Frika nga pandemia e COVID-19 ka ulur në mënyrë të ndjeshme frekuentimin e palestrave, sipas drejtuesve të këtyre qendrave në Tiranë, për shkak të rrezikut të infektimit. Interesimi për trajtime profesionale në qendrat e dobësimit është ulur, ndërsa që nga periudha e karantinës e deri më tani, janë rritur ndjeshëm kërkesat për dieta të personalizuara dhe aktivitet fizik, nëpërmjet trajnerëve personalë. Megjithatë, shqiptarët nuk i kanë tkurrur kërkesat për dobësim nëpërmjet mënyrave të tjera alternative, siç janë qendrat e dobësimit Body Code (stërvitje që kryhet vetëm 20 minuta në javë, nëpërmjet pajisjeve elektrostimuluese të licencuara në SHBA që nga viti 1950), që janë me pak lodhje, por më të kushtueshme. Gjatë pandemisë, kujdesi për ushqyerje të shëndetshme dhe të rekomanduar nga dietologët është rritur. Edhe të prekurit me COVID-19 kanë rritur kujdesin për veten.
Rreth 45% e grave dhe 53% e burrave të moshës 15-49 vjeç janë mbi peshë, sipas të dhënave të anketës së përbashkët “Për demografinë dhe Në lidhje me prevalencën e obezitetit, shqiptarët renditen në vendin e 74 në botë nga 180 vende sipas të dhënave të publikuara nga CIA World Fact Book. Në 2016, prevalenca e obezitetit arriti 21,7% nga 18,1% që ishte në 2014.
Anila Kalleshi, dietologe dhe drejtuese e një qendre dobësimi në Tiranë, u shpreh për “Monitor” se në periudhën e izolimit, shumë njerëz shtuan në peshë, për shkak të ndërprerjeve të aktivitetit fizik dhe faktorëve të tjerë psikologjikë.
“Gjatë karantinës, kur qendrat e dobësimit ishin mbyllur, në rrjetet sociale dhe media kishte kërkesa të shumta për dhënie këshillash për humbje në peshë. Duhet thënë se në këtë periudhë, shumë njerëz shtuan peshë, për shkak të mungesës së lëvizjes, depresionit të shkaktuar nga izolimi, stresit, ankthit, panikut nga humbja e punës dhe në tërësi nga përballja me këtë situatë të panjohur më parë. Të gjithë këta faktorë ndikuan për shtimin në peshë dhe ishin të rrallë personat që nuk shtuan peshë.”
Sa fruta dhe yndyra përdorin njerëzit
Studimi më i fundit i Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT rekomandon që adoleshentët aktivë dhe të rriturit, të cilët konsumojnë rreth 2,200 kalori në ditë, të kenë në regjimin e tyre ushqimor katër lloje perimesh dhe tre lloje frutash. Vetëm 5% e femrave dhe 2% e meshkujve 15-49 vjeç kishin konsumuar numrin e rekomanduar të frutave dhe perimeve një ditë para studimit.
Anketa vërejti se konsumi i frutave dhe perimeve ndryshon sipas qarkut. Në prefekturën e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës, Korçës, më pak se 1% e grave dhe 0% e meshkujve kishte kombinimin e rekomanduar të frutave dhe perimeve, ndërsa në Dibër, 13% e femrave dhe 12% e meshkujve, dhe në Kukës, 14% e femrave dhe 18% e meshkujve, kishin kombinimin e rekomanduar të frutave dhe perimeve.
Përqindja e popullsisë që përdorin yndyra në vendin tonë është e lartë, sipas gjetjeve të anketës. Rreth 90% e të anketuarve të moshës 15-49 vjeç përdorin vaj vegjetal për gatim. Përdorimi më i lartë i vajit është te femrat, 91% e tyre kurse te burrat, 86%. Përdorimi i gjalpit për gatim përdorej në 6% të rasteve. Konsumi më i lartë i gjalpit është në zonat rurale sesa në zonat urbane, si për gratë ashtu edhe për burrat. Konsumi më i lartë i këtij produkti është vlerësuar të jetë te burrat në Dibër dhe Kukës.
LEXO: Ndikimi pozitiv i ushtrimeve fizike në tru
Çfarë duhet të konsumohet më shumë
Ushqyerja duhet të jetë e shëndetshme në çdo kohë, sipas rekomandimeve të dietologes Bombaj, ndërsa është e domosdoshme shmangia e përdorimit të lartë të yndyrave, sheqernave dhe ushqimeve të gatshme.
“Në këtë periudhë duhet të konsumohen në ekuilibër të gjitha ushqimet, prandaj larmia dhe balanca janë çelësi i suksesit. Nuk duhet lënë pa konsumuar asnjë grup ushqimi, si bulmeti, mishi, drithërat, fruta-perimet, fasulet dhe yndyrat e shëndetshme. Është e domosdoshme të shmangen ushqimet e panevojshme, ato të gatshme, të përpunuara, të ëmbla, pra të konsumohet sa më shumë ushqim shtëpie. Edhe konsumi i frutave të stinës është i nevojshëm për të marrë vitamina C dhe rrezet e diellit për marrjen e vitaminës D, të cilat ndikojnë në forcimin e imunitetit”, pohon dietologia Blerina Bombaj.
