OpenAI ka lansuar zyrtarisht GPT-5, modelin e ri kryesor të inteligjencës artificiale që do të fuqizojë gjeneratën e ardhshme të ChatGPT.
GPT-5, i publikuar të enjten, është modeli i parë “i unifikuar” i OpenAI, që ndërthur aftësitë e arsyetimit të serisë o-series me shpejtësinë dhe efikasitetin e përgjigjeve të serisë GPT. Ky model i ri sinjalizon një epokë të re për ChatGPT dhe për vetë OpenAI duke treguar për synimet më të gjera të kompanisë në ndërtimin e sistemeve të AI që funksionojnë më shumë si agjentë aktivë sesa si thjesht bisedues digjitalë.
Ndërsa GPT-4 bëri të mundur që chatbot-ët të ofronin përgjigje inteligjente për një gamë të gjerë pyetjesh, GPT-5 shkon më tej, duke i lejuar përdoruesit të kryejnë detyra të ndryshme përmes tij, që nga krijimi i aplikacioneve softuerike, menaxhimi i kalendarit personal, e deri te përgatitja e analizave kërkimore.Për më tepër, GPT-5 është projektuar për të qenë më i lehtë në përdorim: në vend të vendosjes manuale të konfigurimeve, modeli vjen me një sistem të ri drejtues në kohë reale që vendos automatikisht se si të ofrojë përgjigjen më të mirë, qoftë përmes përgjigjeve të shpejta, apo përmes një procesi të thelluar arsyetimi.
“GPT-5 është modeli më i mirë në botë”, thotë Altman
Në një konferencë me gazetarë, CEO i OpenAI, Sam Altman, e cilësoi GPT-5 si “një hap të rëndësishëm” drejt qëllimit të kompanisë për të ndërtuar inteligjencë të përgjithshme artificiale (AGI), e aftë të tejkalojë njeriun në shumicën e punëve me vlerë ekonomike.
“Të kesh diçka si GPT-5 do të ishte e paimagjinueshme në ndonjë periudhë tjetër të historisë,” tha Altman.
Që nga dita e enjte, GPT-5 është i disponueshëm për të gjithë përdoruesit falas të ChatGPT si model parazgjedhje. Zëvendëspresidenti i ChatGPT, Nick Turley, tha se kjo është pjesë e përpjekjes së kompanisë për të ofruar për herë të parë modele arsyetimi për përdoruesit pa pagesë.
“Kjo është një mënyrë për të jetësuar misionin tonë, që teknologjia të sjellë dobi reale për njerëzit,” tha Turley, duke iu referuar qëllimit afatgjatë të OpenAI për të shpërndarë inteligjencën artificiale të avancuar sa më gjerësisht të jetë e mundur.
Lexo edhe: OpenAI ofron ChatGPT për qeverinë amerikane thuajse falas, vetëm 1 dollar për agjenci
GPT-5: pritshmëri të larta, ndikim të thellë
Lancimi i GPT-5 është një nga ngjarjet më të shumëpritura që prej momentit kur ChatGPT vuri OpenAI-n në hartën globale në vitin 2022. Sot, ChatGPT numëron mbi 700 milionë përdorues çdo javë — afro 10% e popullsisë botërore, sipas të dhënave të kompanisë.
Shumë analistë e shohin GPT-5 si një tregues kyç të përparimit të AI në përgjithësi dhe reagimi që do të marrë nga Silicon Valley pritet të ketë ndikim të thellë në sektorin e teknologjisë, në bursat globale dhe në rregullatorët e teknologjisë.
Performancë e lartë, por me disa përjashtime
Sipas OpenAI, GPT-5 është në krye të klasifikimeve në disa fusha, duke lënë pas modelet e tjera si Claude Opus 4.1 të Anthropic, Gemini 2.5 Pro të Google DeepMind dhe Grok 4 Heavy të xAI të Elon Musk.
Në testin SWE-bench Verified, që mat zgjidhjen e detyrave reale të kodimit, GPT-5 arriti 74.9% në përpjekjen e parë – pak më shumë se Claude Opus 4.1 (74.5%) dhe shumë më mirë se Gemini 2.5 Pro (59.6%).
Në testin “Provimi i Fundit i Njerëzimit”, që vlerëson performancën në matematikë, shkencat humane dhe natyrore, GPT-5 Pro arriti 42% me ndihmën e mjeteve të arsyetimit – pak më poshtë se Grok 4 Heavy, që shënoi 44.4%.
Në GPQA Diamond — një test me pyetje të nivelit të doktoraturës në shkencë — GPT-5 Pro arriti 89.4%, duke tejkaluar Claude Opus 4.1 (80.9%) dhe Grok 4 Heavy (88.9%).
Përmirësime të mëdha në mjekësi dhe kreativitet
OpenAI thotë se GPT-5 jep përgjigje më të sakta për pyetjet shëndetësore. Në testin HealthBench për “hallucinacionet e vështira”, GPT-5 gaboi vetëm në 1.6% të rasteve, shumë më pak se GPT-4o (12.9%) dhe o3 (15.8%).
Modeli i ri është më proaktiv në sinjalizimin e shqetësimeve të mundshme shëndetësore dhe në interpretimin e rezultateve mjekësore.
Sa i përket kreativitetit, GPT-5 dallohet në dizajnin kreativ dhe të shkruarit. “Modeli ka një ‘shije’ më të mirë dhe reagime më natyrale,” tha Turley. “Vibracionet që jep ky model janë vërtet të mira.”
Më pak gabime, më shumë sinqeritet
GPT-5 ka një shkallë shumë më të ulët të “hallucinacioneve”, tendenca për të shpikur informacion në krahasim me modelet e mëparshme. Në testet e brendshme, GPT-5 (me modalitetin e mendimit aktiv) gaboi në 4.8% të rasteve, shumë më pak se o3 (22%) apo GPT-4o (20.6%).
Modeli është gjithashtu më i saktë dhe i ndershëm, sipas Alex Beutel, kreut të kërkimeve për sigurinë në OpenAI. Ai tha se GPT-5 është më i aftë për të dalluar përdorues të zakonshëm nga keqpërdoruesit dhe refuzon më pak kërkesa të padëmshme.
Përditësime për përdoruesit dhe zhvilluesit
ChatGPT ka tani edhe katër personalitete të reja për përdoruesit: Cynic, Robot, Listener dhe Nerd – që i japin një “ngjyrim” të ri mënyrës si përgjigjet modeli.
Përdoruesit e planit Plus ($20/muaj) kanë kufij më të lartë përdorimi. Ndërsa ata me planin Pro ($200/muaj) do të kenë akses të pakufizuar në GPT-5 dhe një version të avancuar, GPT-5 Pro.
Zhvilluesit do të kenë në dispozicion tre versione të API-së: gpt-5, gpt-5-mini dhe gpt-5-nano – që ndryshojnë në kohën që i kushtojnë arsyetimit. Ata gjithashtu mund të kontrollojnë gjatësinë e përgjigjeve.
Çmimi për përdorim është $1.25 për një milion “input tokens” dhe $10 për një milion “output tokens” — një njësi që përfshin rreth 750,000 fjalë.
Fundjava e mbushur e OpenAI dhe të ardhmen e modelit
Publikimi i GPT-5 vjen në fund të një jave intensive për OpenAI. Kompania lançoi gjithashtu gpt-oss, një model të hapur që zhvilluesit mund ta shkarkojnë falas. Edhe pse gpt-oss afrohet me performancën e o3 dhe o4-mini, GPT-5 vendos standarde të reja, sidomos në kodim.
Sidoqoftë, në disa fusha të caktuara, GPT-5 mbetet në të njëjtin nivel me modelet e tjera të avancuara. Dhe, si gjithmonë, testet standarde nuk tregojnë gjithçka. E vërteta do të shihet në përdorim real.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.