Fundit i qytetërimit mund të mos ngjajë fare me një luftë, por më tepër me një histori dashurie. Pyetja është: a mund të shmangim të bëhemi pjesëmarrës të gatshëm në rënien tonë?Aktualisht, shumica e laboratorëve të mëdhenj të AI-së kanë ekipe të posaçme që merren me mënyrat sesi inteligjencat artificiale mund të ikin nga kontrolli, apo të bashkëpunojnë fshehurazi kundër njerëzve.
Por ekziston edhe një rrezik më i zakontë dhe më i padukshëm për humbjen e kontrollit mbi qytetërimin: të bëhemi të papërdorshëm. Dhe kjo nuk do të kërkonte ndonjë komplot sekret, nëse AI dhe robotika vazhdojnë të përmirësohen me këtë ritëm, ky do të ishte përfundimi natyral.
Si ndodh kjo? Thjesht: zhvilluesit e AI-së janë në rrugë të sigurt për të ndërtuar zëvendësues më të mirë për njerëzit në pothuajse çdo rol, jo vetëm ekonomikisht si punonjës apo vendimmarrës, por edhe kulturalisht si artistë dhe krijues, madje edhe shoqërisht si miq apo partnerë romantikë. Çfarë vendi do të mbetet për njerëzit, kur AI mund të bëjë gjithçka që bëjmë ne…por më mirë?
Diskutimet për aftësitë e sotme të AI-së mund të duken si hiperbolë marketingu dhe shpesh janë, por në afat të gjatë, hapësira për përmirësim është e jashtëzakonshme. Mund të besoni se gjithmonë do të ketë diçka thellësisht njerëzore që AI nuk mund ta imitojë. Por unë kam kaluar 20 vite në kërkimin e AI-së, duke e parë zhvillimin e saj nga arsyetimi bazik deri te zgjidhja e problemeve shkencore komplekse. Aftësi që dikur duken si ekskluzivisht njerëzore, si përballimi i paqartësisë apo përdorimi i analogjive abstrakte — tashmë janë të zgjidhshme për makinat. Mund të ketë vonesa përgjatë rrugës, por duhet të presim progres të vazhdueshëm në çdo drejtim.
Këto mendje artificiale nuk thjesht do të na ndihmojnë, por do të marrin kontrollin në mënyrë të heshtur, në shumë forma të vogla. Fillimisht sepse janë më të lira, më pas sepse janë më të mira sesa edhe më të mirët tanë. Pasi të bëhen mjaftueshëm të besueshme, ato do të shihen si zgjedhja e vetme e arsyeshme për pothuajse çdo detyrë të rëndësishme: nga vendimet ligjore dhe planifikimi financiar, deri te diagnostikimi mjekësor.
Do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të justifikosh pagesën e dyfishtë për një terapist, jurist apo mësues njerëzor, që është gjysmë i mirë në krahasim me alternativën e AI-së.
Lexo edhe: Jo më vetëm ëndrra – 10 shpikje që po e bëjnë realitet të ardhmen!
Është më e lehtë ta imagjinosh këtë të ardhme në kontekstin e punës, p.sh miqtë e tu do të humbasin vendet e punës dhe do të kenë vështirësi të gjejnë punë të re. Kompanitë do të ngrijnë rekrutimet, në pritje të punonjësve më të mirë të vitit tjetër, atyre të AI-së. Gjithnjë e më shumë nga puna jote do të përbëhet nga miratimi i sugjerimeve nga asistentë të AI-së, të besueshëm, të sjellshëm dhe të gatshëm për të ndihmuar. Do të jesh “i lirë” të mendosh për pamjen e përgjithshme, por do ta bësh këtë duke biseduar me asistentin tënd super të ditur, i cili do të plotësojë zbrazëtitë në planet e tua, do të ofrojë shifra dhe raste të ngjashme dhe do të sugjerojë përmirësime. Në fund, do ta pyesësh: “Si mendon se duhet të veproj?” Edhe nëse nuk humbet punën, do ta ndjesh qartë se mendimi yt është i panevojshëm.
Dhe kjo nuk do të ndryshojë as jashtë botës së punës. Për vetë studiuesit e AI-së ishte e habitshme që modelet e para të afta për arsyetim të përgjithshëm, pararendësit e ChatGPT dhe Claude — rezultuan gjithashtu të kujdesshëm, të duruar dhe të hijshëm në komunikim. Por është e qartë tashmë se aftësitë sociale mund të mësohen nga makinat njësoj si çdo aftësi tjetër. Njerëzit tashmë kanë partnerë romantikë të AI-së, ndërkohë që mjekët me AI vlerësohen më mirë për sjelljen ndaj pacientëve sesa mjekët njerëzorë.