Dietologia Blerina Bombaj tha se në këtë periudhë, njerëzit kanë rritur vëmendjen për ushqime të shëndetshme, organike dhe natyrale. “Mendoj se në këtë periudhë, është e domosdoshme të bëhet shumë kujdes me ushqimin dhe të mos bëhen eksperimente me dieta të pashëndetshme. Është e rëndësishme të biesh në peshë në mënyrë të shëndetshme, duke qenë se obeziteti është një faktor i lartë risku për prekjen nga COVID-19, për të mos u ulur sistemin imunitar. Këshillohet një dietë e shëndetshme dhe e ekuilibruar, që rënia të rezultojë në masën e masës dhjamore, jo të masës muskulare dhe dëmtim të sistemit imunitar.”
Bum kërkesash për dietat e personalizuara
Mbipesha është konsideruar edhe si një ndër faktorët me risk të lartë për prekjen nga COVID-19. Kjo ka rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin e popullatës për mbajtjen e trupit në formë dhe humbje në peshë, sipas dieotologes Anila Kalleshi. Numri i personave që trajtohen në qendrën e dobësimit, nuk ka shënuar rënie, por sipas zonjës Kalleshi, është rritur tendenca për dieta të personalizuara dhe testin e intolerancës ushqimore, krahasuar me trajtimet e tjera më të kushtueshme. “Në këtë periudhë janë shtuar rastet e personave që kërkojnë të humbin peshë me forma me më pak kosto, si nëpërmjet ndjekjes së dietave të personalizuara, testi i intolerancës ushqimore, që ka pasur një bum kërkesash krahasuar me trajtimet e tjera, më të kushtueshme.”
Edhe njerëz të prekur nga koronavirusi, kanë marrë ushqim të rekomanduar nga dietologët, në muajt e karantinës, duke shtuar kujdesin për konsum të ushqimit të mirë dhe të shëndetshëm. “Rezulton që më të prekurit nga COVID-19 janë meshkujt, pra ata janë më të rrezikuarit për t’u infektuar. Në këtë periudhë duhet të merren masa për uljen e masës dhjamore, e cila ndikon tek inflamacioni. Për meshkujt është më shumë e theksuar shtimi i peshës te zona e barkut, që shkakton më tepër inflamacion. Nga ana tjetër, meshkujt përfitojnë më shumë nga një regjim ushqimor, ata bien më shpejt në peshë sesa femrat”, pohon dietologia Bombaj.
“Braktisen” palestrat
Praktika e ushtrimeve aerobike ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nëpër prefektura. Përqindja e grave që ushtrojnë 5 deri në 7 ditë në javë është 19% në Tiranë, krahasuar me 3% në Durrës dhe 2% në Shkodër, sipas të dhënave të studimit për shëndetin. Midis burrave, këto shifra përkatësisht janë 18% në Tiranë dhe më pak se 1% në Durrës.
Edhe edukimi konsiderohet një faktor i lidhur fort me praktikën e aktiviteti fizik, ku nga të dhënat: 13% e grave që kanë përfunduar studimet universitare dhe pasuniversitare kryejnë ushtrime aerobike 5 deri në 7 ditë në javë, krahasuar me 3% të grave me arsim fillor. Në mënyrë të ngjashme, 14% e burrave me arsim pasuniversitar, ushtrojnë stërvitje 5 deri në 7 ditë në javë, krahasuar me 7% të burrave me arsim fillor.
Me shfaqjen e rasteve të para me koronavirus, palestrat dhe qendrat e dobësimit ishin ndër të parat njësi shërbimi që u mbyllën nga qeveria, duke përfshirë baret, lokalet, restorantet, klubet e natës dhe qendrat e kërcimit. Pas përfundimit të karantinës, palestrat në vend u rihapën më 1 qershor, në fazën e dytë të hapjes të ekonomisë.
Ish-atletja Klodiana Shala, aktualisht drejtuese e një palestre në kryeqytet, thotë se për shkak të pandemisë, frekuentimi i palestrës ka rënë 80%, gjë që ka sjellë pezullimin e punës që nga muaji korrik. Një arsye tjetër e rënies së frekuentimit është reduktimi i të ardhurave nga kriza e pandemisë. “Pas vendimit të qeverisë për rinisjen e punës në palestra u pa një rënie e numrit të frekuentuesve deri në 80%. Kjo pasi individët ishin në panik dhe të frikësuar nga rreziku i infektimit në këto ambiente, pavarësisht se masat mbrojtëse janë zbatuar në mënyrë të rreptë, që nga dezinfektimi i sallës, veglave të ushtrimeve, dusheve dhe ambienteve të tjera të përbashkëta.
