Pasta e dhëmbëve e përbërë nga flokët, së shpejti në treg sipas shkencëtarëve - Business Magazine Albania

Pasta e dhëmbëve e përbërë nga flokët, së shpejti në treg sipas shkencëtarëve

Pasta e dhëmbëve e përbërë nga flokët, së shpejti në treg sipas shkencëtarëve

Fluori në pastat e dhëmbëve ka treguar se forcon smaltin dentar, duke i bërë dhëmbët më rezistentë ndaj acideve që krijohen nga pllaka bakteriale dhe ushqimet.

Por një grup studiuesish nga King’s College London thonë se kanë zbuluar një substancë që mbron më mirë nga prishja e dhëmbëve dhe riparon dëmtimet e hershme më efektivisht se fluori. Substanca është keratina,  një proteinë që ndodhet natyrshëm në flokë, lëkurë, thonj dhe në leshin e deleve. “Po hyjmë në një epokë të re ku bioteknologjia nuk trajton vetëm simptomat, por rikthen funksionet natyrore duke përdorur materiale të vetë trupit,” – shprehet Sherif Elsharkawy, autor i studimit dhe konsulent në protetikë pranë King’s College London. “Me zhvillime të mëtejshme dhe partnerë të industrisë, së shpejti mund të kemi buzëqeshje më të forta e më të shëndetshme nga diçka aq e zakonshme sa një prerje flokësh.”

Keratina, e njohur si “blloku ndërtues” i flokëve dhe thonjve, formon një shtresë minerale të dendur që imiton strukturën dhe funksionin e smaltit. Kjo shtresë jo vetëm që mbron dhëmbët, por mund të mbyllë edhe kanalet nervore të ekspozuara që shkaktojnë ndjeshmëri. Në studim, keratina u përftua nga leshi i deles. Ajo, kur vendoset mbi sipërfaqen e dhëmbit, bashkëvepron me mineralet e pranishme në pështymë, duke formuar një strukturë kristalore të ngjashme me smaltin. Kjo krijon një “skelet” që vazhdon të tërheqë kalcium dhe fosfat, duke mundësuar rritjen graduale të një shtrese mbrojtëse.

Lexo edhe:Opinion/ Kam zbuluar ‘makinën’ që shton karburant gjatë lëvizjes

Smaltit i mungojnë qelizat e gjalla, ndaj nuk mund të rigjenerohet vetë. Njëherë i humbur, ai nuk rikthehet. Por zbulimi i keratinës shihet si një hap i madh në dentistrinë rigjeneruese, një fushë që synon të përdorë mekanizmat natyrorë të trupit në vend të materialeve sintetike. “Keratina është një alternativë transformuese për trajtimet dentare aktuale,” – thekson Sara Gamea, autore kryesore e studimit. “Ajo sigurohet në mënyrë të qëndrueshme nga mbetje biologjike si flokët dhe lëkura dhe eliminon nevojën për rrëshira plastike tradicionale, të cilat janë toksike dhe më pak jetëgjata.”

Sipas studiuesve, produkti i parë me bazë keratine pritet të komercializohet si pastë dhëmbësh ose xhel profesional për përdorim tek dentisti, brenda dy deri tre vitesh. Ky zhvillim mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën si kujdesemi për shëndetin oral – nga mbrojtja e thjeshtë ndaj dëmtimeve, tek rigjenerimi biologjik real i dhëmbëve. Kaviteti dentar mbetet një nga sfidat më të përhapura të shëndetit publik. Ai prek rreth 90% të të rriturve mes moshës 20–64 vjeç dhe gati gjysmën e fëmijëve. Shkaqet kryesore janë higjiena e dobët orale, konsumimi i ushqimeve dhe pijeve acidike, sheqerit, por edhe faktorë si mosha, gjenetika apo gjendje të caktuara shëndetësore si goja e thatë, refluksi apo shtrëngimi i dhëmbëve. Ky studim, i publikuar këtë javë në revistën Advanced Healthcare Materials, shënon një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje më të qëndrueshme dhe më efektive në stomatologji.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0