Paga apo balanca punë-jetë, çfarë... - Business Magazine Albania

Paga apo balanca punë-jetë, çfarë është më e rëndësishme për një punonjës?

Epoka moderne ka sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si e konceptojmë dhe qasemi ndaj punës. Me rritjen e punës në distancë dhe fleksibilitetin, njerëzit po rishikojnë jo vetëm se ku dhe si punojnë, por edhe sa kohë i dedikojnë profesionit të tyre. Brezat e rinj, veçanërisht Gen Z dhe Millenials, po udhëheqin një lëvizje globale që vendos balancën punë-jetë në qendër të mirëqenies dhe lumturisë. Një anketë ndërkombëtare e realizuar nga Randstad konfirmon se ky ekuilibër është tani një faktor kryesor në zgjedhjen dhe mbajtjen e një pune, duke lënë pas edhe vetë pagën si motivim.

Punonjësit refuzojnë orarin klasik 9 me 5 në favor të fleksibilitetit

Punonjësit po largohen nga modelet tradicionale të punës, duke e vendosur mirëqenien dhe fleksibilitetin në krye të prioriteteve të tyre. Anketa, e cila përfshiu 26,000 punonjës në 35 tregje të ndryshme, tregon se jemi në prag të një revolucioni të ri në tregun e punës. Me një numër në rritje të njerëzve që refuzojnë pozicionet që nuk u përshtaten, kompanitë po përballen me presionin për të ndryshuar dhe për të dëgjuar kërkesat e tyre.

Nga të anketuarit, 83% e tyre e konsiderojnë balancën punë-jetë si faktor kyç në zgjedhjen e një pune, në të njëjtin nivel me sigurinë në punë, ndërsa paga renditet pak më poshtë, me 82%. Ky trend nisi të forcohej gjatë pandemisë COVID-19, kur punonjësit patën mundësinë të përjetonin një mënyrë të re pune, me më shumë liri dhe fleksibilitet. Për shumë prej tyre, ky ndryshim ishte aq pozitiv sa nuk kanë ndërmend të kthehen pas.

Për më tepër, 76% e Gen Z e shohin fleksibilitetin si thelbësor dhe janë të gatshëm të ndryshojnë karrierën për ta arritur atë. Edhe pse paga mbetet një faktor i rëndësishëm me kalimin e viteve, studimi zbuloi se edhe grupmoshat më të mëdha e vlerësojnë gjithnjë e më shumë një orar të ekuilibruar pune.

Lexo gjithashtu: 5 hapa për të punësuar njerëzit e duhur për biznesin tuaj

Liria dhe mirëqenia, rregullat e reja të punës

Krahas ndryshimeve të prioriteteve, punonjësit po bëhen gjithashtu më kritikë në vlerësimin e mënyrës se si puna ndikon në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. 44% e të anketuarve raportojnë se kanë dhënë dorëheqjen për shkak të një ambienti toksik pune, duke theksuar kërkesën në rritje për vende pune që respektojnë dhe mbështesin punonjësit. Për më tepër, 31% e punonjësve thonë se kanë braktisur punë që nuk përputheshin me pritshmëritë e tyre për kushtet e punës.

Kur shohin kolegët që arrijnë të balancojnë punën me jetën personale, pushimet dhe kohën e lirë krijohet një standard të ri që punonjësit presin edhe për veten e tyre. Si rezultat, kompanitë do të duhet të përshtaten me këtë realitet të ri.

Lexo gjithashtu: Liderët më të mirë promovojnë njerëzit që nuk kanë vetëbesim

Iluzioni i lirisë? Si mund të kthehet fleksibiliteti në një bumerang

Ndërsa teknologjia ka lehtësuar ndjeshëm punën fleksibël dhe në distancë, disa ekspertë argumentojnë se ajo mund të jetë duke ndikuar në mënyrë të kundërt. Kaspar Villadsen nga Copenhagen Business School pohon se teknologjia, në vend që të na çlirojë, mund të krijojë një kulturë pune ku jemi gjithmonë të lidhur me punën, duke rritur stresin dhe kontrollin e fshehtë mbi punonjësit.

Në të kaluarën, përfundimi i orarit të punës do të thoshte se puna kishte mbaruar, por tani kjo nuk është më e sigurt. Prandaj, janë shtuar debatet nëse punëdhënësit duhet të kenë të drejtën të telefonojnë jashtë orarit të punës apo nëse punonjësit mund të injorojnë email-et gjatë fundjavës.

Megjithatë, ata që kërkojnë një ndarje të qartë mes jetës profesionale dhe asaj personale po kërkojnë gjithnjë e më shumë nga punëdhënësit e tyre, dhe ky është padyshim një ndryshim pozitiv. 83% e punonjësve duan që vendi i tyre i punës të krijojë një ndjenjë komuniteti, dhe mbi 50% do të jepnin dorëheqjen nëse ndihen të përjashtuar apo të pavlerësuar.

Puna nuk është më thjesht një çështje page, kompanitë duhet të përshtaten

Ky ndryshim në prioritetet e punonjësve nuk është thjesht një trend kalimtar, por një mentalitet i ri që po formëson tregun e punës në mbarë botën. Ndërsa njerëzit po bëjnë zgjedhje më të ndërgjegjshme rreth karrierës së tyre, kompanitë duhet të ofrojnë më shumë sesa një rritje page për të tërhequr dhe mbajtur talentin. Në një kohë kur lumturia në punë nuk lidhet më vetëm me paratë, puna fleksibël dhe një kulturë që mbështet punonjësit janë bërë elementët kyç për suksesin e një kompanie.

SUCCESS

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0