Kërkesat më të larta ishin për kryerjen e ushtrimeve me trajner individual, që janë dhe më të kushtueshme, por duhet theksuar se edhe kjo tendencë nuk ishte shumë e madhe. Edhe reduktimi i të ardhurave, për shkak të humbjes së punës, është një tjetër faktor që ka ndikuar te rënia e frekuentimit. Njerëzit po tregohen gjithnjë e më të kujdesshëm për shpenzimet, edhe nga frika se sa do të vazhdojë pandemia. Për këto arsye u detyruam ta mbyllim punën në muajin korrik, për ta rihapur më vonë me shpresën që situata do të përmirësohet dhe frekuentimi do të rritet”.
Klodiana Shala rekomandon që njerëzit të tregohen të kujdesshëm dhe pavarësisht pandemisë, nuk duhet të ndërpresin aktivitetin sportiv, për shkak të rritjes së obezitetit. “Në këtë periudhë, por edhe në kohë normale, njerëzit nuk duhet ta ndërpresin asnjëherë aktivitetin sportiv, qoftë nëpërmjet frekuentimit të palestrës, ushtrimit të çfarëdolloj sporti, kryerjes të aerobisë edhe në kushte shtëpie, pasi vihet re një tendencë në rritje e obezitetit, sidomos te fëmijët”.
Alternativat e tjera të humbjes së peshës
Një tjetër zgjedhje që po bëjnë individët për të humbur në peshë apo për të mbajtur trupin në formë, është edhe palestra jo shumë aktive, për arritje të rezultateve, pa shumë sforco, me pak kohë, por me më shumë para. Albioni, instruktor i një qendre Body Code në Tiranë, thotë se në këtë periudhë pandemie, njerëzit po i kushtojnë më shumë rëndësi kujdesit të higjienës, por edhe interesi për rënien në peshë dhe ruajtjen e formës fizike nuk është zbehur.
“Interesimi i popullatës shqiptare vazhdon të jetë në rritje për rënien në peshë, por edhe për kujdesin e formës fizike. Prej kohësh, kjo tendencë nuk ka shënuar rënie, pavarësisht mënyrës që zgjedhin për t’u dobësuar apo për të tonifikuar trupin. Avantazh i përdorimit të body code është arritja e rezultateve brenda një kohe të shkurtër, për seanca që zgjasin nga 20 deri në 30 minuta në javë, ndryshe nga një formë tjetër stërvitje që të merr më shumë kohë dhe angazhim. Duhet theksuar, se pavarësisht pandemisë, njerëzit nuk e kanë ulur interesimin”.
Tendenca për të ardhmen
Drejtuesja e qendrës të dobësimit, Anila Kalleshi, parashikon se rikthimi i një vale të dytë të COVID-19 do të ndikojë jo vetëm tek ekonomia, por edhe te ndryshimi rrënjësor i sjelljeve të njerëzve për trajtime dobësimi dhe shërbime të tjera të domosdoshme. “Nëse më parë, njerëzit ishin më të prirë drejt trendeve të trajtimeve, sot ato i shohin ndryshe. Por jo vetëm trajtimet e humbjes në peshë dhe mbajtjes në formë të trupit, edhe trajtimet e bukurisë, të mirëmbajtjes së flokëve, fytyrës etj. Mendoj se edhe në vazhdim, kjo do të jetë tendenca”. Dietologia Blerina Bombaj pohon se faktori kryesor që ndikon drejtpërdrejt te mbipesha është kequshqyerja. Krahasuar me rajonin, sipas të dhënave të CIA, Shqipëria renditet e treta për nga prevalanca e lartë e obezitetit. Në vitin 2014, Shqipëria kishte prevalancën më të ulët në rajon. Në vendin e parë, me prevalencë më të lartë obeziteti është Mali i Zi, me 23,3%. Të dytët me normë më të lartë janë maqedonasit ku prevalenca e obezitetit ishte 22.4%, më pas renditen serbët, 21,5% dhe boshnjakët, 17,9%.
Indeksi i Masës Trupore (BMI) përllogaritet duke pjesëtuar peshën e një personi në kg me gjatësinë e tyre në katror dhe është një tregues nëse personi ka një peshë të shëndetshme apo jo. Nëse indeksi i masës trupore është mbi 25, tregon mbipeshë, mbi 30 tregon obezitet dhe mbi 40 tregon obezitetin patologjik.
Vendi me prevalencën më të lartë të obezitetit në botë është Kuvajti me 37,9%, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 36,2%. Popullsia të lartë obeze kanë edhe vendet e Arabisë Saudite, Katarit, Libisë dhe Libanit. Vendi me banorët më elegantë në botë për vitin 2016 është Vietnami, me prevalencë prej 2,1%. Prevalancë të ulët obeziteti nga 2,1% deri në 5,3% kanë edhe vendet afrikane, India dhe Koreja.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.