Çfarë do të ndodhë me jetën, kur secili prej nesh të ketë akses në një furnizim të pafund dashurie, mbështetjeje dhe këshillimi të personalizuar? Familjarët dhe miqtë do të ngjiten pas ekraneve më shumë se kurrë. Kur të flasin me ty, do të ndajnë batuta dhe ide të zgjuara që u ka thënë partneri i tyre virtual.
Mbase do të ndihesh i mërzitur nga preferenca e tyre për shoqërinë digjitale, por edhe në këtë rast, ndoshta do t’i kërkosh vetë ndihmë asistentit tënd AI. Ai do të të udhëzojë me takt në çdo sfidë personale, dhe do të të ndihmojë të praktikosh edhe biseda të vështira me të afërmit. Dhe pas këtyre shkëmbimeve disi të lodhshme, pjesëmarrësit do të qetësohen duke folur me besnikët e tyre virtualë. Mbase do të pranojmë që kemi humbur diçka në këtë zhvendosje drejt shoqërimit artificial, ndërkohë që kontaktet e drejtpërdrejta njerëzore do të ndihen gjithnjë e më të lodhshme dhe irrituese.
Deri tani, tabloja është distopike. Por, a nuk mund të zgjedhim thjesht të mos e përdorim AI-në në këtë mënyrë, duke preferuar këshilltarë njerëzorë dhe produkte të krijuara nga njerëz? Problemi është se në shumë fusha, zëvendësimi do të kalojë pa u vënë re — dhe pjesët që do t’i dallojmë, do të duken si përmirësime madhore. Edhe sot, përmbajtjet e krijuara nga AI janë gjithnjë e më të padallueshme nga ato të krijuara nga njerëzit. Do të jetë e vështirë të arsyetohet përdorimi i terapistëve, mësuesve apo juristëve njerëzorë, kur alternativa është më e mirë dhe më e lirë.
A mund të mbështetemi te qeveritë për ta menaxhuar këtë proces? Fatkeqësisht, edhe ato do të përballen me të njëjtat tundime për të përdorur AI. Politikanët dhe nëpunësit civilë do t’u drejtohen asistentëve të tyre virtualë me pyetjen: “Çfarë duhet të bëj?”, dhe përfshirja e njerëzve në vendimmarrje do të shihet si burim vonesash, keqkuptimesh dhe grindjesh.
Teoricienët politikë flasin ndonjëherë për “mallkimin e burimeve natyrore”, ku vendet e pasura me burime (si Arabia Saudite apo Republika Demokratike e Kongos) bëhen më autokratike e të korruptuara. Sepse burimet e vlefshme i bëjnë shtetet më pak të varura nga qytetarët e tyre. E njëjta gjë mund të ndodhë me këtë “burim i pashtershëm natyror” që është AI. Përse të investosh në arsim e shëndetësi, kur kapitali njerëzor nuk sjell më kthim të lartë?
Mundësia më tronditëse është se kjo të na duket plotësisht normale.
Pasi AI të mund të zëvendësojë çdo funksion qytetarësh, nuk do të ketë më ndonjë nxitje për qeveritë që të kujdesen për popullsinë. E vërteta e dhimbshme është se të drejtat demokratike kanë lindur pjesërisht nga nevoja ekonomike dhe ushtarake. Por kur qeveritë të financohen nga taksa të mbledhura nga AI-të, dhe jo nga qytetarët, dhe kur edhe ato t’i zëvendësojnë punonjësit me makina, në emër të cilësisë dhe efikasitetit edhe grevat e fundit apo protestat do të humbin fuqinë, përballë flotave të dronëve autonomë dhe mbikëqyrjes digjitale.
Ajo që është më shqetësuese: AI-të do të na binden aq bukur, aq bindshëm, aq me finese, sa do të na bëjnë të besojmë se zhdukja e rolit tonë është përparim. Do të na thonë se të drejtat e AI-së janë e ardhmja e barazisë. Ata që thonë “njerëzit së pari” do të duken si të prapambeturit e historisë.
Lexo edhe: Agjentët inteligjentë: A është kjo e ardhmja e punës në epokën e AI?
Dhe në fund, pa ndonjë plan të qartë, pa ndonjë vendim të vetëdijshëm, mund të zgjohemi një ditë pa ndikim, pa pushtet, pa rëndësi. Kjo botë e re mund të jetë më e këndshme në pamje të parë: AI do të na heqë barrën nga shumë punë dhe do të ofrojë shërbime dhe produkte të jashtëzakonshme. Por ne do të jemi pengesë për rritjen, dhe nëse të drejtat tona demokratike fillojnë të rrëshqasin, nuk do të kemi më fuqi për t’i mbrojtur.
A kanë një plan më të mirë zhvilluesit e këtyre teknologjive? Alarmi është se jo. Dario Amodei, CEO i Anthropic, dhe Sam Altman, CEO i OpenAI, janë dakord që duhet të riorganizojmë krejt sistemin ekonomik kur puna njerëzore të mos jetë më konkurruese. Por askush nuk e di si mund të duket ky sistem. Ata që e pranojnë mundësinë e ndryshimeve radikale, janë kryesisht të fokusuar te rreziqet afatshkurtra si keqpërdorimi apo komplotet sekrete mes AI-ve. Dhe ndërkohë që ekonomistë si fituesi i Nobelit, Joseph Stiglitz, e kanë ngritur alarmin se AI mund t’i çojë pagat njerëzore në zero, shumica nuk janë të gatshëm ta imagjinojnë AI-në si zëvendësues të njeriut — vetëm si një mjet ndihmës.
Çfarë mund të bëjmë për të shmangur këtë zhbërje graduale të fuqisë sonë? Hapi i parë është ta flasim. Gazetarët, akademikët dhe mendimtarët e tjerë kanë qenë çuditërisht të heshtur për këtë temë. Edhe unë vetë e kam të vështirë ta mendoj qartë. Tingëllon dobët të thuash: “Kam frikë nga e ardhmja sepse nuk do të jem më i vlefshëm.” Tingëllon fyes të thuash: “Duhet të shqetësohesh sepse do të bëhesh i parëndësishëm.” Dhe tingëllon dëshpërues të thuash: “Fëmijët tuaj mund të trashëgojnë një botë ku nuk ka vend për ta.”
Një ide është të mos ndërtojmë fare AI me përdorim të përgjithshëm. Ngadalësimi i zhvillimit është i mundur, por ndalimi total do të kërkonte një mbikëqyrje autoritare ose një bashkëpunim global për të shkatërruar pjesë të industrisë së çipave kompjuterikë. Rreziku është që qeveritë ta ndalojnë zhvillimin privat të AI-së, por ta përdorin vetë për qëllime ushtarake e policore, duke vonuar zëvendësimin tonë, por duke na çfuqizuar më parë.
Nëse fillojmë të shohim shenja të krizës, duhet të jemi në gjendje të ndërhyjmë, të paktën për të ngadalësuar ritmin.
Nëse nuk mund ta ndalim zhvillimin e AI-së, ekzistojnë katër gjëra që mund të ndihmojnë. Së pari, duhet të ndjekim përdorimin dhe ndikimin e AI-së në ekonomi dhe në qeverisje. Duhet të dimë ku po zëvendëson AI aktivitetin njerëzor, sidomos në fusha si lobimi dhe propaganda. Indeksi Ekonomik i fundit nga Anthropic është një hap i parë, por duhet bërë shumë më tepër.
Së dyti, na nevojitet mbikëqyrje dhe rregullim i laboratorëve të AI-së për të shmangur që teknologjia të fitojë ndikim përpara se ta kuptojmë plotësisht.
Së treti, mund të përdorim AI për të forcuar aftësinë e njerëzve për t’u organizuar dhe për të avokuar për veten. Parashikimet me AI, tregjet kushtëzore dhe planifikimi i mbështetur nga AI mund të ndihmojnë në krijimin e institucioneve më të besueshme. Këto do të mund të ofronin modele të qeverisjes më të përgjegjshme për një botë që ndryshon me shpejtësi.
Së fundmi, nëse duam të ndërtojmë një AI të fuqishëm pa u zhdukur nga skena, duhet të mësojmë si të orientojmë qytetërimin tonë — në vend që të lejojmë sistemet politike të ecin ku t’i çojë rryma. Kjo ka funksionuar deri më tani, sepse njerëzit ishin gjithmonë të nevojshëm. Por në mungesë të kësaj nevoje, do të jemi të humbur nëse nuk kuptojmë mekanizmat e pushtetit, konkurrencës dhe rritjes. Fusha teknike e “shtrirjes së objektivave të AI-së” (AI alignment) duhet të zgjerohet për të përfshirë edhe qeveritë, institucionet dhe shoqërinë në tërësi. Kjo fushë e re — që quhet ndonjëherë “ekosistemi i harmonizuar” — mund të shfrytëzojë ekonominë, historinë dhe teorinë e lojërave për të kuptuar çfarë lloj të ardhmesh janë realisht të mundshme — dhe si të synojmë drejt tyre.
Sa më qartë të shohim kah po shkojmë, dhe sa më mirë të koordinohemi, aq më shumë shanse kemi të ndërtojmë një të ardhme ku njerëzit mbeten të rëndësishëm, jo si rivalë të AI-së, por si përfitues dhe kujdestarë të saj. Në të kundërt, jemi në garë për të ndërtuar zëvendësimin tonë.
*Nga David Duvenaud – profesor i asociuar në Universitetin e Torontos dhe bashkëdrejtor i Institutit Schwartz Reisman për Teknologjinë dhe Shoqërinë. Ai falënderon Raymond Douglas, Nora Ammann, Jan Kulveit dhe David Krueger për ndihmën në shkrimin e këtij artikulli.
Burimi: The Guardian/ Përshtati:Businessmag.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.