Paguaj ose vuaj: Europa në grackën e karburanteve fosile dhe nevoja për panele diellore - Business Magazine Albania

Paguaj ose vuaj: Europa në grackën e karburanteve fosile dhe nevoja për panele diellore

Në qytetin Milagro të provincës Navarra në Spanjën veriore, panelet diellore punojnë pa u lodhur. Dhe ndërsa ministrat dhe liderët e sektorit energjetik mblidhen këtë javë në Londër për Samitin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) mbi Sigurinë Energjetike, analistët theksojnë se energjia diellore dhe ajo me erë nuk janë më thjesht alternativë, por investim strategjik për të ardhmen.
Sipas një analize të re nga organizata mendimi Ember, nëse bota do të ndahej në dy grupe, importues dhe eksportues neto të karburanteve fosile; tre të katërtat e njerëzimit do të jetonin tek grupi i parë. Dhe kjo, sipas ekspertëve, është një dobësi serioze për sigurinë energjetike globale.
“Karburantet fosile janë si të jetosh me qira, ndërsa energjia e rinovueshme është si të kesh shtëpinë tënde,” shpjegon Dave Jones, drejtor i programit të analizave globale në Ember. “Me karburantet fosile, gjithnjë paguan, çmimet nuk i kontrollon, dhe ‘pronari’ mund të të nxjerrë kur t’i dojë qejfi. Me energjinë e rinovueshme, paguan në fillim, por më pas ke stabilitet dhe pavarësi afatgjatë.”

Panelet diellore: një investim që shlyen veten për një vit

Jones thekson se “edhe pse ndërtimi i infrastrukturës së energjisë së pastër kërkon investim fillestar, ajo e çliron një vend nga çmimet e paparashikueshme dhe nga varësia e jashtme. Sipas tij karburantet fosile janë një barrë ekonomike e përhershme.”
Sipas Ember, importi i një gigavati me panele diellore kushton rreth 100 milionë dollarë, po aq sa kushton importi i gazit për të prodhuar të njëjtën sasi energjie për një vit. Por ndërsa panelet punojnë për 30 vjet, importi i gazit duhet përsëritur vit pas viti. Kështu, në afatgjatë, investimi në energji diellore kthehet në një kursim të jashtëzakonshëm.

Lexo edhe: Lançohet NomadTech, platforma që promovon potencialin e inovacionit në Shqipëri

Europa drejt pavarësisë energjetike

Kalimi drejt energjisë së pastër po përshpejtohet. Në vitin 2024, 40% e energjisë elektrike globale erdhi nga burime me pak karbon. Nëse makinat me benzinë do të zëvendësoheshin të gjitha me elektrike, energjia nga era dhe dielli do të mjaftonte për ta përballuar kërkesën globale për karburant.
Në samitin e Londrës, ku bashkë-prezantojnë Ed Miliband (Ministër britanik për Sigurinë Energjetike) dhe Fatih Birol (Drejtor Ekzekutiv i IEA), pritet të miratohet një kornizë e re për sigurinë energjetike dhe një paketë veprimesh konkrete.
Që nga nisja e planit REPowerEU në 2022, varësia nga gazi rus ka rënë nga 45% në 19%. Dhe pikërisht energjia e rinovueshme është ajo që ka mbushur boshllëkun, duke mbrojtur konsumatorët nga luhatjet ekstreme të çmimeve.
“Evropa e kuptoi se gazi nuk është garanci për siguri. Rënia në grackë përpara vitit 2022 ishte një leksion i hidhur,” thotë Julian Popov, ish-ministër i mjedisit në Bullgari. “Agresioni rus ndaj Ukrainës e bëri të qartë: nuk do ta përsërisim atë gabim.”
BE synon të arrijë pavarësi të plotë energjetike nga Rusia deri në vitin 2027. Dhe siç e kanë theksuar shpesh Birol dhe Miliband: kalimi në energjinë e pastër dhe siguria energjetike ecin dorë për dore.

Në një botë ku të jetosh me qira të kushton çdo muaj më shumë, ndoshta është koha të investosh në “shtëpinë” tënde energjetike. Panelet diellore, më shumë se një zgjedhje ekologjike, janë një zgjedhje e zgjuar ekonomike dhe politike.

Burimi: Euronews.com/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0