“Vala” e bukurisë koreane pritet të shtrihet edhe në Shqipëri
Një rastësi vendosi për të ardhmen e saj dhe sot Pamela Medha, drejton kompaninë “VALA” e cila tregton produkte koreane për kujdesin ndaj lëkurës . Biznesi i vajzës së suksesshme shqiptare operon në Kuvajt, por eksporton edhe në vendet e Lindjes së Mesme dhe në Europë. Plani më i afërt i Pamelës është të hapë edhe biznese fizike në Shqipëri. Vijueshmëria e kompanisë ka qenë shumë e mirë dhe kjo për faktin se produktet koreane për nga cilësia po konkurojnë edhe ato italiane, franceze, amerikane apo japoneze.
Pamela sa vite u bënë tashmë që ju jeni në Kuvajt?
Jam prej 7 vitesh në Kuvajt. Nuk kam patur ndonjë synim për Lindjen e mesme apo ndonjë vend të largët përveç Gjermanisë ku kam studiuar. Gjithsesi ishte një rastësi, ku një firmë Kuvajtjane ishte për vizitë në Tiranë dhe mu desh të punoja për to. Më pas ato më ftuan në Kuvajt dhe pjesa tjetër është histori.
Si nisi rrugëtimi juaj atje dhe ku jemi sot?
Erdha me ftesë pune si menaxhere nga firma Kuvajtjane që punoja në Shqipëri. Më pas u promovova nga dy firma të tjera më të mëdha dhe 5 vitet e fundit kam punuar si zhvilluese biznesi (Business Developer) për industrinë e mbrojtjes me klientë qeverinë dhe ushtrinë amerikane në Kuvajt. Gjatë viteve të fundit themelova kompaninë “VALA” gjithashtu edhe punoja si zhvilluese biznesi. Mu desh të jap dorëheqjen nga puna si punonjëse për të vazhduar nismën time plotësisht. Vitin e fundit kam qenë e punësuar me kohë të plotë nga kompania ime dhe mbaj rolin e CEO përveç të qënurit themeluese dhe pronare e kompanisë.
Cilat janë pritshmëritë e tua dhe a parashikoni një zgjerim të biznesit ?
Ka pasur shumë kërkesa nga Shqipëria, kam bashkëpunëtorë e familjarë që më nxisin. Produktet janë blerë edhe nga Shqipëria nëpërmjet FEDEX apo DHL dhe me këtë fluks mendojmë të hapin dicka sa më shpejt. Ka disa hapa që mund të na marrin kohë duke qenë se jemi distributor ekskluziv për markat tona në Kuvajt si edhe në Shqipëri. Pas mbarimit të gjithë procedurave do vijmë në Tiranë si fillim. Në bazë të kësaj ecurie do shohim për më tej. Përsa i përket zyrave kryesore të “VALA” në Kuvajt, ne kemi bërë shpesh herë eksport për vendet e lindjes si edhe Europë. Këto janë ecuritë dhe planet më të afërta.
Na tregoni për të gjithë gamën e produkteve që ofroni dhe specifikat?
Si fillim e kemi nisur me linjën SUNTIQUE që specializohet në mbrojtës kundra diellit për çdo lloj fytyre dhe stili jetese. Misioni ynë është edhe ndërgjegjesimi kundër dëmtimeve të diellit ndaj e sollëm këtë brand si fillim. Më pas kemi marrë brande të tjera si YOUR VEGAN, të cilat janë me ujë krundesh orizi dhe 90 % përbërës organik, ideale për gjithë llojet e fytyrave. Brande të tjera fokusohen tek përbërësit, si Kërmill Origjinal, ose CICA Centella, Niacinamide, Tea Tree etj. Të gjithë këto përbërës, ndihmojnë për një lëkurë të pastër, shëndetshme dhe plot shkëlqim. Rekomandohet larja e fytyrës 2 herë në ditë, përdorja e tonikut, serumit, kremit dhe sidomos SPF. Këto janë shumë të rëndësishme nëse dëshironi një fytyrë qelqi si Koreanët. Pastaj duhet të përdorni maska, peeling dhe patches sa herë të keni kohë. Pra këto si më sipër janë filozofia e një lëkurë të shëndetshme koreanë. Të mos harrojmë të jetuarit dhe ushqyerit shëndetshëm, sepse fytyra reflekton pikërisht atë që kemi në trup dhe mendje.
Përse pëlqehehen kaq shumë produktet Koreane?
Produktet kanë një cilësi shumë të lartë për një çmim shumë të mirë. Duke qenë se unë jam diplomuar në busines dhe punoj prej shumë vitesh në menaxhim, e di shume mirë si funksionon vendosja e çmimeve dhe cilësia në treg. Ndërkohë që markat si Dior, Chanel etc. kanë cilësi shumë të lartë, ato gjithashtu vendosin çmim të lartë për emrin e tyre. Në këtë mënyrë konsumatori blen Cilësi + Brand (emrin) + Fitimin, ndërkohë që me firmat koreane konsumatori blen vetëm Cilësi + Fitim, sepse ato nuk faturojnë klientët për emrin e tyre. Tregu i produkteve koreane rritet çdo ditë dhe ato si njerëz janë shumë eksperimental dhe inovatorë. Ndaj ka marka të ndryshme edhe pse jo të njohura me cilësi shumë të mirë. Gjithashtu shteti Korean ka standard shumë të lartë dhe kjo e bën atë vend të prodhojë cilësi të tillë si në kozmetike, ashtu edhe në teknologji, automjete etj. Mund të them se kozmetika koreane po sfidon haptazi ato italiane, franceze, amerikane apo japoneze për vet faktin se popullata koreane janë një kapital shumë i vyer njerëzor, plut përulësi, punëtor dhe inovatorë.
Ku e shikon veten pas 10 vitesh
Pas 10 vitesh nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do jemi në Shqipëri dhe do zgjerohemi në Lindjen e mesme. Do kemi më tepër ekspertë nga pikat tona në Shqipëri apo Kuvajt. Gjithashtu deri atehëre jemi të bindur që do kemi hapur edhe pika Omnichanel ose Dyqane fizike përveç atij ekzistues që kemi online. Mendojmë të kemi zhvilluar më tepër shitjet dhe logjistikën e blerjes online tek dyqani jonë www.vala.shop gjithashtu do kemi hapur edhe aplikacionin për përdorim më të thjeshtë dhe eksperiencë blerje më të mirë për konsumatorët tanë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.