Nga Elian Bilibashi, student në degën e Financë-Bankë në universitetin e New York në Tiranë
Të gjithë, kur blejnë një shtëpi, mendojnë se si do ta mobilojnë çdo dhomë dhe çdo m² të saj, duke marrë parasysh se jeta cilësore formohet duke i mundësuar vetes të mirat e gjithanshme. Nëse dikush do të mobilonte vetëm një ose dy ambiente të shtëpisë, kjo mund të mos ndikojë në jetesën e përkohshme, por në një të ardhme të afërt mund të kthehet në një problem serioz që ndikon në cilësinë e jetesës. E njëjta gjë ndodh edhe me ekonominë. Nëse aktiviteti ekonomik i një vendi është i centralizuar në një ose dy drejtime, si shtylla të vetme për zhvillimin dhe prosperitetin ekonomik, do të vijë një moment që ajo do të dështojë ose do të pësojë stanjacion të tejzgjatur.
Në vendin tonë vihet re një tendencë për ta centralizuar ekonominë në aktivitete për të cilat Shqipëria nuk është e destinuar të ketë jetëgjatësi në terma produktiviteti. Ndërkohë që ne renditemi ndër vendet me potencialin më të madh për të zhvilluar bujqësinë midis shteteve të Ballkanit dhe Europës Lindore, evidentohet se i kushtohet vëmendje e ulët Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit. Si një degë kryesore e ekonomisë sonë, sipas INSTAT, ka shënuar rënie me 0.41% në tremujorin e 3-të të vitit 2024, duke u krahasuar me tremujorin e 3-të të vitit 2023 sa i takon kontributit në GDP-në reale. Në kontrast, dega e ndërtimit rezulton me një rritje kontributi prej 0.58%. Duke i bashkëngjitur dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, rritja e kontributit të dy sektorëve në GDP reale rezulton 0.78%. (INSTAT, 2024) Duke marrë në konsideratë këto shifra, evidentojmë se kontributi i prodhimtarisë bujqësore me aktivitetin e ndërtimit janë në një përpjesëtim të zhdrejtë sa i takon kontributit në normën reale në GDP.
Lexo edhe :Panairi “Ditët e Bujqësisë” rikthehet – Çfarë e bën këtë event kaq të rëndësishëm për sektorin?
Kjo është njëra prej mënyrave për ta kuptuar këtë disproporcion. Mënyra tjetër është duke krahasuar rritjen e secilit sektor nga tremujori i 3-të i vitit 2023 në tremujorin e 3-të të vitit 2024. Sipas INSTAT, sektori i ndërtimit së bashku me aktivitetet e Real Estate kanë pësuar një rritje të kombinuar prej 9.63%. Në kontrast, aktivitetet e Industrisë, Energjisë dhe Ujit shënuan rënie me 4.04%, ndërsa aktiviteti i bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit një rënie me -2.54%. Ky tregues jep një panoramë të qartë të centralizimit të aktivitetit ekonomik. Megjithatë, ky fenomen jo domosdoshmërisht e pengon Shqipërinë të zhvillojë një treg efikas dhe të shëndetshëm. Koncentrimi i punës dhe kapitalit financiar është i domosdoshëm për sektorë të caktuar në momente të caktuara. Ajo që sjell shqetësim është tejzgjatja e koncentrimit të burimeve tona kombëtare në pak sektorë që nuk sjellin benefite në çdo aspekt të jetës.
Unë mendoj se investimi në aktivitetet prodhuese, duke përfshirë bujqësinë dhe zhvillimin e fabrikave industriale, duhet të marrë vëmendje të veçantë, pasi jo vetëm që sjell përfitime financiare, por nxit edhe një frymë përgjegjësie në tregun e brendshëm. Në vazhdim të kësaj logjike, nëse rritet prodhimi i brendshëm, mund të ketë përfitime të gjithanshme. Ekonomia rritet, konsumi rritet, kërkesa për llogari ndaj prodhuesit rritet (gjë që inkurajon prodhimin e të mirave cilësore), eksporti rritet dhe i gjithë ky zinxhir përkthehet në rritje të cilësisë së jetesës.
