Opinion/ Lamtumirë TikTok? Çfarë thonë Influencerët dhe ekspert... - Business Magazine Albania

Opinion/ Lamtumirë TikTok? Çfarë thonë influencuesit dhe ekspertët e marketingut për vendimin?

Qeveria shqiptare ka vendosur të mbyllë përkohësisht platformën TikTok për një periudhë 12-mujore në të gjithë territorin e vendit. Vendimi, i prezantuar nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, synon të adresojë shqetësimet mbi ndikimin e platformës në shëndetin mendor të fëmijëve dhe promovimin e sjelljeve të papërshtatshme.

Sipas ministres, Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike do të realizojë këtë ndërprerje brenda pak ditësh, ndërsa qeveria ka nisur komunikimet me TikTok për të vendosur filtra dhe masa të tjera mbrojtëse.

Është një mbyllje e përkohshme që do të na lejojë të marrim masat e nevojshme për një përdorim më të sigurt të platformës,” tha Manastirliu, duke theksuar se objektivi nuk është ndalimi përfundimtar, por rregullimi i përmbajtjes së saj për përdoruesit shqiptarë.

Lexo gjithashtu: Growpreneur, një tjetër cikël drejt përfundimit, startup-et gati për të dalë përpara investitorëve

Reagimet nga krijuesit e përmbajtjes

Ky vendim ka ngjallur reagime të ndryshme nga aktorët e industrisë së marketingut dhe krijuesit e përmbajtjes.

Krijueset e përmbajtjes Ira Mestani dhe Greta Hoxha e shohin këtë ndryshim si një masë që nuk do të ndikojë shumë në aktivitetin e tyre:

“Ne nuk e përdorim fare si platformë në fakt, gjë që duhet ta bënim, pasi për awareness për Trinjakët apo Binjakët, ato pak herë që e kemi përdorur, kemi pasur aktivitet aty. Gjithmonë e përdorim për të gjetur gjëra më lehtë, për ide të reja, për meme dhe si një motor kërkimi të dytë, pasi nxjerr çdo gjë më shpejt.

Nuk na shkakton shumë probleme mbyllja dhe nuk mendoj që është halli më i madh që kemi, pasi ka një frymë negativiteti dhe një liri të shprehuri të tepruar nga njerëzit, që duket sikur hyjnë vetëm për të vjellë vrer. Por mbyllja e TikTok-ut s’është zgjidhja. Është një problem gjenerate, mungesë respekti me idenë që po dolën aty, kam të drejtën t’i ofendoj e komentoj. Duhet të ketë rregulla më të forta në përdorimin e rrjeteve sociale në gjuhën shqipe, pasi TikTok-u nuk e njeh si gjuhë dhe nuk fshin profilet apo komentet problematike, të cilat në fakt janë alarmante, si aty ashtu edhe në aplikacione të tjera.

Duhet pranuar që komentet kanë qenë pjesa më humoristike dhe do na mungojnë,” thanë ato.

Influencuerja Kelima Kotarja vlerëson ndikimin që ka pasur TikTok në jetën e saj dhe ndalet gjithashtu te fakti se ky ndalim mund të shërbejë si moment reflektimi:

“Si një vajzë që merrem me TikTok, si influencer dhe content creator, jam shumë e lidhur me këtë platformë. Ajo më ka dhënë mundësi të papara për të shprehur veten time, për të ndarë pasionet e mia dhe për të krijuar lidhje me njerëz nga e gjithë bota.

Megjithatë, mbyllja e TikTok mund të jetë një mundësi që të na sjellë reflektim. Ajo mund të na bëjë të mendojmë mbi rolin e rrjeteve sociale në jetën tonë dhe si mund të përdorim këto platforma në mënyrë më të përgjegjshme dhe më pozitive,” tha ajo.

Lexo gjithashtu: Women on Boards Albania prezanton anëtarët e rinj të bordit (Bordi Drejtues & Bordi Këshillues)

Në të njëjtën linjë, Irisa Nazari e sheh TikTok-un si një hapësirë krijuese të rëndësishme, por mendon se krijuesit do të gjejnë alternativa:

“Si një content creator, TikTok-u ka qenë një mjet i fuqishëm i cili më ka ofruar një platformë për të ndarë krijimtarinë time me një audiencë të gjerë dhe për të njohur shumë njerëz që më kanë frymëzuar gjatë rrugëtimit tim. Mbyllja e tij është një humbje, por jam e sigurt që do të gjenden zgjidhje të reja për të mbrojtur të rinjtë pa kufizuar lirinë e shprehjes. Arti i të shprehurit do të gjejë gjithmonë rrugë të tjera për të arritur te publiku,” tha ajo.

Profesionistët në fushën e marketingut ndajnë mendime të kundërta

Për ekspertin e marketingut dhe sipërmarrësin Aldo Hako, ky vendim është një hap pozitiv:

“Si pjesë e industrisë së marketingut, e konsideroj këtë një nga lëvizjet më të mira të ndërmarra, pasi TikTok-u promovon kryesisht antivlera dhe ka ndikuar negativisht në cilësinë e përmbajtjes. Platforma ka krijuar një tendencë drejt përtacisë kreative, duke dekurajuar prodhimin e përmbajtjeve të diferencuara dhe me vlerë. Markat shpesh ndjekin trendet e momentit, duke përdorur muzikë dhe formate virale, pa e vlerësuar nëse ato përshtaten me identitetin dhe mesazhin e tyre.

Për më tepër, shumica e personazheve që TikTok-u ka nxjerrë në pah nuk janë përfaqësues të vlerave të mirëfillta. Qëndrimi im ndaj kësaj platforme ka qenë i njëjtë që nga fillimi dhe, për këtë arsye, në BoldCrest kam vendosur të mos e përfshij TikTok-un në strategjitë e marketingut,” u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Ylber Shehu, TikTok-er dhe menaxher marketingu, mendon se ndalimi i platformës do të ndikojë negativisht tek krijuesit dhe bizneset:

Mbyllja e TikTok-ut do të jetë një goditje e madhe për industrinë e krijuesve të përmbajtjes dhe marketingut dixhital. Si TikToker, do të thoja se është humbje e një platforme ku autenticiteti dhe kreativiteti shpërblehen më shumë se kudo tjetër. Nga ana e marketingut, markat do të humbnin një kanal kyç për të arritur audiencën më të re dhe më të angazhuar. Kjo do të detyrojë bizneset të investojnë më shumë në alternativa si Instagram Reels dhe YouTube Shorts, por do të jetë e vështirë të rikrijohet i njëjti impakt dhe ritëm viral që ofron TikTok,” tha ai.

Lexo gjithashtu: Episodi #5 “Future Fridays” – Kafshët “shprehen”, robotët dëgjojnë mendjen dhe TikTok-u që mbyllet në Shqipëri!

Çfarë pritet të ndodhë?

Mbyllja e TikTok-ut në Shqipëri për 12 muaj hap një debat të gjerë mbi ndikimin e rrjeteve sociale dhe nevojën për rregullim të përmbajtjes dixhitale. Nëse TikTok dhe autoritetet shqiptare arrijnë një marrëveshje për vendosjen e filtrave dhe masave mbrojtëse, platforma mund të rikthehet më shpejt. Ndërkohë, krijuesit dhe bizneset do të duhet të përshtaten me ndryshimin dhe të kërkojnë kanale të tjera për të angazhuar audiencën e tyre.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0