Mëngjesin e sotëm, çmimi i naftës në disa pika karburanti në Tiranë është rritur duke arritur në 199 lekë për litër. Ky është niveli më i lartë që nga nisja e konfliktit në Lindjen e Mesme, 16 ditë më parë dhe përfaqëson një rritje prej 14% ose 24 lekë për litër krahasuar me çmimin para konfliktit.
Shoqata e Hidrokarbureve ka sqaruar më herët se çmimi i naftës në tregun e pakicës reflekton luhatjet e bursave ndërkombëtare. Në tregjet globale, çmimi i naftës “Brent Crude” ka arritur 103.2 dollarë për fuçi, nga 65 dollarë për fuçi para nisjes së konfliktit. Kjo rritje pasqyron pasigurinë dhe ndërprerjet në furnizimin global, duke përfshirë goditjet e Iranit ndaj Izraelit dhe disa shteteve arabe, si dhe tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për transportin e naftës.
Goditjet e Iranit dhe pasiguria rreth Hormuzit kanë shtuar presionin mbi tregjet, ndërsa SHBA ka bërë thirrje për një koalicion ndërkombëtar për të siguruar kalimin e anijeve. Ministrat e Jashtëm të BE-së po diskutojnë zgjerimin e një misioni detar në rajon, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se çmimet e gazit mund të mbeten të larta për shkak të ndërprerjeve të furnizimit. Nivelet e magazinimit në Europë janë nën 30%, thuajse 20% më poshtë se një vit më parë, duke reflektuar ndjeshmërinë e tregut ndaj çdo shoku global.
Lexo edhe: Nga nafta te ushqimi, si lufta me Iranin mund të ndezë krizën e radhës globale
Për Europën, e cila ka pasur vështirësi në sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm të energjisë që nga ndërprerja e marrëdhënieve me Rusinë pas pushtimit të Ukrainës, konflikti në Lindjen e Mesme mund të përkthehet në një krizë tjetër energjetike që ndikon tek familjet dhe industria.
Në vend, qeveria shqiptare ka ngritur një task force monitorimi për të ndjekur tregun e karburanteve për të shmangur pasojat e luhatjeve të çmimeve për konsumatorët dhe bizneset shqiptare.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë, rritja e çmimeve të energjisë mund të ndikojë direkt në koston e transportit, industrinë dhe ekonominë globale, duke u reflektuar edhe në xhepat e qytetarëve shqiptarë./ BusinessMag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto