Pandemia nxit risi në teknologji - Business Magazine Albania

Pandemia nxit risi në teknologji

Inxhinierë të universitetit “Northwestern” në Evanston të shtetit të Ilinoisit, po punojnë për zhvillimin e një teknologjie të re në ndihmë të punonjësve të kujdesit shëndetësor që punojnë në vijën e parë të frontit kundër COVID-19. Siç raporton nga Çikago korrespondenti i “Zërit të Amerikës” Kane Farabaugh, situata aktuale e krijuar nga pandemia mund të ketë avantazhet e saj, sikurse janë risitë teknologjike me një ndikim të qëndrueshëm e afatgjatë.

Në kampusin e madh të universitetit “Northwestern”, në fund të një korridori të gjatë ku ndodhet Instituti Teknologjik i shkollës, Josiah Hester po praktikon distancimin e sigurt fizik në një “laborator kompjuterik të lëvizshëm”. Ai është pjesë e një ekipi të vogël inxhinierësh që po punon për zhvillimin e teknologjive të reja me qëllimin për të ndihmuar në luftën kundër pandemisë së koronavirusit. “Po punojmë rreth atyre që quhen pajisje personale mbrojtëse, pra për të krijuar pajisje të tilla inteligjente. Mund t’i përfytyroni si maska me sensorë të vegjël në to për të zbuluar gjëra të ndryshme, nga simptomat e COVID-it, lodhja, madje deri tek ajo nëse maska i përshtatet fytyrës, apo nëse po e vendos ashtu siç duhet”, thotë Josiah Hester, asistent Profesor, i inxhinierisë kompjuterike, universitetit “Northwestern”.

Sfida e zotit Hester është krijimi i sensorëve që funksionojnë pa bateri si dhe të ulë koston e prodhimit ndërsa po krijon diçka që nuk ekziston ende e që duhet ta prodhojë brenda disa muajsh e jo vitesh. “Në thelb, pasi ta kemi shmangur baterinë, e cila është një nga pjesët më të vështira, me qëllimin për të minimizuar koston do të jetë njësoj si të ndërtosh një kompjuter shumë të vogël e që kushton pak”, shton ai.

Në anën tjetër të Institutit Teknologjik, profesori i inxhinierisë biomjekësore John Rogers jo vetëm po udhëheq një ekip që po punon për krijimin e sensorëve që mund t’i vendosësh në trup, por po i prodhon ato në laboratorin e kampusit të universitetit “Northwestern”. “Pajisjet që ne po zhvillojmë kanë faktorë fizike shumë të ngjashëm me ato të një ankerplasti, kështu që ne mund t’i vendosim ato në çdo pjesë të trupit dhe nuk jemi të kufizuar. Unë kam vendosur një nga pajisjet pas qafës. Fillimisht e zhvilluam këtë pajisje për të matur aktivitetin e të folurit dhe të gëlltitjes tek ata persona që i kanë mbijetuar goditjes në tru”, thotë John Rogers, profesor i Inxhinierisë Biomjekësore, universiteti “Northwestern”.

Si përgjigje ndaj shqetësimit mbi ekspozimin ndaj pandemisë të punonjësve të kujdesit shëndetësor, zoti Rogers dhe ekipi i tij e kanë përshtatur pajisjen për të përmbushur sfidat e momentit. “Ky sistem mund të përshtatet për të monitoruar simptomat kryesore të frymëmarrjes të lidhura me COVID-19, si gulçimi dhe kollitja”, thotë ai.

Në më pak se tre javë, ekipi i tij i modifikoi pajisjen dhe i dërgoi në dy institucione mjekësore të zonës së Çikagos, ku ata do të mbledhin të dhëna të analizuara nga algoritmi i makinerisë, i ndërtuar për të monitoruar simptomat e COVID-19. Zoti Rogers thotë se kërkesa për pajisjen po rritet. “Po zhvillojmë diskutime të ndryshme me disa kompani që duan t’i përdorin këto pajisje tek punonjësit, në mënyrë që të ndjekin ecurinë e shëndetit të tyre”.

Por kjo paraqet një tjetër sfidë sikurse është ajo e rritjes së prodhimit. “Ne gjithashtu kemi kontaktuar kompani për të siguruar prodhim në një shkallë më të gjerë e për të arritur nivelet e duhura që nuk mund t’i arrijmë me filantropi e grante federale në fushën kërkimore”, thotë zoti Rogers.

Ndërsa punon për të zvogëluar madhësinë e sensorit të pajisjes Josiah Hester është i vetëdijshëm për ndikimin që do të ketë puna e tij tek monitorimi i virusit dhe në shpëtimin e jetëve. “Ndikimi shkencor që mund të ketë e ka kthyer këtë në një sfidë tejet të vështirë. Por pavarësisht kësaj ne do ta vazhdojmë kërkimin tonë shkencor i cili mund të jenë i dobishëm më vonë, në ndërtimin e këtyre lloj pajisjesh”.

Pajisje të cilat mund të nxisin më tej teknologji e aplikime të reja që mund të sjellin një përfitime të qëndrueshme përtej sektorit të kujdesit shëndetësor, edhe pasi pandemia të ketë marrë fund.

VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0