Nëse mendonit se zhbllokimi i pajisjeve nuk mund të bëhej më personal, duket se tani hyn në lojë vetë kafka juaj. Gjithçka nisi me fjalëkalime, më pas me PIN-e, më pas me gjurmë gishti dhe në fund me Face ID. Tani, studiuesit po shkojnë një hap më tej: po shikojnë brenda trupit tuaj dhe po pyesin nëse identiteti mund të verifikohet nga mënyra si “vibron” organizmi juaj.
Një ekip i udhëhequr nga Yingying Chen në Rutgers University ka zhvilluar një sistem të quajtur VitalID. Ky sistem kap dridhjet shumë të vogla që krijohen nga frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës, dridhje që përhapen nga qafa drejt kokës dhe ndryshojnë sipas formës së kafkës. Me pak fjalë, çdo person ka një “firmë” unike të kafkës së tij.
Në fakt, trupi juaj ju ka “identifikuar” gjatë gjithë kohës pa e ditur. Edhe kur qëndroni plotësisht të qetë, zemra dhe frymëmarrja krijojnë valë shumë të lehta që ngjiten drejt kokës. Forma e kafkës i modifikon këto valë në një mënyrë unike për secilin individ. Është si një biometrikë personale, e fshehur brenda trupit tuaj.
Ndryshe nga fjalëkalimet apo kodet, kjo teknologji funksionon në sfond. Nuk keni nevojë të bëni asgjë, mjafton të ekzistoni, ndërsa pajisja kujdeset për pjesën tjetër.
Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme në një botë që po shkon drejt realitetit të zgjeruar (XR), që përfshin virtual, të shtuar dhe të përzier. Nuk bëhet më fjalë vetëm për lojëra. Po flasim për takime pune, blerje online dhe madje edhe konsultime mjekësore. Kur pajisjet si headset-et fillojnë të ruajnë të dhëna si informacion bankar, dokumente pune apo të dhëna shëndetësore, siguria bëhet thelbësore.
Sot, identifikimi në këto sisteme është ende një sfidë. VitalID ofron një zgjidhje ndryshe: përdor trupin tuaj si çelës dhe ju verifikon vazhdimisht, pa pasur nevojë të ndaloni çdo pak minuta për t’u loguar.
Sigurisht, teknologjia nuk është perfekte, por rezultatet janë mbresëlënëse. Në testime, sistemi arriti mbi 95% saktësi në identifikimin e përdoruesit të saktë dhe mbi 98% në bllokimin e personave të paautorizuar. Dhe kjo duke u bazuar thjesht në ritmin natyror të trupit tuaj. Mund të falsifikosh një buzëqeshje, ndoshta edhe të mashtrosh një kamerë me një foto, por të imitosh në mënyrë të saktë dridhjet biomekanike të kafkës së dikujt tjetër është pothuajse e pamundur.
Natyrisht, ideja që një pajisje “dëgjon” vazhdimisht trupin tuaj mund të ngrejë disa shqetësime. Por nga ana teknologjike, është një zgjidhje shumë inteligjente. Në thelb, është thjesht software që shfrytëzon sinjale që trupi juaj i prodhon tashmë.
Kjo do të thotë se në të ardhmen, hyrja në pajisje mund të mos jetë më diçka që bëni aktivisht. Mund të jetë thjesht diçka që jeni. Dhe nëse kjo tingëllon pak invazive, por edhe jashtëzakonisht interesante, atëherë po, mirë se vini në të ardhmen!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto