Oferta publike dhe mbrojtja e aksionarëve, çfarë parashikon drafti i ri ligjor për kapitalet - Business Magazine Albania

Oferta publike dhe mbrojtja e aksionarëve, çfarë parashikon drafti i ri ligjor për kapitalet

Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 236, datë 18.2.2010, ‘Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike’”, me synimin për ta harmonizuar plotësisht kuadrin ligjor shqiptar me acquis-in e Bashkimit Evropian dhe për të rritur mbrojtjen e aksionarëve në tregun e kapitaleve.

Projektligji, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, përafron ligjin ekzistues me Direktivën 2004/25/KE për ofertat e marrjes në kontroll, si dhe me ndryshimet më të fundit të legjislacionit evropian, përfshirë krijimin e Platformës Evropiane të Aksesit në të Dhëna (ESAP). Ky hap vjen në një moment kur Shqipëria synon të përmbyllë përafrimin e plotë të kornizës ligjore me BE-në deri në horizontin politik 2030.

Sipas relacionit që shoqëron ligjin, ndryshimet parashikojnë zgjerimin e fushës së zbatimit të ligjit, saktësimin e përkufizimeve kyçe,  si oferta vullnetare dhe ajo e detyrueshme apo aksionet me të drejtë votimi të shumëfishtë, si dhe rritjen e transparencës së dokumentit të ofertës, veçanërisht lidhur me çmimin dhe metodologjinë e përcaktimit të tij.

Një risi e rëndësishme është forcimi i rregullave për “çmimin e drejtë”: nëse ofertuesi blen aksione me çmim më të lartë gjatë periudhës së ofertës, ai detyrohet ta rrisë çmimin për të gjithë aksionarët. Po ashtu, Autoritetit i jepet kompetencë të ndërhyjë në çmim në rrethana të jashtëzakonshme, me arsyetim publik.

Lexo edhe: Të vetëpunësuarit, nga marsi 2026 do plotësojnë formularin për vetëdeklarimin e statusit

Projektligji qartëson edhe masat mbrojtëse gjatë periudhës së ofertës, të drejtat e votës në asamblenë e aksionarëve dhe zbatimin e parimit të neutralitetit të bordit drejtues. Parashikohen përjashtime të posaçme nga oferta e detyrueshme në rastet e rezolucionit apo ndërhyrjeve sipas legjislacionit financiar, si dhe forcohen kompetencat mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, përfshirë njohjen reciproke të dokumenteve të miratuara nga autoritetet e BE-së ose ZEE-së.

Një tjetër element kyç është raportimi vjetor pranë Komisionit Evropian dhe depozitimi i të dhënave në ESAP, për të garantuar akses publik, transparencë dhe ndërveprueshmëri të informacionit në formate të lexueshme nga makina.

Sipas relacionit shpjegues, tregu i kapitaleve në Shqipëri mbetet ende në fazë zhvillimi, me likuiditet të ulët dhe numër të kufizuar emetuesish. Në këtë kontekst, një kuadër ligjor i parashikueshëm dhe i harmonizuar me standardet e BE-së shihet si parakusht për rritjen e besimit të investitorëve, nxitjen e listimeve dhe integrimin e tregut vendas me tregjet evropiane.

Projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe, pas miratimit, zbatimi i tij do t’i ngarkohet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit, ndërsa disa dispozita do të aktivizohen në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0