenë mesatarisht 2,97 dollarë për gallon në rang kombëtar këtë vit, sipas parashikimeve të platformës për kursimin e karburantit GasBuddy. Nëse ky parashikim, i ndarë fillimisht me CNN, rezulton i saktë, 2026 do të jetë viti i katërt radhazi me rënie të çmimeve në pompë dhe i pari që nga 2020 me mesatare vjetore nën 3 dollarë për gallon. Kjo është shumë larg vitit 2022, kur pompat e karburantit u bënë epiqendra e krizës së inflacionit: pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, çmimet e naftës u rritën ndjeshëm dhe benzina kaloi për herë të parë pragun e 5 dollarëve për gallon, ndërsa inflacioni në SHBA tejkaloi 9%.

“Tani gjërat duken mjaft mirë. Më në fund kemi dalë nga faza e paqëndrueshmërisë, me tregun që po ribalancohet pas Covid-it,” tha Patrick De Haan, drejtues i analizës së naftës në GasBuddy. GasBuddy e përpiloi parashikimin përpara ndërhyrjes së papritur të SHBA-së në Venezuelë dhe kapjes së presidentit Nicolas Maduro. Megjithatë, De Haan i tha CNN-it se situata në Venezuela nuk e ndryshon këndvështrimin e tij optimist për çmimet, pasi do të duhet shumë kohë për të rindërtuar infrastrukturën energjetike të degraduar të vendit.

“Në afat të shkurtër, nuk shohim ndërprerje apo ndryshime të rëndësishme si pasojë e zhvillimeve të ditëve të fundit,” u shpreh ai. Në fakt, kontratat e së ardhmes për naftën mbetën pothuajse të pandryshuara të dielën në mbrëmje, pasi nisi tregtimi pas ndërhyrjes së SHBA-së në Venezuelë. Parashikimi i GasBuddy për vitin 2026 shërben si kundërpeshë e fortë ndaj shqetësimeve për përballueshmërinë e kostove, të cilat kanë goditur besimin e konsumatorëve dhe kanë ulur ndjeshëm vlerësimet për presidentin Donald Trump.

Ndërkohë, kosto të tjera vazhdojnë të rriten me shpejtësi, përfshirë disa produkte ushqimore, si edhe energjinë elektrike dhe ngrohjen e banesave.

Lexo edhe:Kur shikon veten në YouTube duke thënë gjëra që nuk i ke thënë kurrë: kërcënimi i deepfake-ve që duhet të përballemi!

Ku pritet të jetë karburanti më i lirë

Sipas GasBuddy, amerikanët pritet të shpenzojnë 11 miliardë dollarë më pak për karburant sesa në vitin 2025. Kjo përkthehet në një shpenzim mesatar vjetor prej 2.083 dollarësh për familje, nga 2.716 dollarë sa ishte në vitin 2022. Dhjetë shtete amerikane pritet të kenë mesatare vjetore nën 2,75 dollarë për gallon: Alabama, Arkansas, Kansas, Louisiana, Mississippi, Missouri, Oklahoma, South Carolina, Tennessee dhe Texas. GasBuddy parashikon që çmimet mujore të arrijnë kulmin në 3,12 dollarë për gallon në muajin maj, kur stacionet kalojnë në karburantin më të shtrenjtë të verës dhe kërkesa rritet. Deri në fund të vitit, çmimi mesatar pritet të bjerë në 2,83 dollarë për gallon.

Pse po bien çmimet në pompë

Edhe gjatë krizës së inflacionit në vitin 2025, karburanti ofroi lehtësim, me mesataren vjetore në SHBA që ra në 3,10 dollarë për gallon. Arsyeja kryesore e trendit rënës është çmimi i ulët i naftës në nivel global. Në vitin 2025, nafta humbi 20% të vlerës — rënia më e madhe vjetore që nga 2020. Çmimet e naftës së papërpunuar kanë rënë për katër tremujorë radhazi, seria më e gjatë e humbjeve tremujore që nga fundi i vitit 2001, sipas të dhënave të FactSet. Sipas US Energy Information Administration, çmimi i naftës në SHBA pritet të jetë mesatarisht 51 dollarë për fuçi këtë vit, nga 65 dollarë në 2025 dhe 77 dollarë në 2024.

De Haan thekson se çmimet relativisht të ulëta të naftës dhe benzinës nuk janë shenjë e telasheve ekonomike, pasi kërkesa për karburant mbetet solide. “Çmimet nuk po bien për shkak të mungesës së kërkesës, por si rezultat i rritjes së ofertës në të gjithë zinxhirin,” tha ai.

Rritja e ofertës lidhet kryesisht me OPEC të udhëhequr nga Arabia Saudite, e cila rriti ndjeshëm prodhimin në vitin 2025 nën presionin e Trump. Edhe prodhimi në SHBA mbetet i fortë, megjithëse strategjia “drill, baby, drill” ende nuk ka sjellë rritjen e vrullshme të premtuar.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0