Pasuria, pushteti dhe ndotja, fotografia reale e pabarazisë botërore në 2025-ën - Business Magazine Albania

Pasuria, pushteti dhe ndotja, fotografia reale e pabarazisë botërore në 2025-ën

Një raport i ri i World Inequality Report paralajmëron se më pak se 60 mijë nga njerëzit më të pasur në botë, aq sa për të mbushur një stadium futbolli, zotërojnë më shumë pasuri sesa gjysma e gjithë popullsisë së planetit së bashku. Raporti vë në pah hendekqe ekstremë në të ardhura dhe pasuri, të cilët përkthehen në shpërndarje të pabarabartë të pushtetit politik; një elitë globale që përbën vetëm 0,001 për qind të njerëzimit rezulton tri herë më e pasur sesa 50 për qindëshi tjetër.

Në kontrast të thellë me pasurinë dhe ndikimin e tyre, shtresa më e pasur “kontribuon në mënyrë të papërpjesëtueshme të ulët në financat publike; normat efektive të taksimit rriten për pjesën më të madhe të popullsisë, ndërsa bien ndjeshëm për miliarderët dhe qindra-milionerët”.Për të kuptuar përmasat, punonjësit e klasës së mesme me paga profesionale të larta, si mjekët, inxhinierët apo mësuesit, paguajnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre në taksa; ndërkohë që një miliarder, me pasuri të ndërtuar përmes strukturave offshore apo fitimeve nga kapitali, tatimohet shumë më pak.

“Ky realitet jo vetëm minon drejtësinë fiskale; ai i privon shoqëritë nga burimet që nevojiten për arsim, shëndetësi dhe veprim për klimën”, thekson raporti.

Gratë punojnë më shumë, burrat marrin më shumë pagesë

Megjithëse njerëzit punojnë më pak orë në total sesa dekada më parë, ulja e orarit ka favorizuar kryesisht burrat; ndërsa ngarkesa totale e punës për gratë mbetet e lartë.

“Kjo ndarje e pabarabartë e kohës është një nga treguesit më të qartë se përmirësimet në kushtet e punës nuk janë përkthyer automatikisht në barazi gjinore”, thuhet në raport.

Një tjetër dimension i pabarazisë shfaqet tek të ardhurat nga puna. Të dhënat tregojnë se çfarë përqindjeje të të ardhurave totale të gjeneruara nga puna marrin gratë në secilin rajon dhe si ka ndryshuar kjo gjatë viteve.

Lexo edhe: ‘Kriza ekzistenciale e Evropës’, Lagarde kërkon reforma urgjente në BE

“Pavarësisht progresit, gratë mbeten larg arritjes së barazisë në të gjitha rajonet e botës; globalisht, ato marrin vetëm rreth një të tretën e të ardhurave të punës… asnjë rajon nuk ka arritur një balancim 50–50 mes burrave dhe grave”, shton raporti.

Hendeku është veçanërisht i thellë në Azinë Jugore, Lindjen e Mesme dhe pjesë të Afrikës, ku gratë marrin më pak se një të katërtën e të ardhurave totale të punës.

Fajësoni pronarët e kompanive, jo qytetarët, për krizën klimatike

Një nga manifestimet më të dukshme të pabarazisë globale lidhet me ndryshimet klimatike dhe kontributet e pabarabarta ndaj tyre.

Emisionet e karbonit të 10 për qindëshit më të pasur në SHBA janë më shumë se dyzet herë më të larta sesa ato të 10 për qindëshit më të pasur në Nigeri; ndërsa një individ që bën pjesë në 1 për qindëshin e sipërm global ndot mesatarisht shtatëdhjetë e pesë herë më shumë sesa një person në 50 për qindëshin e poshtëm.

Shumica e vlerësimeve tradicionale i atribuojnë emisionet konsumatorit përfundimtar, duke nxjerrë në pah diferencat e stilit të jetesës; por kjo qasje lë jashtë një dimension thelbësor: pronësinë e kapitalit.

Njerëzit e zakonshëm nuk mund të ndryshojnë lehtësisht çfarë blejnë, për shkak të buxheteve të kufizuara, mungesës së informacionit ose mungesës së alternativave të gjelbra.

Në të kundërt, pronarët e fabrikave, kompanive energjetike dhe aseteve të tjera të mëdha vendosin se ku investohet kapitali dhe përfitojnë prej fitimeve të industrive ndotëse.

“Në qasjen e bazuar te pronësia, emisionet i atribuohen atyre që zotërojnë kapitalin prodhues; nëse një individ ka 50 për qind të aksioneve të një kompanie, atij i llogaritet 50 për qind e emisioneve të saj, pavarësisht nëse zotërimi është i drejtpërdrejtë apo përmes fondeve të investimit”, shpjegon raporti.

Në Francë, Gjermani dhe SHBA, gjurma e karbonit e 10 për qindëshit më të pasur është 3 deri 5 herë më e lartë kur llogariten emisionet nga pronësia private.
Në SHBA, 10 për qindëshi i lartë gjeneron 24 për qind të emisioneve të bazuara në konsum, por 72 për qind të atyre të bazuara në pronësi.

Në shkallë globale, hendeku bëhet edhe më i mprehtë: 1 për qindëshi më i pasur përgjigjet për 41 për qind të të gjitha emisioneve të gazeve serrë kur përdoret metoda e pronësisë, kundrejt vetëm 15 për qind sipas qasjes tradicionale të konsumit.

Pushteti financiar vazhdon të favorizojë më të pasurit

Raporti argumenton se sistemi monetar dhe financiar ndërkombëtar është ndërtuar për të favorizuar vendet e pasura, duke zhveshur nga burimet ato më të varfrat.

“Një grup i privilegjuar vendesh ka avantazhin e huamarrjes me kosto të ulët dhe investimit në asete më fitimprurëse… ky avantazh u përshkrua në vitet 1960 si ‘privilegji i tepruar’ i SHBA-së”, thekson raporti, duke nënvizuar se ky nuk ishte rezultat i investimeve të jashtëzakonshme, por i rolit qendror të dollarit.

Sot, jo vetëm SHBA-ja, por edhe Europa, Japonia dhe ekonomitë e tjera të përparuara e gëzojnë të njëjtën situatë; ndërsa vendet në zhvillim paguajnë interesa të larta, mbajnë rezerva me përfitime të ulëta dhe derdhin miliarda çdo vit drejt vendeve të pasura në formë pagesash neto të të ardhurave.

20 për qindëshi më i pasur i vendeve regjistron rregullisht “fitime të tepërta” në pozicionet e tyre të jashtme, rreth 1 për qind e PBB-së së kombinuar.
Ndërsa 80 për qindëshi më i varfër është vazhdimisht debitor neto dhe përballet me humbje që kapin rreth 2 për qind të PBB-së.
Në disa rajone të varfra, pagesat që dalin jashtë vendit janë më të larta sesa shpenzimet vjetore të qeverive për shëndetësi.

Raporti nënvizon se ky fenomen nuk është rezultat i tregjeve natyrore, por i dizajnit politik dhe institucional të sistemit global.

Në përfundim, dokumenti thekson se sistemi aktual riprodhon pabarazi midis vendeve në mënyra që, edhe pse më të sofistikuara, kujtojnë modelet e vjetra të shfrytëzimit kolonial.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0