Një shtet me një potencial të tillë për të prodhuar humbet një mundësi të artë për të zhvilluar aktivitete që sjellin benefite eksponenciale krahasuar me sektorin e ndërtimit apo turizmit. Siç u lartpërmend, fokusi në disa aktivitete të caktuara në periudha të caktuara është diçka shumë e shëndetshme për ekonominë deri në pikën ku nuk e cenon zhvillimin në aktivitete të tjera të rëndësishme. Bashkë me sektorin e ndërtimit dhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme, për t’u analizuar është edhe influenca që turizmi nga jashtë ka në ekonominë shqiptare. Nëse marrim në konsideratë se gjatë vitit 2021 kontributi parësor i turizmit nga jashtë përbënte rreth 17.4% të GDP (këtë vit padyshim që kontribuon edhe më tepër), lind pyetja se çfarë mund të ndodhë me ekonominë tonë nëse ndodh një izolim i dytë si në rastin e COVID-19. (Mulaj, 2024).
Lexo edhe: Opinion/ Premtimi i pastudiuar i rritjes së pagës minimale
Kjo pyetje nuk mund të ketë një përgjigje decizive, por vlen të theksohet se pasojat negative në rastin më të mirë do të ishin shumë të mëdha. Aktivitetet e tjera ekonomike do ta kishin të vështirë të balanconin rënien e një kontributi kaq të madh në ekonomi. Kjo për shkak se vendet të cilat e kanë bazuar aktivitetin e tyre ekonomik në sektorët të cilët nuk janë prodhues gjithnjë kanë vuajtur krizat ekonomike më shumë se vendet me diversitet dhe shtrirje të gjerë në aktivitetet ekonomike. Shembull i krizës ekonomike gjatë pandemisë si pasojë e centralizimit në aktivitete ekonomike të ndjeshme ndaj kufizimeve është Spanja, e cila shënoi rënien më të madhe ekonomike midis vendeve të Bashkimit Europian, që rezulton të jetë -9.3%. Sipas Bankës Qendrore Europiane, në tremujorin e parë të vitit 2021, Irlanda shënoi një rritje në GDP prej +13.2% krahasuar me periudhën para-pandemike. (Muggenthaler, Schroth, & Sun, 2021) Kjo rritje në GDP e Irlandës vjen si pasojë e diversitetit në ushtrimin e aktiviteteve ekonomike. Irlanda, gjatë viteve 2019-2021, ndryshe nga vendet e BE që patën rënie ekonomike dhe më pas rimëkëmbje, vazhdoi të kishte rritje ekonomike si pasojë e të ardhurave nga teknologjia dhe eksporti.
Në vazhdim të logjikës, unë besoj se Shqipëria duhet të zhvillojë aktivitetin e saj ekonomik në prodhimin bujqësor (duke mos përjashtuar pyjet, peshkimin, energjinë, industrinë etj.) për të zvogëluar hendekun e impaktit që aktivitete të ndryshme sjellin në GDP. Në sa më shumë kapilarë të shtrihet ekonomia, aq më shumë prosperitet dhe stabilitet ekonomik arrin një vend. Në këto momente, një ndër faktorët që po vazhdon ta mbajë në këmbë sektorin e ndërtimit janë investimet e huaja dhe paraja informale, pa të cilat ky sektor do të shihte një zhvillim të vakët e për pasojë do të ishte e domosdoshme të zhvilloheshin aktivitete të tjera ekonomike.
Ekonomia e vendit tonë duhet analizuar duke pasur në mendje metaforën e shtëpisë. Nëse dhoma e ndenjjes ka kushte luksoze, atëherë dhomat e tjera të shtëpisë duhet të jenë po të tilla ose mbi mesatare. Në të kundërt, nëse dhoma e ndenjjes ka kushte shumë të mira, por dhoma e gjumit ka kushte jo të mira, atëherë do të duhet të gjendet një balancë midis kushteve të dy dhomave. E njëjta gjë ndodh me ekonominë, duhet gjetur një balancë ku aktivitete të ndryshme të mos kenë hendek shumë të madh në kontributin e tyre në GDP.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto