Në konferencën vjetore të zhvilluesve në San Francisko, CEO i OpenAI, Sam Altman, prezantoi një hap të ri drejt transformimit të ChatGPT-së në një platformë të plotë aplikacionesh. Kompania zbuloi një mënyrë të re për të integruar aplikacione të palëve të treta drejtpërdrejt në dritaren e bisedës, duke e shndërruar ChatGPT-në në një mjedis ku përdoruesi mund të ndërveprojë me aplikacione të ndryshme pa dalë nga chat-i.
Që nga sot, një grup i kufizuar zhvilluesish mund të përdorë versionin “preview” të një SDK-je të re për aplikacione, që lejon ndërtimin e aplikacioneve brenda ChatGPT-së, përmes standardeve të hapura. Altman demonstroi se si funksionon kjo veçori me aplikacione si Spotify, Canva dhe Zillow, të cilat përgjigjeshin në komandat me tekst brenda bisedës.
Në një nga shembujt e paraqitur, inxhinieri i softuerit Alexi Christakis i kërkoi aplikacionit Canva të krijonte postera për një biznes shëtitjeje qenësh dhe më pas një prezantim për tërheqje investitorësh. Më tej, ai kërkoi nga ChatGPT të sugjeronte një qytet të përshtatshëm për zgjerim (sistemi ofroi Pittsburgh), dhe përmes aplikacionit të Zillow shfaqi një hartë interaktive me shtëpi në shitje, të cilat mund të filtroheshin sipas kërkesave të përdoruesit.
Altman njoftoi se OpenAI po planifikon mënyra të reja që zhvilluesit të monetizojnë aplikacionet e tyre në ChatGPT, përfshirë blerjet brenda platformës. “Së shpejti do të prezantojmë një protokoll tregtie të drejtpërdrejtë, me pagesë të menjëhershme nga vetë ChatGPT,” deklaroi ai.
Lexo edhe: Jeff Bezos: AI është në një “flluskë industriale”, por do sjellë përfitime gjigante për shoqërinë
Kjo nuk është përpjekja e parë e OpenAI për të integruar aplikacione në ChatGPT. Në vitin 2024, kompania prezantoi “GPT Store”, ku u krijuan mbi 3 milionë GPT të personalizuara, por interesi ra me kohën. SDK-ja e re sinjalizon një angazhim më të thellë ndaj zhvilluesve dhe kompanive partnere, me synimin për të mbajtur përdoruesit brenda vetë platformës.
Nick Turley, drejtues i produktit ChatGPT, tha se qëllimi fillestar i kompanisë nuk ishte ndërtimi i një chatbot-i, por një “super asistent” dixhital. “Nuk besoj se njerëzit do ta kalojnë gjithë ditën në ChatGPT,” tha ai, “por mund ta fillojnë aty.”
Në të njëjtin event, OpenAI prezantoi Codex, modelin e vet të programimit që tashmë del nga faza e testimit dhe bëhet i disponueshëm për të gjithë zhvilluesit, me mjete të reja për analizë, ndërveprim përmes Slack dhe ndjekje të përdorimit në kompani.
OpenAI po përballet me konkurrencë të fortë nga Google, Anthropic, Amazon, Meta dhe DeepSeek, që po ofrojnë modele të hapura për zhvilluesit. Për t’iu përgjigjur presionit, kompania ka lançuar modele të reja si GPT-OSS dhe GPT-5, si dhe ka përmirësuar versionet e Codex-it për zhvilluesit.
Në një moment të fjalimit të tij, Altman theksoi entuziazmin e kompanisë për ritmin e zhvillimit:
“Ky është momenti më i mirë në histori për të ndërtuar. Kurrë nuk ka qenë më e shpejtë të kalosh nga ideja në produkt.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto