OpenAI lançon Study Mode në ChatGPT për të nxitur mendimin kritik te studentët! - Business Magazine Albania

OpenAI lançon Study Mode në ChatGPT për të nxitur mendimin kritik te studentët!

OpenAI lançon Study Mode në ChatGPT për të nxitur mendimin kritik te studentët!

OpenAI ka njoftuar ditën e martë lançimin e një funksioni të ri në ChatGPT, të quajtur Study Mode, i cili synon të ndihmojë studentët në zhvillimin e aftësive të tyre të mendimit kritik, duke mos ofruar thjesht përgjigje të drejtpërdrejta. Me Study Mode të aktivizuar, ChatGPT i drejton përdoruesit me pyetje që testojnë të kuptuarin dhe, në disa raste, refuzon t’u japë përgjigje nëse studentët nuk angazhohen realisht me materialin.

Ky funksion është tashmë në dispozicion për të gjithë përdoruesit e identifikuar në planin Free, Plus, Pro dhe Team, ndërsa në javët në vijim do të shtrihet edhe për përdoruesit me plane Edu, që zakonisht përfshijnë të rinj nëpër shkolla ku abonimi është blerë nga administrata shkollore për të gjithë nxënësit.

Study Mode është përpjekja më e fundit e OpenAI për t’iu përgjigjur përdorimit masiv të ChatGPT nga studentët në sistemin arsimor. Ndërsa studime të ndryshme kanë treguar se ChatGPT mund të jetë një mjet efektiv tutorimi, shqetësimi kryesor mbetet ndikimi negativ që mund të ketë në zhvillimin e të menduarit kritik. Një studim i publikuar në qershor zbuloi se studentët që përdorën ChatGPT për të shkruar ese treguan një aktivitet më të ulët të trurit krahasuar me ata që përdorën kërkime në Google apo që punuan vetë pa ndihmë.

Që prej lançimit të ChatGPT në vitin 2022, përdorimi i tij në shkolla ka shkaktuar reagime të forta në radhët e mësuesve dhe institucioneve arsimore, duke çuar madje në ndalime të pjesshme ose të plota të teknologjisë në disa distrikte shkollore në SHBA. Megjithatë, në vitin 2023, një pjesë e shkollave e rishikuan vendimin dhe nisën të pranojnë se ChatGPT tashmë është një pjesë integrale e jetës së të rinjve.

Lexo edhe:Shqipëria, e fundit në rajon për financimin e kërkimit dhe zhvillimit

Me Study Mode, OpenAI përpiqet ta kthejë ChatGPT nga një “makinë përgjigjesh” në një mjet të vërtetë mësimor. Një iniciativë e ngjashme u hodh në treg nga Anthropic në muajin prill, për chatbot-in e saj Claude, me funksionin “Learning Mode”.

Megjithatë, përdorimi efektiv i Study Mode varet tërësisht nga angazhimi vetjak i studentit. Për momentin, përdoruesit mund të kalojnë lehtësisht nga Study Mode në mënyrën klasike të ChatGPT nëse dëshirojnë vetëm një përgjigje të shpejtë. Zëvendës Presidentja e OpenAI për Arsimin, Leah Belsky, u shpreh për TechCrunch se kompania aktualisht nuk ofron kontrolle prindërore apo administrative që e detyrojnë studentin të qëndrojë në Study Mode, megjithëse po shqyrtohen opsione të tilla për të ardhmen. Kjo do të thotë se vetëm ata nxënës që vërtet kanë dëshirë të mësojnë, dhe jo thjesht të kryejnë detyrën, do të përfitojnë plotësisht nga ky funksion.

OpenAI e cilëson Study Mode si hapin e parë drejt përmirësimit të të nxënit përmes ChatGPT, dhe njoftoi se në të ardhmen do të publikojë më shumë të dhëna mbi mënyrën se si studentët po përdorin inteligjencën artificiale në procesin arsimor.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0