Ofiçina Networking Event: "Për çfarë kanë nevojë startup-et shqiptare?" - Business Magazine Albania

Ofiçina Networking Event: “Për çfarë kanë nevojë startup-et shqiptare?”


Komuniteti i startup-eve rritet e bashkë me të dhe dëshira për të sjellë inovacion. Ditën e shtunë, Ofiçina organizoi një event networking për të gjithë ata që e duan sipërmarrjen dhe e shohin të ardhmen e Shqipërisë më të evoluar në këtë fushë.

Rreth 60 startup-e, patën mundësinë të njihen me ide të ndryshme biznesi dhe histori suksesi të prezantuara nga biznese që njihen në tregun shqiptar.

Kristi Janku i mirëpriti pjesëmarrësit me ëmbëlsirat e Kikilicious dhe i njohu me pasionin e punën e saj 10 vjeçare, tashmë të finalizuar me sukses.

Në një panel informues ata u njohën dhe me drejtues të platëformave shumë të suksesshme si Publer, WelcomeAlbania, BuytoAmerica, Transmogul dhe Baboon.

Drejtuesit rrëfyen problematikat që kanë hasur gjatë punës së tyre, por ndanë dhe disa këshilla të vlefshme:

“Pasioni është çelësi i suksesit. Duhet të jesh entuziast, harro pesimizmin.” WelcomeAlbania

“Është e rëndësishme të fokusoheni te produkti dhe sigurisht të gjeni partnerin e duhur,” Driton Musolli, CEO dhe bashkë-themelues i TransMogul

“Nuk duhet të keni frikë. Në momentet më të vështira, ti kupton forcën tënde dhe fillon e ia del,” Genti Selenica, themelues dhe CEO i Baboon.

“Mos bini pre e mentalitetit. Njerëzit negativ do t’i keni gjithmonë përreth, por ju duhet të ndiqni atë që besoni,” Ervin Kalemi, themelues i Publer.

Evente të tilla, të organizuara nga Ofiçina janë një mundësi e mirë për të gjetur bashkëpunëtorë, klientë e mundësi financimi nga investitorë të huaj, të cilët ishin të pranishëm dhe në këtë aktivitet.

Michael Gold, drejtor menaxhues pranë Crimson Capital, ftoi të gjithë pjesëmarrit të bëheshin pjesë e këtij programi. Crimson Capital është një lider ndërkombëtar në nxitjen e tregut në zhvillim. Ata krijojnë strategji, ndërtojnë kapacitetet lokale dhe lidhin njerëzit e organizatat me njohuritë dhe burimet për të krijuar mundësi punësimi dhe biznesi.

“Ne punojmë ne vende të ndryshme për të ndihmuar ndërtimin e sektorit privat në Shqipëri  dhe për të krijuar vende pune. Shohim shumë aktivitete, si ky i sotmi, që mbështesin startupet dhe inkurajojnë njerëzit të nisin biznesin e tyre. Ka shumë gjëra për të mësuar, e për të bërë ndaj njerëzit e kanë akoma të vështirë.

Kur dikush ka një ide të re për një produkt apo shërbim, gjëja e parë për të cilën ata kanë nevojë është mbështetja.

“Mund të jeni një inxhinier shumë i mirë për software, mund të jenë një bukëpjekës shumë i mirë, por ka shumë kërkesa përveç kësaj,” thotë z.Gold “Financat, burimet njerëzore, ndaj është shumë e rëndësishme që të ketë programe të tilla ku startupet të mësojnë çfarë i ju nevojitet për të qenë të suksesshëm. Kam parë shumë startupe premtuese dhe besoj te rritja e tyre.”

Crimson Capital prej disa vitesh operon gjithashtu dhe në Kosovë e vende të tjera të Ballkanit. I pyetur nga Business Mag për ecurinë e startup-eve në Kosovë e Shqipëri ai thotë: “Shoh dy mjedise të ndryshme. Madje Kosova është një hap më para se Shqipëria në këtë drejtim. Ata e duan inovacionin dhe ndryshe nga ju nuk kanë frikë të guxojnë. I japin prioritet ideve të tyre dhe e çojnë atë deri në fund.”

“Nuk ka programe të caktuara akselerimi në Shqipëri që të ndihmojnë të rinjtë me ide fillestare të kenë një përgatitje teknike. Apo të kenë mundësinë të dalësh nga një produkt inkubimi me një produkt që mund ta shesësh,” thotë për BusinessMag Arjan Ymeri, drejtues i Ofiçina. “Ne jemi këtu për t’i mbështetur, por nevojiten dhe shumë të tjerë për t’i bërë të rinjtë të kuptojnë se kjo është një mënyrë shumë e mirë vetëpunësimi.”

Ofiçina është një iniciativë strategjike e fokusuar në mbështetjen e tranzicionit të Shqipërisë në një ekonomi të bazuar në dije. Misioni i saj është të investojë, inkubojë dhe të ndihmojë zhvillimin e një industrie të teknologjisë së re në Shqipëri. Programi i akselerimit, që ofrohet çdo vit, do të fillojë nga puna nga data 11 shkurt-22 maj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0