"Pamë Hënën nga dritarja." -Katy Perry sfidon gravitetin, fluturimi historik me Blue Origin! - Business Magazine Albania

“Pamë Hënën nga dritarja.” -Katy Perry sfidon gravitetin, fluturimi historik me Blue Origin!

Ylli i muzikës botërore Katy Perry dhe pesë gra të tjera u kthyen të sigurta në Tokë pasi arritën në hapësirë me raketën e Jeff Bezos, Blue Origin. Këngëtarja u shoqërua nga e fejuara e Bezos, Lauren Sánchez, dhe prezantuesja e CBS, Gayle King, e cila tha se momenti kulmor i udhëtimit ishte kur dëgjoi Perryn duke kënduar këngën e Louis Armstrong “What a Wonderful World”.

Pas uljes në Tokë, Perry tha se ndihej “jashtëzakonisht e lidhur me jetën” dhe “shumë e lidhur me dashurinë”. Fluturimi zgjati rreth 11 minuta dhe i çoi gjashtë gratë mbi 100 km mbi Tokë, duke kaluar kufirin ndërkombëtar të hapësirës dhe duke u dhuruar atyre disa momente pa gravitet.

Në bord ndodheshin gjithashtu ish-shkencëtarja e NASA-s për raketa, Aisha Bowe, aktivistja për të drejtat civile Amanda Nguyen dhe producentja e filmave Kerianne Flynn.

Raketa New Shepard u nis nga baza në Teksasin Perëndimor pak pas orës 08:30 me orën lokale (15:30 me orën e Evropës). Kapsula u kthye në Tokë me një ulje të butë të ndihmuar nga parashutat, ndërsa motori i raketës gjithashtu u ul sërish në Teksas. Të qeshura dhe brohoritje u dëgjuan nga brenda kapsulës teksa ekipi i shpëtimit shkoi për t’i marrë. Jeff Bezos hapi derën e kapsulës për të mirëpritur të fëjuarën e tij Lauren Sánchez, e cila  ishte e para që doli. “Jam shumë krenare për këtë ekuipazh,” tha ajo me lot në sy. “Nuk mund ta përshkruaj me fjalë.” Ajo ndaloi për një çast dhe shtoi: “Pamë nga dritarja dhe pamë hënën.” “Toka dukej kaq e qetë,” shtoi ajo, “nuk ishte siç e prisja. Ishte e qetë, por vërtet e gjallë.”

E dyta që doli ishte Katy Perry, e cila puthi tokën dhe ngriti një margaritar drejt qiellit – vajza e saj quhet Daisy (margaritar në anglisht). Gayle King gjithashtu u gjunjëzua dhe puthi tokën. “Thjesht dua një moment me tokën, thjesht ta vlerësoj për një sekondë,” tha ajo. E fundit që doli, Kerianne Flynn, tregoi nga qielli dhe bërtiti: “Unë shkova në hapësirë!”

Lexo edhe: Pushime jashtëtokësore? Hoteli i parë në hapësirë mund të hapet deri në vitin 2027

Anija hapësinore ishte plotësisht autonome, nuk kërkonte pilotë, dhe ekuipazhi nuk operoi manualisht mjetin. Fluturimi i fundit vetëm me gra në hapësirë ndodhi mbi 60 vite më parë, kur kozmonautja sovjetike Valentina Tereshkova u bë gruaja e parë që udhëtoi në hapësirë në një mision solo me anijen Vostok 6.

Që nga ajo kohë, nuk ka pasur më fluturime vetëm me gra, por gratë kanë dhënë kontribute të shumta dhe të rëndësishme në eksplorimin hapësinor. Industria e turizmit hapësinor është ende në fazat e para, kështu që çdo nisje e suksesshme është e rëndësishme dhe tregon që këto fluturime të shkurtra tregtare mund të realizohen në mënyrë të sigurt.

Por disa kritikë theksojnë se kjo është turizëm, jo shkencë hapësinore, dhe se astronautët profesionistë ndërmarrin misione që përfshijnë kërkime shkencore për të mirën e njerëzimit.

“Një figurë e famshme nuk është përfaqësues i njerëzimit – ata shkojnë në hapësirë për arsyet e tyre personale,” tha Dr. Kai-Uwe Schrogl, këshilltar për çështje politike në Agjencinë Evropiane të Hapësirës për BBC News. “Këto fluturime janë domethënëse dhe emocionuese, por mendoj se mund të jenë edhe burim frustrimi për shkencëtarët hapësinorë,” shtoi ai. “Ne e shohim fluturimin hapësinor si një përpjekje për shkencë, dije dhe interesat e njerëzimit.” “Figurat e famshme e bëjnë për zbavitje, por marrin më shumë vëmendje sesa astronautët e zakonshëm.”

Fluturimi hapësinor gjithashtu shkaktoi një gamë të gjerë reagimesh në rrjete sociale, nga entuziazmi deri tek kritikat.

Burimi: BBC/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0