“Nuk mund të jetoni pa ne”- A kanë hequr dorë kompanitë e naftës nga premtimet e tyre të gjelbra? - Business Magazine Albania

“Nuk mund të jetoni pa ne”- A kanë hequr dorë kompanitë e naftës nga premtimet e tyre të gjelbra?

Një analizë e re paralajmëron se disa nga gjigantët më të mëdhenj të energjisë fosile kanë hyrë në një fazë të ashtuquajtur “gaslighting” për të mbrojtur fitimet e tyre. Kompanitë e naftës akuzohen se po braktisin heshturazi premtimet e klimës, duke justifikuar përdorimin e vazhdueshëm të karburanteve ndotës.

Projekti Clean Creatives, i dedikuar PR-it dhe reklamimit me fokus klimatik, ka analizuar mbi 1,800 materiale reklamash dhe komunikimesh nga BP, Shell, ExxonMobil dhe Chevron për periudhën 2020–2024. Kjo përfshin reklama në rrjetet sociale (Facebook, YouTube, TikTok, Instagram), reklama televizive, komunikata për investitorët dhe fjalime të drejtuesve.

Rezultatet tregojnë se në fillim të analizës, mesazhet e kompanive theksonin objektivat e klimës dhe angazhimet për tranzicionin drejt energjisë së pastër. Por deri në 2023, komunikimi i tyre e prezanton naftën dhe gazin si “të domosdoshëm, të përhershëm dhe kyç për stabilitetin ekonomik dhe sigurinë kombëtare”.

BP, për shembull, ka kaluar nga premtimi për net zero dhe retorika e gjelbërimit në fushata që mbrojnë zgjerimin e vazhdueshëm të gazit dhe naftës, duke reduktuar objektivat për energji të rinovueshme. Chevron ka zhvendosur mesazhin e saj “Human Energy” drejt një retorike nacionaliste që lidh prodhimin e karburanteve me sigurinë ekonomike dhe kombëtare.

Lexo edhe: Kur ekonomia flet gjelbër!

Sipas raportit, të gjitha gjigantët e naftës kanë ndjekur një rrjedhë të ngjashme: nga “pjesë e zgjidhjes” në mesazhin “nuk mund të jetoni pa ne”. Kompanitë promovojnë teknologji si gazin natyror të lëngshëm (LNG), kapjen dhe magazinimin e karbonit (CCS), hidrogjenin blu, biokarburantet dhe dizelin e rinovueshëm, pavarësisht se shumica mbeten të bazuara në fosile ose janë të paprovuar në shkallë të gjerë.

“Greenwashing ka marrë një formë të re,” thotë Nayantara Dutta, drejtore kërkimore në Clean Creatives dhe autore e raportit. “Në vend të pretendimeve të rreme, kompanitë po promovojnë ‘zgjidhje të rreme’ që mbajnë varësi të gjatë nga fosilet, duke ruajtur fitimet dhe influencën politike.”

Tranzicioni larg karburanteve fosile u bë temë kyçe në samitin e COP30 në Belém vitin e kaluar, edhe pse nuk ishte në agjendë zyrtare. Më shumë se 90 vende, përfshirë Gjermaninë dhe Holandën, mbështetën idenë e një roadmapi kombëtar drejt energjisë së gjelbër, por në orët e fundit të samitit, çdo përmendje e karburanteve fosile u hoq nga marrëveshja përfundimtare.

Analiza tregon se 17 nga 20 emetuesit kryesorë të 2024-ës ishin kompani të kontrolluara nga shtete që bllokuan këtë road map, përfshirë Arabinë Saudite, Iranin, Katarin, Indinë, Rusinë dhe Kinën.

Ekspertët paralajmërojnë se mesazhet e “sigurisë energjetike” që gjigantët e naftës përdorin janë të lidhura ngushtë me fitimet dhe ndikimin politik, pavarësisht se lufta në Lindjen e Mesme tregon qartë dobësitë e kësaj ideje.

“Po shohim një evolucion të desinformimit klimatik në kohë reale,” thotë Dana Schran nga koalicioni Climate Action Against Disinformation (CAAD). “Kompanitë e naftës nuk e mohojnë krizën, por po e riformësojnë historinë për të justifikuar zgjerimin e karburanteve fosile, duke ruajtur fitimet dhe influencën politike, edhe ndërsa ndikimet klimatike shtohen.”

Euronews.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0