Qeveria ka hedhur për konsultim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 236, datë 18.2.2010, ‘Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike’”, me synimin për ta harmonizuar plotësisht kuadrin ligjor shqiptar me acquis-in e Bashkimit Evropian dhe për të rritur mbrojtjen e aksionarëve në tregun e kapitaleve.
Projektligji, i hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, përafron ligjin ekzistues me Direktivën 2004/25/KE për ofertat e marrjes në kontroll, si dhe me ndryshimet më të fundit të legjislacionit evropian, përfshirë krijimin e Platformës Evropiane të Aksesit në të Dhëna (ESAP). Ky hap vjen në një moment kur Shqipëria synon të përmbyllë përafrimin e plotë të kornizës ligjore me BE-në deri në horizontin politik 2030.
Sipas relacionit që shoqëron ligjin, ndryshimet parashikojnë zgjerimin e fushës së zbatimit të ligjit, saktësimin e përkufizimeve kyçe, si oferta vullnetare dhe ajo e detyrueshme apo aksionet me të drejtë votimi të shumëfishtë, si dhe rritjen e transparencës së dokumentit të ofertës, veçanërisht lidhur me çmimin dhe metodologjinë e përcaktimit të tij.
Një risi e rëndësishme është forcimi i rregullave për “çmimin e drejtë”: nëse ofertuesi blen aksione me çmim më të lartë gjatë periudhës së ofertës, ai detyrohet ta rrisë çmimin për të gjithë aksionarët. Po ashtu, Autoritetit i jepet kompetencë të ndërhyjë në çmim në rrethana të jashtëzakonshme, me arsyetim publik.
Lexo edhe: Të vetëpunësuarit, nga marsi 2026 do plotësojnë formularin për vetëdeklarimin e statusit
Projektligji qartëson edhe masat mbrojtëse gjatë periudhës së ofertës, të drejtat e votës në asamblenë e aksionarëve dhe zbatimin e parimit të neutralitetit të bordit drejtues. Parashikohen përjashtime të posaçme nga oferta e detyrueshme në rastet e rezolucionit apo ndërhyrjeve sipas legjislacionit financiar, si dhe forcohen kompetencat mbikëqyrëse të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, përfshirë njohjen reciproke të dokumenteve të miratuara nga autoritetet e BE-së ose ZEE-së.
Një tjetër element kyç është raportimi vjetor pranë Komisionit Evropian dhe depozitimi i të dhënave në ESAP, për të garantuar akses publik, transparencë dhe ndërveprueshmëri të informacionit në formate të lexueshme nga makina.
Sipas relacionit shpjegues, tregu i kapitaleve në Shqipëri mbetet ende në fazë zhvillimi, me likuiditet të ulët dhe numër të kufizuar emetuesish. Në këtë kontekst, një kuadër ligjor i parashikueshëm dhe i harmonizuar me standardet e BE-së shihet si parakusht për rritjen e besimit të investitorëve, nxitjen e listimeve dhe integrimin e tregut vendas me tregjet evropiane.
Projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit dhe, pas miratimit, zbatimi i tij do t’i ngarkohet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit, ndërsa disa dispozita do të aktivizohen në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto